Elseid Hysaj lojtari më i çmuar i Shqipërisë, vlen sa 30 % e Kombëtares

2 Gusht 2017, 18:31Sport TEMA

“Transfermarket.de”, autoriteti më i besuar në botën e futbollit sa i përket vlerësimit të kartonit të futbollistëve, çmon se mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Elseid Hysaj, jo vetëm është lojtari më i shtrenjtë i përfaqësueses së Shqipërisë, por njëkohësisht ai vlen sa një e treta e të gjithë ekipit.

Kombëtarja Shqiptare vlerësohet në 60 milionë euro në total, një shumë kjo modeste krahasuar me përfaqësueset e vendeve të mëdha e të zhvilluara, madje edhe me përfaqësueset e vendeve të vogla në Europën Perëndimore, por është fakt se vlera e Kombëtares është rritur pas pjesëmarrjes në “Francë-2016”, duke shkuar nga 20 milionë euro në vitin 2012 në 60 milionë euro në vitin 2017.

Shkodrani Hysaj bën diferencë, sepse ka një vlerë të kartonit afro 20 milionë euro, aq sa vlente Kombëtarja jonë 4-5 vite më parë. Mbrojtësi kuqezi është, gjithashtu, një nga lojtarët bazë të formacionit të Napolit në Serie A dhe gjatë kësaj vere mori interesimin e klubeve më të mëdha të planetit, si Bajerni i Mynihut, Barcelona, Mançester Junajtid apo dhe Juventusi.

Por Napoli ka vendosur klauzolë lirimi për Hysajn në vlerën e 50 milionë eurove, praktikisht të pashitshëm për këtë sezon. Kjo e bën shkodranin e Kombëtares kuqezi një futbollist të nivelit më të lartë dhe një krenari të futbollit shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje