Temperaturat e larta dhe thatësia që ka përfshirë gjithë Europën, ka detyruar Bashkinë e Tiranës që të mbledhë grupin e Taks Forcës për të diskutuar për planin e masave për përballimin e kësaj situate emergjence në kryeqytet.
Ashtu si edhe në shumë qytete të tjera, të Italisë si Parma e Perugia, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shpalli gjendjen e emergjencës në kryeqytet deri në kapërcimin e situatës.
Në fjalën e mbajtur me grupin e Task Forcës, Veliaj deklaroi se Tirana gjendet në një situatë moti ekstrem ku temperaturat e larta priten të rriten akoma më shumë. Veliaj garantoi impenjim maksimal të të gjithë strukturave të Bashkisë për parandalimin e zjarreve dhe për furnizimin me ujë të pijshëm të popullsisë.
“Tirana është në gjendje emergjence dhe jemi në kontakt me qeverinë qendrore për të analizuar situatën në të gjithë prefekturën dhe për të marrë më pas një vendim në lidhje me shpalljen e gjendjes së emergjencës në të gjithë qarkun. Për disa zona periferike të Tiranës si Yzberisht, Pallatet pranë KMY dhe në përgjithësi pjesa perëndimore e qytetit problem ka qenë edhe më i ndjeshëm për shkak dhe të distancës më të madhe nga burimet”, tha Veliaj. Duke qenë se disa prej problematikave më të mëdha të humbjes së ujit ndodhen jashtë territorit të BT, Veliaj kërkoi bashkëpunim edhe Bashkive fqinje si ajo e Kamzës për t’iu bashkuar kësaj përpjekje kundër natyrës dhe për të qenë vigjilent në këtë situatë.
Veliaj tha se Bashkia ka marrë një sërë masash për furnizimin me ujë të kryeqytetit si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme dhe të shpërdorimit. “Bashkia Tiranë i është përgjigjur thirrjes së UKT për të angazhuar një task-forcë me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të UKT për identifikuar dhe për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme në rrjet si dhe për të ndaluar subjekte apo qytetarë të papërgjegjshëm që përdorin ujin e pijshëm për vaditje apo për aktivitete të tjera private si lavazhe”, tha Veliaj.
“Duke qenë se edhe Bovilla ka rënë në një nivel historik, në nivelet ku zakonisht bie në datën 28 gusht, jo në datën 28 qershor, edhe ftohtësia e ujit që vjen nga Bovilla është gjithashtu modeste, për mos të thënë minimale. Më rezulton nga statistikat e fundit që mora nga drejtori i Ujësjellësit, që edhe ndërhyrja që kemi pasur sot në Policinë e Shtetit, të cilën dua ta falënderoj jashtë mase, tashmë ka dhënë rezultatet e para në depo. Për herë të parë kemi një rritje të nivelit vetëm falë 150 ndërhyrjeve që kemi bërë sot në mëngjes. Tashmë ka dalë një urdhër i Kryetarit të Bashkisë për të gjitha këto porosi dhe për organizimin e këtij grupi të punës”, u shpreh ai.
Kryetari i Bashkisë u bëri thirrje qytetarëve që për çdo problem për furnizimin me ujë të pijshëm të telefonojnë në numrat e telefonit të UKT 08004488 ose të Bashkisë 08000888.
Gjithashtu, Bashkia Tiranë ka vënë në dispozicion të UKT të gjitha mjetet ujëmbajtëse të ndërmarrjeve dhe agjencive të varësisë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në zonat më problematike. Flotës së boteve të agjencive të Bashkisë u janë bashkuar edhe 10 mjete të ushtrisë që do të jenë në gatishmëri për t’u shërbyer qytetarëve.
“Në asnjë mënyrë të mos përdoret uji i pijshëm për vaditje apo përdorim të jashtëm. Nëse shihni dikë ta bëjë ju lutem raportoni. Do të monitorojmë shumë nga afër aktivitetin e lavazheve dhe të pishinave dhe do të konsiderojmë mbylljen e përkohshme të tyre nëse do të jetë e nevojshme”, tha Veliaj, ndërsa u bëri thirrje të gjitha bizneseve të kryeqytetit që për shkak të veprimtarisë së tyre kanë mjete ujëmbajtëse, të kontribuojnë bashkë me UKT për të ndihmuar familjet në nevojë.
Kryetari i Bashkisë sqaroi se investimet e bashkisë në punë publike si shatërvanët e sheshit “Skënderbej”, janë konceptuar për të minimizuar konsumin e ujit. Veliaj tha se ky sistem nuk ka asnjë lidhje me sistemin e furnizimit me ujë të qytetit të Tiranës
Kryetari i Bashkisë u ndal dhe tek masat që po merren për parandalimin e zjarreve. “Në këtë situatë thatësire ekstreme favorizohen zjarret sidomos në zonat pyjore që përveç dëmeve të pariparueshme, paraqesin rrezikshmëri të lartë për banorët përreth. Ndërmarrja jonë e Parqeve dhe stafi zjarrfikës janë në gatishmëri dhe mund të kontaktohen në çdo kohë nëpërmjet numrit të emergjencave 112 apo direkt të zjarrfikësve 128, por do të kërkonim gjithashtu një dore nga qytetaret”, tha Veliaj, ndërsa kërkoi që qytetarët të tregohen të kujdesshëm duke mos ndezur zjarre dhe të raportojnë menjëherë në rast të dyshimeve për zjarrvënie të dyshimtë.
Rekomandime
Evitoni daljet ne oret me te nxehta 11:00- 15:00
Konsumoni vazhdimisht lengje dhe vishuni me materiale te lehta
Ulni grilat dhe perdet dhe mbyllni dritaret gjate orëve te nxehta.
Mundohuni te ajrosni banesat ne mbremje dhe herët ne mengjes
Evitoni sa me shume aktivitetin fizik gjate oreve te mesdites
Kontrolloni fqinjet e moshuar
Tregoni kujdes për të sëmurët kronikë
Ndihmoni kalimtarët e moshuar qe kane veshtiresi ne lëvizje
Ne raste emergjencash, kontaktoni 112.