Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit Plarent Ndreca publikon urdhërpagesat për pagat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të firmosura prej tij si nëpunësi autorizues i këtij dikasteri.
Këto dokumente nxjerrin zbuluar dhe blof ministren “teknike” të PD Karabina, e cila akuzon se nuk janë kaluar pagat për mësuesit dhe aparatin e Ministrisë.
Ndreca bën me dije se dhe pagat e të gjithë sistemit arsimor janë firmosur rregullisht nga drejtoritë arsimore rajonale dhe janë kaluar nga sistemi i thesarit të Ministrisë së Financave.
“Është e paimagjinueshme se si drejtuesja e ministrisë godet në mënyrë absurde institucionin e saj, duke dalë në konkluzione krejtësisht të pabazuara dhe që i përkasin një realiteti që nuk ekziston në Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit.
Pagat e të gjithë sistemit arsimor janë firmosur rregullisht nga drejtoritë arsimore rajonale dhe janë kaluar nga sistemi i thesarit të Ministrisë së Financave.
Njëkohësisht nga unë si nëpunës autorizues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit janë firmosur që para dy ditësh urdhër pagesat për pagat e aparatit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (Fotot e urdhër pagesës).
Pavarësisht pengesave, goditjeve të paligjshme dhe të padrejta që po i bëhen administratës publike në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit nga vetë Ministrja, administrata është në detyrë dhe në mbrojtje të ligjit dhe interesave të qytetarëve shqiptar”, reagon Ndreca në rrjetin social.