Mjerisht për të disatën herë nga Shkodra vijnë deklarata të shkëputura nga çdo realitet dhe larg çdo vërtetësie. Para tre ditësh në një konferencë shtypi të kryetares së Bashkisë Shkodër me Ambasadoren e Bashkimit Europian në kuadrin e bashkpunimit për disa projekte në fushën e turizmit, titullarja e Bashkisë deklaroi si më poshtë:
“Qeveria e ka harruar Shkodrën por Bashkimi Evropian jo.
Bashkimi Evropian do të investojë fuqishëm në Shkodër. Faleminderit BE që e vlerëson Bashkinë Shkodër si një partner serioz me të cilin ia vlen të bashkpunohet dhe ku ia vlen të investohet.
Në këtë periudhë, po vazhdojnë procedurat nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për ndërtimin e rrugës që lidh rrugën nacionale me Velipojën. Ne do të përpiqemi të krijojmë akses në çdo mundësi mbështetjeje për turizmin”.
Për këdo që nuk është në dijeni të së vërtetës kjo deklaratë merret e mirëqënë dhe natyrshëm lindin pyetjet: Çfarë ka qeveria përsëri me Shkodrën? A nuk është Shkodra në territorin e Republikës së Shqipërisë apo është aq e parëndësishme, saqë në listën e prioriteteve të zhvillimit të vendit rreshtohet në rradhët e fundit? Nëse është kështu, përse Bashkimi Europian është i hapur në bashkëpunimin me Shkodrën, ndërsa qeveria nuk do t`ia dijë? A nuk është kjo qeveri proeuropiane dhe pse përqasja ndaj një qyteti të tërë është kaq i ndryshëm nga ai i BE-së?
I gjithë ky skenar virtual pyetjesh nga të cilat deduktohen pyetje të tjera retorike ose jo, krijon një lodhje dhe një pështjellim për taksapaguesin, i cili është në të drejtën e tij të marrë një informacion të saktë si nga mediat ashtu edhe nga punëmarrësit e tij, që janë pushteti qëndror dhe ai lokal. Në rastin konkret përgjigjet e pyetjeve të mësipërme është e kotë të kërkohen, sepse themeli i tyre është i paqenë, pasi parakushti i këtyre pyetjeve bazohet në një deklaratë sa të pavërtetë aq edhe jologjike në vetvete.
Mungesën e logjikës së deklarates së mësipërme po mundohem ta sqaroj me disa pyetje të tjera retorike: A mendon Bashkia Shkodër se Fondi Shqiptar i Zhvillimin nuk është një organizëm qeveritar? A mendon Bashkia Shkodër se Bashkimi Europian, Banka Botërore, UNDP dhe organizma të tjera ndërkombëtarë veprojnë në Shqipëri krejtësisht të pakoordinuara me planet e qeverisë kur bëhet fjalë për projekte të rëndësishme zhvillimore territoriale? A mendon Bashkia e Shkodrës se shkalla e profesionalitetit të punës së kësaj bashkie është kaq e lartë, saqë vetëm organizma ndërkombëtarë si ato të BE-së etj. mund ta kuptojnë dhe mund të jenë partner me të?
Ndërsa përsa i përket konstatimit se kjo deklaratë është këmbë e krye e pavërtetë po rreshtoj vetëm një pjesë të fakteve që për momentin kam përpara dhe që vijnë nga eksperienca e drejtpërdrejtë e punës sime si dhe nga informacione të dikastereve të tjera shtetërore.
Po ia lëmë vetë lexuesit të gjykojë nëse pohimi: “Qeveria e ka harruar Shkodrën”, është i drejtë apo krejtësisht i rremë.
Më rezulton se:
– Ministria e Zhvillimit Urban nëpërmjet instrumentit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve i ka akorduar Bashkisë Shkodër në kuadrin e programit të “Rilindjes Urbane” për vitet 2014-2016 fondin prej 199,309,429 lekë për realizimin e tetë projekteve, të cilat pjesërisht janë realizuar dhe pjesërisht janë në realizim.
– Në vitin 2017 nga të njëjtat instrumente i është akorduar Agjensisë së Zhvillimit të Rajoneve fondi prej 22,230,429 lekë për dy projekte për Shkodrën.
– Plani i Përgjithshëm Vendor i Shkodrës po ashtu u financua në vitin 2016 nga MZHU me një vlerë prej 48,070,800 lekë.
– Projekti i parë pilot në rang kombëtar për strehimin të grupit të jetimëve që dalin nga institucionet e përkujdesit shoqëror me vlerë 20.000.000 lekë u realizua me buxhetin e vitit 2016.
– Ministria e Mirëqënies sociale investoi në Shkodër 20.616.000 lekë për shërbimet sociale dhe 362.585.394 lekë për arsimin profesional.
– E njëjta ministri ka investuar në Shkodër 100,000,000 lekë në kuadër të zbatimit të programeve të punësimit për periudhën 2014-2017.
– Ministria e Kulturës po investon për rikonstruksionin e Teatrit Migjeni shumën prej 114,153,932 lekë pasi ka investuar shumën prej rreth 207.716.515 lekë për muzeumin Marubi dhe shumën prej 7.518.000 lekë për restaurimin e varrezave të Rrmajit.
– Ministria e Shëndetësisë ka investuar në Shkodër për periudhën 2014-2017 shumën prej 500.000.000 lekë për kabinetin e kemioterapisë, angjiologjisë për koronarografinë, rezonancën manjetike, tre qëndra reanimacioni, pajisje për laboratorin e shëndetit pubik, dializën, ortopedinë, etj.
– Ministria e Arsimit ka investuar ne Shkoder shumën prej 1,5 miliard lekë për Stadiumin “Loro Borici” dhe shumën prej 300,527,523 lekë për shkolla.
Këtu po ndalem me rreshtimin e investimeve në Shkodër, i bindur se kjo listë është e pjesëshme dhe se investimet në total janë shumë më tepër se këto që numërova më lart.
Tashti lexuesi i nderuar le të gjykojë vetë nëse pohimi i kryebashkiakes është i vërtetë apo jo!
Në këtë pikë e shoh të nevojshme të bëj edhe një refleksion të shkurtër mbi raportet institucionale dhe njerëzore, nëse duam që ky vend të zhvillohet dhe puna e secilit prej nesh të ketë efektin dhe të marrë vlerësimin e duhur.
Edhe pse është kohë fushate elektorale, mendoj se është e papranueshme, jo-qytetare dhe aspak e ndershme të luhet me pohime të rreme. Ndërtimi, qoftë edhe i suksesit, mbi një gënjeshtër, është një “bombë me sahat” që rrezikon të hedhë në erë edhe atë shumë apo pak punë pozitive që mund të ketë bërë secili prej nesh. Me sa e njoh unë personalisht, Kryetarja e Bashkisë Shkodër nuk hyn në kategorinë e shumë paraardhësve të saj që gënjeshtrën e kishin instrumentin normal të komunikimit dhe të rritjes në karrierën e tyre politike.
Paraqitja e fakteve ashtu siç janë është një detyrë themelore e personave publik dhe e përçuesve të lajmit. Jo vetëm deformimi dhe trukimi i tyre por edhe vetëm lënja e hapsirave për interpretime të gabuara të fakteve është një fyerje e rëndë për taksapaguesit dhe për votuesit dhe si e tillë përbën një akt të dënueshëm në shoqërinë e hapur demokratike. Eshtë e drejta e patjetërsueshme e sovranit të gjykojë mbi punën e administratorëve të tij dhe ai mund ta ushtrojë këtë të drejtë me vetëdije të pastër vetëm nëse i paraqitet me vërtetësi realiteti. Mund të themi me plot gojë se faktet vetë janë sovrane, ndërsa interpretimet politike ndaj tyre mbeten të lira, por nuk është e lejueshme që faktet t’i përkulen orekseve të çastit, duke u zbehur, tjetërsuar dhe kthyer në shëmbëlltyra të rreme të realitetit objektiv.
Mjerisht kultura e mbijetesës në gënjeshtër në gjysëm shekullin e diktaturës dhe mashtrimi spektakolar i njëzet e pesë viteve vijuese në paraqitjen kinse demokratike të një sistemi klanor, banditesk dhe antishtet, ka krijuar steriotipe sjelljeje, që janë të urryeshme dhe të dënueshme në gjithë botën e civilizuar, por mjerisht të pranuara edhe moralisht të justifikuara nga shoqëria shqiptare. Kjo mënyrë sjelljeje dhe ky moral i kalbur, i bazuar në gënjeshtren dhe mashtrimin ka lulëzuar dhe ka arritur kulmin duke marrë forma të rrezikshme institucionale në politikë, në të gjithë sistemin shtetëror dhe është vetëkurorëzuar në sistemin e drejtësisë.
Unë shpresoj dhe besoj fort se Shqipëria, natyrisht duke përfshirë edhe Shkodrën, është në momentet e fundit të këtij tumori vdekjeprurës të shtetit dhe të së ardhmes së kombit tonë. Besoj se një pastrim radikal i kësaj kulçedre dhe zëvëndësimi i saj me një organizëm të shëndoshë si nga ana e integritetit ashtu dhe nga ajo profesionale, do të ndihmojë në përshpejtimin e ndryshimit të mendësisë së gjithë shoqërisë shqiptare në raport me të drejtën, me drejtësinë dhe me të vërtetën. Besoj që edhe strukturat banditeske dhe kriminale të veshura me çfarëdolloj kostumi apo pushteti do të bëhen shumë më të kujdesshme dhe do t’i frikësohen përballjes së tyre me një sistem drejtësie të shëndetshëm.
Mendoj se Bashkia e Shkodrës nuk ka pse pret futjen në funksion të sistemit të ri të drejtësisë për të filluar punën dhe për të thënë të vërtetën. Nëse në dy javët e ardhshme adrenalina e listave të kandidatëve, e zgjedhjeve, e vapës dhe e rrjetave të merimangave politike që mbajnë Shkodrën “nën kontroll”, do e bëjë të pamundur që Bashkia e Shkodrës të merret me punët e ekzekutivit, me datën 26 qershor Kryetarja e Bashkisë me gjithë stafin drejtues teknik është e mirpritur për të hapur një tavolinë pune periodike, ndërdisiplinare dhe ndërinstitucionale në Ministrinë e Zhvillimit Urban për të diskutuar dhe vendosur mbi zhvillimin e qytetit të Shkodrës. Këtë gjë e kemi nisur në rreth të ngushtë dy vite më parë, por nuk ka patur vijimësi për moskokëçarjen ose në rastin më të mirë për mbingarkesën e punës së pushtetit vendor.
Ju siguroj se qeveria jo vetëm nuk e ka harruar Shkodrën, por ka bërë dhe do bëjë edhe në legjislaturën e ardhshme maksimumin për kthimin e këtij qyteti të rëndësishëm të Shqipërisë, në një qytet normal, që me gjëndjen e tij jo vetëm të mos turpërojë emrin dhe imazhin e madh që ka patur në shekuj, por mundësisht të kthehet përsëri në djepin e vet natyral: si farkëtues i mendimit të lirë, i kozmooplitizimit, kulturës, sportit, ekonomisë dhe tregtisë.
E nderuara Kryebashkiake, kjo qeveri ka të paktën edhe katër vjet punë të lodhshme përpara vetes. Ju keni edhe dy vjet kohë përpara jush për t’i treguar fillimisht vetes, pastaj shkodranëve dhe gjithë Shqipërisë, se ato që ju kanë besuar qytetin nuk janë gabuar. Unë ju garantoj se qeveria do kujdeset për Shkodrën shumë më tepër sesa Shkodra do të mund të kujdeset për veten e saj. Në dy vjet mund të bëjme gjëra të mëdha për qytetin nëse punojmë së bashku dhe nëse krijojmë një sinergji pozitive. Vetëm puna për qytetin ju siguron vlerësimin nga qytetarët shkodranë. Batutat publike kundër kryeministrit, qeverisë apo deformimi i fakteve, mund të sigurojnë maksimalisht ndonjë lëvdatë fluturimthi nga militantët fanatikë që në thelb të ekzistencës së tyre kanë vetëm servilizmin ndaj liderit të radhës. Me këtë nuk dua të them që nuk duhet të kritikoni. Jeni e mirëpritur të kritikoni me racionalitet, çdo gjë që nuk shkon dhe që për një arsye ose për një tjetër mund të bëhet më mirë.
Uroj që ju dhe gjithë forcat pozitive në qytet të gjejnë motivacionin e duhur për t’i hyrë punës së transformimit radikal të qytetit duke i kthyer atij shkëlqimin e dikurshëm që e meriton dhe e pret tash sa kohë.
Ne qofte se mendesia e politikanucerve ne Shkoder te ishte si ajo e Radovanit, gjerat do te venin per se mbari, por Shkodra eshte bastion i apatise dhe i mungeses se vizionit politik.
I nderuari z Gjon Radovani ju besoj se shkodran jeni por mund te jetoni ne Tirane apo jasht shteti . Nje gje po ju them per ne shkodranet , kur pushtetin qendror e ka P .S ja ankohen pushteti lokal se qeveria ja ben me hile qe gjoja nuk i ndihmon se nuk ju jep leke ne dore dhe pa projekte se done me i vledhe si i vjedhin kur kane ne qeverisje P D ne Ka 27 vjete qe ne Shkoder vetem 30% e fondeve shkojne ne destinacion te tjerat vidhen nderkohe qe njefare biznesmeni ne shkoder para disa ditesh na thote ja cfare zhvillimi marramendesh ka ba Shkodra ne keto vite (nenkupto sa jena pasuru une dhe disa te tjere qe jemi te lidhur ne shume forma me P D ne se si i rruajme ne taksa paguesat shkodrane).
Po komenti i taraboshit?
Po komenti i taraboshit ku eshte ?
Dakord me Taraboshin, Lola Luka dhe Boltana Ademi jane shembull i asaj qe thote Taraboshi.