Një rezultat vërtetë historik është shënuar nga Partia Socialiste në qarkun e Kukësit. Teksa numërimi ka qënë drejt fundit, PS dhe PD e kanë vijuar “luftën” mes tyre për mandatin e dytë, duke ndarë gjithnjë një diferencë minore prej 1100 votash maksimalja.
Ndërkohë që socialistët për herë të parë shënojnë një diferencë kaq të ngushtë në qarkun e Kukësit, njëherësh shënojnë një rritje prej 19 përqind të votave krahasuar me zgjedhjet e katër viteve më parë.
Këtë fakt e ka shprehur kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të PS në qarkun e Kukësit dhe deputetja e konfirmuar Mimi Kodheli, që ka falenderuar thellësisht kuksianët, tropojanët dhe hasjanët për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë ekipit garues të PS në një muaj fushatë, të precipituar në një votë vërtetë të cilësuar dhe masive për socialistët.
“Jam e nderuar që do të përfaqësoj kuksianët, hasjanët dhe tropojanët. Procesi ka qënë i qetë dhe për këtë falenderoj të gjithë qytetarët.
Kemi pasur një rezultat historik në Tropojë. Të gjitha qëndrat e votimit rritje për PS.
Në bashkinë Kukës, PS kryeson me 1800 vota mbi PD-në, një tjetër arritje historike.
Partia Socialiste e qarkut Kukës ka arritjen më të madhe në këtë fushatë elektorale. Nga 11.100 vota që ishte diferenca mes PD dhe PS, sot jemi vetëm 1.100 vota.
Megjithë investimet e rilindjes urbane që kanë prekur të tre kryqendrat e këtij qarku, sërish ka nevojë për më shumë investime. Prioritet do të jetë punësimi i të rinjve, ndërtimi i një infrastrukturë për të gjithë zonat rurale si dhe përmirësimi i shërbimeve.
Kukësi, Hasi dhe Tropoja votojnë Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për të drejtuar vendin, për shtet, punë dhe mirëqenie”, është shprehur Kodheli për mediat.
O zoti e ruajt Edi Ramen Urime urimeeee fitorja te fala nga Kosova