Përse dreqin e ka kaq të vështirë të jetë rracionale dhe me këmbë në tokë politika shqiptare? Nga padija apo shterpësia e vet?
Kjo pyetje të vjen ndër mend, ndërsa si qytetar që pak do t’ia dijë për politikën si pjesëmarrje (më shumë i interesuar se si po shkon ajo), sheh një foto të Lulzim Bashës, të publikohet si arritje historike e një lideri të ri.
Qysh mbrëmjen e djeshme, kur u publikua fotoja, çdo qytetar i arsyeshëm, kërkon të dijë cili ishte mesazhi që Basha donte të përcillte me atë foto?
Në facebook-un e tij shkruante se ishte një “takim i jashtëzakonshëm”, por arsyet pse ishte i tillë, nuk na i shpjegoi. Mos ndoshta foli për kauzat që mbronte nga çadra, për qeverinë e inkriminuar sipas tij, të Edi Ramës, për drogën, për zyrtarët e korruptuar? Apo mori ndonjë garanci e mbështetje, për ti luftuar ato, prej Trump?
“Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët”- shkruante Basha për Trump.
Pra, u desh një udhëtim deri në SHBA, një biletë prej 20.000 dollarësh që një zot e di me çfarë parash, kryetari i opozitës së një vendi të varfër e ka paguar, që ai të na tregonte se Trump është frymëzimi i Republikës së Re?!
Edhe ky nuk është fort bindës si qëllim, duke na lënë të kuptojmë se është rasti tipik i një politikani provincial që do t’i tregojë “fshatit” të vet se ka mbështetjen e të parit të “fshatit global”, e për rrjedhojë duhet ta duan edhe ata.
Kjo është patjetër një strategji e komunikimit mediatik të Bashës, por shumë elementare, amatore, e dalë mode, e medoemos fyese për shqiptarët që Basha, i sheh si banorët e një fshati të vogël që do t’u ndezë ndienjat e krenarisë, me një foto pranë Trump.
Të jetë vallë qëllimi i kësaj fotoje, një mesazh i fshehur për kundërshtarin e tij, Edi Ramën, se arriti atë që ai vetë nuk mundi ta bënte në samitin e NATO-s? Disa deputetë opozitarë në fakt, nuk nguruan të krahasonin foton e Bashës e Trump me një të Ramës, shumë afër Trump në samitin e NATO-s, duke theksuar se kryeministri nuk kishte patur arritjen e Bashës: Foto personale me Trump.
Ruajna zot! Niveli i politikës shqiptare ka rënë në banalitetin e “garës” se kush del një foto me presidentin amerikan dhe shitur këtë si një mbështetje personale për individin. Çfarë imponimi i dhunshëm dhe i neveritshëm ndaj qytetarëve, produkt tipik i një politike kolltukofagësh që nuk kanë program, nuk kanë vizion, nuk kanë argumenta për t’i shpalosur si gurë shahu në lojën elektorale, por përfundojnë në shfaqje teatrale, si ato te sheshi i një fshati të vogël të Shqipërisë së madhe.
Kjo nuk ka te beje me provincializmin,por me servilizmin,nje semundje qe ka prekur te gjith politikanet
shqiptare(si dhe politikanet e vendeve te vogla ne teresi),pa perjashtim.Nese takimin(foton)me Trump ja
ka mundesuar Bashes vertete Lobi grek ne Amerike,kjo do te ishte tradheti jo vetem ndaj te djathtes,
por edhe kombit shqiptare.Bilal Shehu pranon akuzat: U paguan 80 mijë dollarë për një foto me Obamën.
Edi Rama,ai që ka paguar 80 mijë dollar për një foto me Presidentin Obama.Me shume nga te gjith per akses
politik,kete manover mbrojtese,e ka perdorur Ilir Meta.Sa here kishte nje problem,te nesermen e gjeje ne takim
me politikane Perendomore.
Me vjen mire qe ma ne fund qytetaret dalin e flasin kunder idiotet qe kemi per politikane. Bravo per kete shkrim alteo hysi.