Ndodhem me pushime në Itali. Rastësia në jetë është “mbret” i shumëkaje. Të tillë e konsideroj edhe takimin me trajnerin e mirënjohur italian, kampion bote me Italinë në vitin 2006, Marcelo Lippi. Nuk do ta besoni, por erdhi drejt lokalit ku po pija sot kafen e mëngjesit me biçikletë, krejt i thjeshtë, a thua se bëhej fjalë për një njeri dosido. Gjithçka ndodhi në Lungomaren e Viareggios, aty ku e ka shtëpinë ish-trajneri i Juventusit, aktualisht në stolin e kombëtares së Kinës.
Kishte kaluar disa ditë pushimesh pranë familjes së tij dhe sot do të nisej drejt vendit të madh aziatik, ku është i punësuar. Më la përshtypje të madhe thjeshtësia e tij, aq sa nuk pranoi t’i paguante kafen pronari i lokalit, por pagoi vetë.
Një fotografi me të dhe disa pyetje të atypëratyshme nga “Telesport.al”, karshi të cilave u përgjigj krejt i shpenguar, ishin “dhurata” më e madhe që munda të marr prej tij, nga një takim krejt i rastësishëm, por fatlum. Fillimisht i thashë që jam gazetar sportiv nga Shqipëria, ndërsa ai më ktheu pa hezitim fjalinë e parë: “Aha, patriot i Igli Tares”. E meqë përmendi ish-kapitenin tonë kuqezi, një vlerësim profesional për të nuk mungoi nga Marcelo Lippi: “Tare ka qenë një futbollist normal, por e ka treguar veten te Lazio se është një drejtues i madh”.
Mbante mend dhe e njihte si shqiptar edhe Erjon Bogdanin, për të cilin nënvizoi se“duhej te kishte ardhur 5 vite më parë në Itali, që të kishte dhënë më shumë si sulmues efikas në skuadrat ku ka luajtur.”Elseid Hysajn, shqiptarin tonë që luan aktualisht në Seria A, me Napolin, e konsideroi me një fjalë: kryetalent. Fjalë të mëdha për Xhani De Biazin, ish-trajnerin kuqezi, që me Shqipërinë bëri histori, duke u kualifikuar në “Euro 2016”: “Puna e tij flet vetë. Duke pasur parasysh se Shqipëria nuk ka një kombëtare të rangut të parë, kualifikimi për në Kampionatin Europian ishte historik dhe do të mbetet i tillë. Edhe De Biazi do të ngelet në historinë e kombëtares tuaj. Puna e madhe e këmbëngulëse, por edhe fati, ishin determinues në suksesin e tij me Shqipërinë. De Biazi i dha profesionalizëm kombëtares shqiptare.”Në këtë moment ndërhyra unë, duke dashur të mos lëmë në errësirë punën e ndihmësit, Paolo Tramezzani. Lippi u përgjigj: “Tramezzanin e njoh më shumë në rolin e analistit sportiv. Ai është një analist mjaft i mirë për futbollin. Këtu duket se e njeh mirë futbollin dhe ka vlera. Por, i dyti mbetet i dytë dhe meritat kryesore shkojnë për trajnerin e parë në futboll.”
Futbolli shqiptar ka pasur prurje të reja e të freskëta nga Italia. Marcelo Lippi ishte i informuar se vendin e De Biazit në kombëtaren kuqezi e ka marrë Cristiano Panucci, ndërsa një ish-lojtar i tij te Juventusi, Mark Iuliano, është bërë së fundi trajner i Partizanit. Të dy i konsideroi “ambiciozë në fushat e blerta, që bëjnë gjithçka për suksesin. Luftarakë si futbollistë dhe mjaft kërkues në rolin e trajnerit. Personalisht mendoj se Juliano do të ketë më tepër sukses se Panucci në rolin e drejtuesit teknik. Panucci do të ketë problemin e përballjes me suksesin e De Biazit, kjo do t’ia vështirësojë gjërat. Pas kualifikimit në Europianin e Francës, që u mbajt vitin e kaluar, të gjithë faktorët në Shqipëri thonë se kemi skuadër të madhe, ndaj edhe pritshmëritë janë të tilla.” Në fund e ngacmova alla shqiptarçe edhe për detyrën që mban aktualisht në Kinë, duke i thënë “shumë para”. Qeshi, tundi kokën dhe tha: “Vendi atje kërkon që edhe sporti i futbollit të arrijë nivelet e ekonomisë”.
Nga Viareggio, XHEVDET ZEKAJ/ Telesport
Lippi nga nje ane mund te kete te drejte kur thote se Panucci mund te vuaj suksesin e De Biazit sepse Dr Biazi kishte entuziazmin e shqiptareve si motorr qe e shtyente ekipin perpara. Panucci, pa entuziazmin e shqiptareve do ta kete shum te veshtire te kualifikoje Shqiprine per ne Euro 2020 dhe si pasoje mund te vuaj suksesin e De Biazit.
Me keto fjale Lippi po mundohet te thote se shqipria arriti shum ne Euro 2016 dhe jemi te lodhur sepse harxhuam shum energji dhe tani shqiptaret apo tifozat presin qe kombtarja te kualifikohet pa entuziazmin e madh te popullin. Ketu me vjen ndermend cfare tha traineri I Kroacise kur Kroacia arriti ne katershen me te mire ne kupen e botes ne 1998 qe tha se ka pas kesaj arritje ka nevoje per 2 vjet pushime.
Prandaj shqiptaret duhet ta gjejne energjine ne nje menyre apo tjeter sepse pa te do jete shum I veshtire kualifikimi. Panucci mund te jete si nje test (provim) per shqiptaret qe nqs kualifikohemi perseri per here te dyte rradhasi edhe pse me nje trainer pa eksperience te madhe, athere ne do besojme me te vertete se jo vetem hera e pare nuk ishte rastesi por qe tanime kemi krijuar nje ekip qe mund ti beje balle cdo lloj ekipi tjeter.
Sa per lulianon eshte me se thjeshte se ai mund te behet me i suksesshem se Panucci sepse Panucci do ndeshet me trainere europiane kurse Luliano me trainere shqiptare.