Kanë kaluar pothuajse 48 orë nga kërkesa e Ramës për dorëheqjen e drejtorëve të spitaleve, por këta të fundit akoma vijojnë punën. Shumica e tyre mbeten në detyrë me pretendimin se nuk mund të braktisin detyrën kur fluksi i pacientëve në këto ditë të nxehta dhe turizmi është i lartë.
Drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës, Përparim Çela, ai i Lezhës, Pashko Smaçi, ajo e Durrësit, Viola Cikalleshi, e cila është e komanduar, kanë vijuar dje punën dhe nuk kanë paraqitur dorëheqje.
Gjithashtu në detyrë kanë qenë dje edhe drejtori i spitalit rajonal të Fierit, Andrea Dollaku, për të cilin është thënë se pritet që ta japë sot atë. Në detyrë mbetet edhe drejtoresha e spitalit të Lushnjës, Panore Veliu, por dhe drejtori i spitalit të Gjirokastrës, Përparim Muço.
Vetëm drejtori i spitalit të Dibrës, Beqir Biçi, i cili është edhe kryetar i LSI-së në këtë qytet tha se është i gatshëm të japë dorëheqjen.
Edhe drejtori i spitalit të Beratit, Arqile Vasili, i cili është i komanduar, nuk ka dhënë dorëheqjen, ndërsa ka qenë mjek roje gjatë gjithë natës në këtë spital. Kryeministri Rama u kërkoi dorëheqjen drejtorëve të spitaleve duke i akuzuar ata për keqmenaxhim të tyre, duke evidentuar papastërtinë në spitale, por mesa duket kërkesa e tij nuk po zbatohet.