Scruton ‘vjen’ sërish nga UET-Press: Takimi im me Ngjelën

13 Korrik 2017, 14:17Sociale TEMA
Scruton ‘vjen’ sërish nga UET-Press: Takimi im me Ngjelën

Libri, i cili promovohet të premten, ora 13.00 në UET, titullohet “Nga Aristoteli te Filozofia Analitike” dhe trajton 31 tema të ndryshme sipas këndit të filozofisë analitike me parathënie të posaçme për botimin shqip nga Roger Scruton dhe hyrje introduktive nga Spartak Ngjela.

Librin e ka përkthyer dhe redaktuar avokat Spartak Ngjela, që njihet si një nga ithtarët e filozofisë anglo-saksone, i cili ka pasur dhe një takim me autorin.

Libri shoqërohet me një letër të posaçme për botimin shqip nga Scruton, ku ai shpreh impresionet e vizitës në Shqipëri dhe takimin me Ngjelën.

“Libri “Filozofia Moderne” i filozofit Roger Scruton është një risi në botën intelektuale shqiptare, e cila ndihet se, deri më sot, nuk është lagur fare nga racionalizmi. Filozofia ende mbetet një fushë e parrahur metodikisht nëpër shkollat shqiptare të të gjitha niveleve, por kjo kuptohet se ka sjellë në elitën e shkolluar shqiptare një vakuum në funksion të idesë. Libri që po i paraqitet lexuesit të kualifikuar shqiptar është një punim që argumenton nëpërmjet argumentave principalë, konceptet dhe çështjet kryesore të filozofisë moderne. Autori i paravendos këto çështje ashtu sikurse ato trajtohen në universitetet anglishtfolëse, dhe në 500 faqe na jep një strukturim të të gjithë filozofisë, ashtu siç ajo ka ecur, por e vështruar sipas optikës së filozofisë analitike. Ajo çka krijon rëndësinë parësore të këtij libri është trajtimi për herë të parë në gjuhën shqipe i filozofisë analitike, e cila aktualisht është filozofia dominante në vendet anglo-sanksone dhe ato nordike. Në funksion të kësaj, autori e trajton të gjithë lëndën e ngjeshur të filozofisë tradicionale, nën gjykimin analitik dhe të detajuar sipas kuptueshmërisë analitike”– shkruan ndër të tjera Ngjela në prezantimin e librit.

Filozofi Scruton ka qenë i ftuar në Universitetin Europian të Tiranës në vitin 2016 dhe ka marrë nga ky universitet titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e gjerë e të thellë në filozofi, në mendimin politik dhe në përkufizimin e disa prej sfidave më të mëdha të kohëve të sotme, si: demokracia, kombi, të drejtat, feja, morali, e mira e përbashkët.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë UET-Press botoi librin e tij më të famshëm “Si të jesh i djathtë”, përkthyer nga Fitim Zekthi, si një prezantim i parë i këtij filozofi me lexuesin shqiptar.

Libri që del në shtyp të premten “Nga Aristoteli te Filozofia Analitike” është preludi i vendimit që ka marrë Universiteti Europian i Tiranës për të hapur seksionin e filozofisë analitike brenda departamentit të shkencave humane në UET dhe ky libër do të jetë libër universal i detyruar për të gjithë studentët e UET në vitin parë, programi bazë, një përpjekje për të futur frymën analitike në krahasim me një traditë të përjetshme, që nga rilindja kombëtare, që është tradita humaniste apo racionalizmi kontinental.

Scruton cilësohet një nga filozofët më të mëdhenj gjallë dhe ka mbi 30 vepra të botuara, analiza politike e estetike, kompozitor i dy operave dhe autor i shumë punimeve mbi filozofinë, artin, etikën, moralin.  Ai njihet dhe vlerësohet ndërkombëtarisht si një prej mbrojtësve më të mëdhenj të mendimit konservator të së djathtës  dhe është profesor i Filozofisë në disa prej universiteteve më prestigjioze të botës, përfshirë këtu, Oxfordin, Cambridge.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje