Levizja ‘’En marche’’ e themeluar nga presidenti i ri i Francës, Emanuel Makron vitin që shkoi, fitoi shumicën dërmuese në Asamblenë Franceze. Pra përveçse iu mori partive të mëdha presidencën, lëvizja e Makron i shkatërroi elektoralisht partitë e mëdha edhe në legjislativ. Sot Franca ka një udhëheqje krejtësisht të re, me një shumicë të të zgjedhurve që vijnë nga shoqëria civile e që nuk kanë asnjë përvojë politike. Populli francez ia ia besoi qeverisjen të rinjve, duke dënuar njëkohësisht partitë ekstremiste të Lë Pen e Melonshon, por duke iu hequr eksluzivitetin edhe partive të mëdha tradicionale.
Në zgjedhjet e Kosovës koalicioni i parë doli ai i ish komandantëve, por fituesi real është Vetvendosja e Albin Kurtit. Vetvendosja e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, një lider sa karizmatik, intelektual, aq edhe kontrovers e i pakompromis ne ide, ka shkruar këto vite opozitarizmin e vërtetë në Kosovë, ndonëse me mënyra shpeshherë të diskutueshme. Në fushatë pamë një Albin ndryshe, me tone më të moderuara çka solli edhe dyfishimin e votave të Vetvendosjes. Komandantët janë koalicioni fitues, por për shkak të rrudhjes elektorale nuk duket t’i kenë votat për formimin e qeverisë. Shprehja vetbesuese e Ramush Haradinajt se do ta bëjnë qeverinë e Kosovës për të mos e lënë vendin peng të votës rrefuzuese do të thotë më shumë se për të bërë votat që iu duhen ose do ftojnë në koalicion LDK-në ose do përpiqen të blejnë deputetë prej saj në rast rrefuzimi. Në ia arritshin do fitojnë pak kohë, por asgjë më shumë. Politika është trend dhe trendi është kundra tyre. Edhe sikur Vetvendosja të mos arrijë një akord me LDK-në, nuk është e largët dita kur Albin Kurti do të ulet në karrigen e kryeministrit. Kjo tashmë është e pashmangshme. Një Albin kryeministër do hapte rrugën për funksionimin e gjykatës speciale dhe do godiste fort klanet klienteliste që sot po i marrin frymën Kosovës. Është thjesht çështje kohe…
Në Shqipëri kemi një situatë tjetër. Kryeministri po luan karta që nuk janë luajtur më parë në fushata elektorale. Në një marrëveshje me liderin e opozitës, e cila shtrihet edhe pas zgjedhjeve nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht diçka negative. Gjithçka varet nga qëllimi i liderve. Pyetja është, do korrigjojnë sistemin, apo do korrigjojnë çka nuk funksionoi në marrëveshjen e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008? Pra për ta shprehur më qartë variantet janë dy. Ose dy të mëdhenjtë do të përpiqen të reformojnë kodin zgjedhor me qëllim që parlamenti të reflektojë votën popullore e jo pazarët e kulisave. Le të themi se shqiptarët kanë të drejtë të zgjedhin vetë kryeministrin e tyre, i cili duhet të jetë më i votuari e jo preferenca e radhës e Ilir Metës. Por kjo nuk duhet bërë e dirigjuar nga nevoja e goditjes së më të vegjëlve dhe e krijimit të eksluzivitetit dypartiak. Korrigjimi duhet gjithashtu t’u heqë liderve të drejtën e mbretërimit mbi partitë respektive me anë të presionit të listave duke krijuar një sistem që mbron edhe kandidimin e lirë brenda partive, çka do të sillte pashmangmërisht edhe demokratizimin e tyre
Ky do të ishte edhe një rast ideal edhe për depolizimin e administratës. Një reformë që mbron profesionistët në administratë dhe zeron punësimin militant, klientelist e nepotik, nëse ideohet e votohet nga dy të mëdhenjtë, mundësisht edhe me përfshirjen e aktorëve më të vegjël, do të kishte baza të forta e do të mund të vendoste një gur të rëndë themeli në rindërtimin e shtetit shqiptar.
Nëse Rama e Basha nuk synojnë shtetbërjen por vetëm formulat e manovrat që mund t’u japin pushtetin, dikush tjetër do të vijë e do ta bëjë Shqipërinë. Tendencat e botës së lirë gjithmonë kanë mbërritur edhe në brigjet tona. Është thjesht çështje kohe…
Kur te tjeret reth nesh zhvillohen, ne ose kacafytemi me njeri tjetrin ose fleme gjume,
kur ata jane ne krize ,ne jemi te pergjumur[zgjohemi],por askush se ka mendjen tek ne,
dhe kur ata kalojne veshtiresite, krizat dhe vazhdojne ecjen ne zhvillim,
ne perseri na ze gjumi, fatkeqsisht.
Ky eshte cikli mijvjecar i fatit tone, gjume ,pergjumje,gjume prape dhe prape gjume.
Koha asnjehere nuk faforizon gjumin.