Në një kohë që UKT u bëri thirrje qytetarëve që të mos e shpërdorojnë ujin e pijshëm, por ta përdorin atë me kursim për sa kohë temperaturat janë rritur ndjeshëm dhe muajt e fundit nuk ka pasur reshje shiu, e njëjta situatë shfaqet edhe në Itali dhe në disa vende të tjera të Europës.
Thatësira në Itali duket se ka prekur nivele alarmante e duket se kjo gjendje shkon më tej, duke parë edhe krizën hidrike me të cilën po përballet i gjithë gadishulli. Pas kërkesës drejtuar qeverisë për shpalljen e gjendjes së emergjencës, gjendje e cila u bë edhe më kritike ditët e shkuara nga Emilia Toskana, Veneto dhe Sardenja, Këshilli i Ministrave ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në provincat e Parmës dhe Piaçencës.
Për t’i bërë ballë thatësirës nëpër fusha dhe për të garantuar ujë të pijshëm në të gjithë rajonin, u organizua një takim me përfaqësues të konsorciumit, shoqatat e agrikultorëve dhe menaxhues të shërbimit hidrik.
Kritike është gjendja edhe në Toskanë. Thatësira në Itali ka prekur kryesisht pellgun ujor dhe Alpet perëndimore, si edhe liqenin e Bracciano-s, në Lazio dhe Sardenjën, thotë në një deklaratë Ministria e Mjedisit. Në Italinë Qendrore, “situatë më problematike paraqitet sigurisht në Romë dhe komunat përreth, që lidhet kryesisht me situatën në liqenin e Bracciano-s, niveli i të cilit, në fund të majit ishte +5 cm mbi zero. Në Sardenjë, “viti i kaluar rezulton të ketë qenë viti më i thatë, nga vëzhgimet e kryera që nga viti 1922”.
Ndërkohë, kryebashkiakja e Romës Virginia Raggi ka lëshuar një urdhëresë e cila kufizon përdorimin e ujit për të ujitur kopshte e bahçe, mbushjen e pishinave, larjen e automjeteve. Urdhëresa do të jetë në fuqi deri në shtator, në të gjithë territorin e Romës kryeqytet. Kjo nismë lejon përdorimin e ujit të pijshëm për përdorim shtëpiak e sanitar, përfshirë edhe shërbimet publike që kanë të bëjnë me higjienën urbane. Strukturat përkatëse do të kryejnë kontrolle për të verifikuar respektimin e kësaj urdhërese.
Temperaturat e larta dhe mungesa e shirave kanë krijuar një situatë problematike në shumë vende të Europës, duke i detyruar qeveritë qendrore dhe ato vendore në këto vende që të marrin masa të forta për kursimin e ujit.
Edhe Britania e Madhe po përballet me ditët më të nxehta të qershorit në 176 vitet e fundit, ndërkohë që është përfshirë nga gjendja e emergjencës sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm. .
Affinity Water, që furnizon 3.6 milion shtëpi në Londër dhe në Qarqet Kryesore pranon se me mijëra shtëpi vuajnë nga kufizimet e ujit të pijshëm si pasojë e kërkesës së madhe për konsum dhe thatësirës që e ka përfshirë këtë kohë.
Sipas zyrtarëve britanikë, familjet e kanë rritur kërkesën për konsumim të ujit të pijshëm me 50 për qind më shumë sesa në kohën e pikut, ndërsa i kanë bërë thirrje qytetarëve që të ulin përdorimin e panevojshëm.
“Për shkak të motit jashtëzakonisht të nxehtë që po përjetojmë, kërkesa në rrjetin tonë është rritur ndjeshëm,” tha një zëdhënës i Affinity.
“Ne po u kërkojmë klientëve të na ndihmojnë duke përdorur ujë me mençuri, për të ulur kërkesën në rrjetin tonë. Kjo do të ndihmojë për të siguruar se ka ujë të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e domosdoshme, siç janë pirja, larja dhe gatimi “.
Parashikuesit e motit, parashikojnë se temperaturat në Solsticin e Verës mund të rivalizojnë ato të vendosura në qershor 1976, ku merkuri arriti në 96F (35.6C) në Southampton, temperatura më e lartë për muajin që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave në vitin 1841.
Zyra e “MET” lëshoi alarmin e dytë më të lartë për Anglinë, një paralajmërimi nivelit tre – vetëm një nivel pas atij të një emergjence kombëtare.
Edhe në Yorkshire është shpallur gjendja e emergjencës si pasojë e temperaturave të larta mbi mesataren e 100 viteve të fundit, ndërsa është rritur së tepërmi konsumimi i ujit të pijshëm. Për të përballuar situatën dramatike, zyrtarët më të lartë të Yorkshire u kanë kërkuar banorëve mirëkuptim për të kursyer përdorimin e ujit të pijshëm.
Të gjitha vendet e Europës, mes tyre edhe Itali, Irlanda etj, janë përfshirë nga vala e nxehtit ndërsa janë përballur me një krizë të furnizimit me ujë të pijshëm duke i detyruar autoritetet që të marrin masa ekstreme për përballimin e situatës.