Gjiknuri: Qarku i Vlorës, kampion në investime

13 Qershor 2017, 13:20Politika TEMA

Tragjasi ishte ndalesa e rradhës e Drejtuesit Politik të Qarkut të Vlorës Damian Gjinuri në kuadër të prezantimit të kandidatit Edmond Leka.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Gjiknuri këmbënguli tek vlerat që mbart lista e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 Qershorit.

“Të gjithë këta kandidatë tanë janë të lidhur me Vlorën, pra ne erdhëm me njerëz, me djem e vajza tuajat. Po të shikosh listën e Partisë Socialiste është e gjitha e lidhur me Qarkun e Vlorës, përfshirë edhe Kryeministrin e Shqipërisë. Ne kemi një fat që duhet ta vlerësojmë, në listën tonë kemi edhe Kryeministrin Edi Rama i cili është deputet i kësaj zone dhe i lodhur me të. Qeveria e Edi Ramës ka treguar në këto vite se ka bërë shumë për Shqipërinë por mbi të gjitha ka bërë për Vlorën e këto janë fakte. Kuptohet, edhe unë si ai, e pranojmë se nuk i kemi bërë të gjitha por kemi bërë më shumë se sa ka bërë njeri në gjithë këto vite të marra sëbashku. 300 milion Euro investime për Qarkun e Vlorës, kampion në Shqipëri. Ajo Rruga e Lumit të Vlorës që filloi, një rrugë shekullore që e ka patur ëndërr e gjithë Labëria po bëhet realitet. Investime të tjera në qytetin e Vlorës që siç po e shikoni po transformohet i gjithi dhe nuk kanë përfunduar këtu”, këmbënguli Gjiknuri.

Kandidati Edmond Leka u shpreh optimist për vazhdimin e investimeve edhe për katër vjeçarin e ardhshëm në këtë qark.

“Në programin tonë për 4 vitet e ardhshme, edhe sipas premtimit që Kryeministri ka bërë, do të investohen katër herë më shumë për të gjithë Qarkun e Vlorës, për Bashkinë e Vlorës ku përfshihet edhe njësia administrative Orikum. Janë investime që do ti kthejnë Vlorës atë që i ka munguar në 27 vjet, janë investime që pak a shumë të gjithë vlonjatët i shikojnë dhe prekin. Të gjithë vlonjatët sot e kanë ndarë mendjen që në 25 Qershor do të votojnë numrin 2 dhe Partinë Socialiste”, u shpreh Leka.

Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli u ndal tek një ndër projektet kryesore për Tragjasin e që ka të bëjë me përspektivën e zhvillimit të turizmit.

“Ajo që u kam thënë dhe punuar në këto dy vite ka qenë projekti i ndryshimit të zonës së ujëmbledhësit në një zonë turistike siç është Driloni i Pogradecit. Kemi punuar me specialistët e Bashkisë Vlorë për të përgatitur një projekt cilësor dhe dinjitoz. Uroj fort që vitin që vjen të ketë mbështetje financiare dhe të bëhet realitet kthimi i Tragjasit jo vetëm në një vend ku ka pak turistë në një destinacion të caktuar por në një vend peligrinazhi ku turistët që vizitojnë detin të kthehen për të shijuar natyrën dhe ujin e freskët”, nënvizoi Leli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje