Katër provokime nga “avokati i djallit” Niklas Luhmann

17 Qershor 2017, 14:53Blog TEMA

Nga Klementin Mile

Niklas Luhmann është padyshim teoricieni më origjinal i kohës sonë. Së fundmi është botuar në gjuhën shqipe një libër i tij me titullin Short cuts, me kontributin e dy njerëzve të magjepsur nga mendimi lumanian: përkthyeses Anila Shuka dhe redaktorit Klementin Mile, autor i këtij shkrimi. Në këtë libër me ese, artikuj dhe intervista Luhmann reflekton për çështje të ndryshme si komunikimi, protesta, futbolli, risku, zgjedhjet, ekonomia, dashuria e deri te këshilla ‘si të lexojmë’.

Nuk po ndalem më gjatë për të përshkruar Luhmannin, pasi ka më tepër rëndësi se si na përshkruan Luhmanni ne. Ai na i heq të gjitha iluzionet, duke na i çmontuar përrallat e bukura që dëgjojmë gjithandej për veten dhe botën. Luhmann na maturon, duke na bërë ta lëmë pas fëmijërinë mendore. Njoh pak njerëz që e kanë lexuar Luhmannin, por nuk njoh ndonjërin që të mos ketë dalë i transformuar rrënjësisht prej leximit të tij.

Ne kemi iluzionin se jetojmë në shoqërinë shqiptare. Luhmann na e rrëzon këtë iluzion duke u shprehur: shoqëria moderne është shoqëri botërore! Kjo do të thotë që ka vetëm një shoqëri, e cila është e shtrirë në të gjithë botën. Si ta kuptojmë këtë? Luhmann thotë që njësia bazë e shoqërisë dhe e vetmja gjë sociale është komunikimi. Prandaj, të kërkosh kufijtë e shoqërisë do të thotë të kërkosh kufijtë e komunikimit. Por a përputhen kufijtë e komunikimit me kufijtë politikë? Jo. Përkundrazi, sot, në epokën e globalizimit, komunikimi i kapërcen të gjithë kufijtë politikë. Komunikimi shkencor niset nga SHBA dhe arrin në Francë, pastaj Itali, pastaj Shqipëri etj. E njëjta gjë ndodh me komunikimin politik, ekonomik, fetar, artistik etj. Madje Luhmann, për të ironizuar besimin tonë se jetojmë në një shoqëri kombëtare, na pyet: çfarë e dallon “shoqërinë e Paraguait” nga “shoqëria e Uruguait”?

Ne kemi iluzionin se zgjedhjet politike në demokraci reflektojnë vullnetin e popullit. Luhmann na e rrëzon këtë iluzion duke thënë: zgjedhjet janë një hedhje zaresh! Ai i krahason zgjedhjet me vallen e shiut të indianëve. Indianët kërcejnë një valle nga e cila presin të bjerë shi. Natyrisht, shi herë bie herë jo, pavarësisht valles. E njëjta gjë ndodh me zgjedhjet: prej tyre nuk varet realizimi i vlerave dhe interesave të votuesve. Se çfarë ka në mendje votuesi kur shkon të hedhë votën e di vetëm ai; dhe kjo përmbajtje mendore nuk mund të shprehet te alternativat që gjen në zgjedhje, por vetëm mund të cungohet maksimalisht prej tyre. Për të mos folur pastaj për faktin që vota e individit do të mblidhet, zbritet, pjesëtohet, shumëzohet me të tjera vota të individëve të tjerë për shkak të sistemit elektoral, e pastaj kjo shumë do të mblidhet e zbritet me të tjera shuma si rrjedhojë e formimit të koalicioneve qeveritare dhe opozitare. Në gjithë këtë proces tejet kompleks vlerat dhe interesat e individit humbasin pa lënë fare gjurmë në qeverisje.

Ne kemi iluzionin se dashuria është ndjenjë. Por Luhmann thotë: dashuria është medium! Si e tillë, dashuria ndërmjetëson veprimin e njërit me përjetimin e tjetrit. Ajo është forca që i bën të bashkohen dy njerëz që përndryshe nuk do ishin bashkë. Siç shkruan Lasgush Poradeci, i cili e ka shprehur poetikisht konceptin lumanian të dashurisë si medium, “nuk dashuroja as unë as ti, po dashuronte dashuria”. Në këtë kuptim, dashuria është një medium si paraja (që bashkon shitësin me blerësin në treg), si pushteti (që bashkon politikanin me zgjedhësin në miting), si arti (që bashkon artistin me artdashësin në ekspozitë). Në kushtet e një popullsie botërore mbi 7 miliardë, probabiliteti që dy njerëz të dashurohen me njëri-tjetrin është jashtëzakonisht i ulët. Dashuria është mediumi që atë çka është thuajse e pamundur e bën të domosdoshme, fatale dhe më pas na shtyn të themi: “nuk kishte si të ndodhte ndryshe!”

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

3 komente në “Katër provokime nga “avokati i djallit” Niklas Luhmann”

  1. Profesori says:

    Pershendetje Klementin,
    Shkrimi mund te ishte me i qarte dhe me i elaboruar.
    Nuk del qarte mendimi filozofik i Luhman.
    Faleminderit,
    Profesori

  2. kirurg says:

    Ka ne problem ne kete paraqitje promovuese te librit: Sic thua me poshte (“Dashuria eshte forca qe bashkon veprimin e njerit me perjetimin e tjetrit”), edhe komunikimi “global” i botes me… Shqiperine, eshte iluziv, nderkohe qe e kunderta eshte e vertete. Shqiperia perpiqet te komunikoje me boten, duke mos pasur prej saj asnje perjetim

  3. n. nickelbe says:

    libri me ese, nje sofizem dhe spekullim.
    filozofia e neutral monizmit dhe fatalizmi I saj nuk jane shinat ku hecen shoqeria.
    jam I sigurte se lehmann ne realitet ne komunitetin e tij mendon dhe vepron ndryshe nga cfare shkruan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje