CIA: Ja si ndodhi sulmi ndaj Ambasadës sovjetike më 1951 në Tiranë. Çdo ministri kishte nga 2 këshilltarë rusë, Mehmet Shehu nuk pranoi portretin e Titos

7 Gusht 2017, 10:30Dossier TEMA

CIA ka nxjerr në dritë të tjera detaje sa i takon situatës politike në Shqipërinë komuniste. Në dy dokumente të deklasifikuara për vitet 1951 dhe 1955 tregohet mbi ndikimin rus në vendin tonë. Në njërin prej dokumenteve flitet mbi sulmin në ambasadën ruse në vitin 1951 teksa tregohet se u arrestuan mbi 200 persona. Por disa vite më vonë tregohet se si Moska arriti të ketë ndikim shumë të madh në vendin tonë. Sipas dokumentit, 2-3 këshilltarë rusë ishin në çdo ministri, ndërsa tregohet e Mehemet Shehu nuk pranoi të mbante në zyrë po banesë asnjë portret të Titos, por mbështeste Stalinin.

Situata në Shqipëri, aktivitetet e rezistencës

Mars 1951

Një bombë e shpërthyer në legatën ruse në Tiranë më 19 shkurt, ka risjellë në vëmendje aktivitetet anti-komuniste në Shqipëri. Shpërthimi shkaktoi dëme dhe plagosi disa persona, dhe si rezultat raportohet se janë arrestuar rreth dyqind njerëz. Incidenti është konsideruar serioz, dhe si një manifestim armiqësie ndaj Bashkimit Sovjetik dhe ndaj regjimit të Hoxhës. Raportimet për rezistencë brenda Shqipërisë na kanë ardhur prej disa kohësh dhe prej vjeshtës së shkuar ka pasur fluturime të rregullta klandestine mbi vendin. Aktiviteti i rezistencës është përqendruar në incidente të vogla e të pakoordinuara, shumë më pak dramatike se bomba në ambasadën sovjetike, ndërsa fluturimet janë fokusuar në lëshimin e broshurave të propagandës që sulmojnë regjimin e Hoxhës.

Megjithëse situata nuk duket se është kritike për nga këndvështrimi i stabilitetit të regjimit, ajo ka sjellë shqetësim për liderët shqiptarë, aq sa për të ndërmarrë masa të ashpra represive sigurie. Regjimi me propagandën e tij ka bërë thirrje për ndjekjen e “armiqve të popullit” dhe luftën kundër qëllimeve “agresive” të Greqisë e Jugosllavisë, duke u bërë apel ndjenjave patriotike dhe urrejtjeve të vjetra të shqiptarëve. Forcat e sigurisë në veri të vendit u përforcuan vitin e kaluar dhe më 26 shkurt 1951 u lëshua një dekret ku kërkohej që të gjitha organizatat terroriste kundër regjimit të shpërndaheshin brenda 10 ditësh, dhe në rast të kundërt masat do të ishin të ashpra kundër shkelësve. Prej vjeshtës 1950 klima politike në vend ka ndryshuar me shpejtësi, teksa zyrtarët shqiptarë po u lënë kontrollin specialistëve sovjetikë, numri i të cilëve po rritet çdo ditë. Qeveria shqiptare ka kaluar shumë ligje të frymëzuara nga ato sovjetike, për organizimin e bujqësisë dhe industrisë, dhe gjithashtu ka pasur zhvendosje të ministrave të kabinetit. Për më tepër, plenumi i 9-të i Komitetit Qendror i mbajtur në Tiranë u fokusua në forcimin e organizatave komuniste dhe mobilizimit në favor të progresit ekonomik dhe politik të regjimit.

Aktiviteti sovjetik në Shqipëri

Aktiviteti sovjetik në Shqipëri fokusohet në konsolidimin e kontrollit të vendit. Një zyrtar i ushtrisë jugosllave tha kohët e fundit se besonte se në Shqipëri nuk ka trupa sovjetike, por teknikë dhe specialistë të shumtë në ndërmarrjet ushtarake dhe civile. Në lidhje me situatën e nëndetëseve dhe ndërtimin e bazës në ishullin e Sazanit, qeveria jugosllave kishte informacione pozitive se nuk kishte ndërtime të reja në ishull apo në gjirin e Vlorës, por shqiptarët dhe rusët po rikonstruktonin pozicionet mbrojtëse të Luftës së Dytë Botërore. Të paktën për momentin, propaganda komuniste për kërcënimin greko-jugosllav për Shqipërinë ka si qëllim të justifikojë marrjen e kontrollit të vendit nga sovjetikët. Por propaganda aktuale mund të zgjerohet duke përfshirë dhe justifikimet për sulme të mundshme të sovjetikëve apo satelitëve të tyre ndaj Jugosllavisë, si një formë asistence për Shqipërinë, ose si rezistencë ndaj “agresionit”.

Janar 1955

Instruktorët dhe këshilltarët sovjetikë në Shqipëri janë të atashuar me 11 ministritë ose me ndërmarrjet industriale. Deri në dy ose tre këshilltarë i caktohen zyrës së një ministri të qeverisë ose të zëvendës-ministrave. Në ministrinë e Mbrojtjes, çdo drejtori ka konsulentët sovjetikë dhe nganjëherë dhe nëndegët e tyre. Si rregull i përgjithshëm, ata operojnë vetëm me nivelet e larta të drejtimit, por prapa skenave janë bërë komente mbi paaftësinë e këshilltarëve sovjetikë, ndërsa parimisht ata kanë të drejtë për gjithçka që thonë apo bëjnë. Tetë zyrtarë të qeverisë shqiptare, teknicienë dhe zyrtarë të ushtrisë, po dërgohen në Bashkimin Sovjetik për trajnim. Organizmi i lëvizjes bëhet me anë të ambasadës sovjetike. Konsulentët sovjetikë nuk përzihen me popullsinë shqiptare.

Ata frekuentojnë klubet dhe restorantet e tyre dhe nuk raportohet të vizitojnë shtëpitë e shqiptarëve, apo të bëhen bashkë me familjet shqiptare. Klubi kryesor sovjetik gjendet në ndërtesën e vjetër të parlamentit, ku ata mbajnë takimet e partisë. Në kombinatin tekstil Stalin, sovjetikët kanë mensën e tyre të veçantë ku shërbehet ushqim i veçantë. Emrat e tyre nuk bëhen publikë dhe nuk njihen përveçse nga krerët e partisë që punojnë me ta. Që prej vitit 1948 Shqipëria është kompletuar me politika dhe zbatimi i tyre i atribuohet tërësisht Moskës. Shumë oficerë të vjetër të Sigurimit dhe të ushtrisë kanë bërë kurse trajnimi në Bashkimin Sovjetik. Ish-ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, duket se është duke kompletuar një proces sipas të cilit mbështetësit e fortë të Moskës fitojnë supremaci dhe në qeverinë shqiptare. Shehu kaloi ca kohë në Bashkimin Sovjetik. Ai nuk ka pasur kurrë portretin e Titos në shtëpi edhe para 1948-ës, dhe fëmijëve të tij u është mësuar të lavdërojnë Stalinin. Një element i veçantë në festimet e përvitshme të muajit të miqësisë ruso-shqiptare është marrja e premtimeve nga punëtorët për shtimin e normave të punës. Pas hartimit të planit nga komiteti vendor i partisë, ata thërrasin takimin ku anëtarët e partisë zotohen publikisht të zgjasin normat e prodhimit dhe deklarojnë se vetëm ata që urrejnë regjimin komunist dhe Bashkimin Sovjetik refuzojnë të bashkohen në zotimin për zgjatjen e normave të punës dhe prodhimit. Është e pamundur që punëtorët të mos bashkohen të gjithë në iniciativën e propozuar pasi kjo do të konsiderohej si e dënueshme nga qeveria dhe Bashkimi Sovjetik. Ata rezistojnë të dënohen dhe ndoshta të arrestohen. Zyrtarët shqiptarë që vizitojnë Bashkimin Sovjetik bëjnë një turne impresionues inspektimi. Pilo Peristeri, kreu  sindikatave të punëtorëve, u prit më madhështi në Bashkimin Sovjetik dhe vizitoi zyrat e homologëve të sindikatave, duke fituar eksperiencë të vlefshme gjatë vëzhgimit të metodave ruse, e cila u shoqërua me propagandë të gjerë në Shqipëri. Ky turne kishte si qëllim që rusët të shisnin te shqiptarët modelin e tyre të sindikatave, pasi iniciativa nuk vinte nga qeveria shqiptare.

Mungesa e mallrave të konsumit

Shumë propagandë po bëhet për mbështetjen sovjetike, por njerëzit nuk po shikojnë përfitime. Sistemi i racioniit të ushqimit është i paefektshëm dhe njerëzit zgjohen herët në mëngjes për të blerë një copë të vogë mish. Kur familjet ulen në tryezë për darkë, biseda kryesore është kujtimi i ditëve të shkuara kur ushqimi ishte  lirë dhe i bollshëm.

Një anëtar partie i tha vëllait të tij jo-komunist gjtë darkës se po shkonte te farmacia për një ilaç. Kur u pye se çfarë ilaçi, ai u përgjigj: “Diçka që të më ndalojë oreksin”, ndërsa më tej shtoi se sikur instruktorët sovjetikë t’u jepnin shqiptarëve vetëm një lugë nga ato që hanin, shqiptarët do të kishin mjaftueshëm ushqim. Njerëzit kanë marrë shpërblim të vogël për punën e tyre të madhe.

Ata e shikojnë prodhimin që del jashtë vendit, duke shkuar drejt vendeve të bllokut sovjetik. Produktet e kombinatit tekstil Stalin shkojnë fillimisht për ushtrinë dhe më pas për eksportin, ndërsa për popullin shkon shumë pak. Me shumë propagandë është promovuar fabrika e re e sheqerit në Maliq, teksa në fjalimet e zyrtarëve premtohej se sheqeri do të jetë i bollshëm dhe i lirë. Por në fakt për popullin jepet vetëm një pjesë e vogël e prodhimit me racione dhe pjesa më e madhe eksportohet. Mallra që më parë ishin me bollëk si djathi, lëkurat, portokallet, ullinjtë dhe vaji i ullirit tashmë eksportohen dhe për popullin vjen vetëm një pjesë shumë e vogël. Prodhimet e minisrave si bakri, kromi dhe nafta, të cilat duhet ë ndihmoni ekonominë kombëtare, edhe tani që minierat po shfrytëzohen me kapacitet të plotë, shkojnë të gjitha për eksport.

1 komente në “CIA: Ja si ndodhi sulmi ndaj Ambasadës sovjetike më 1951 në Tiranë. Çdo ministri kishte nga 2 këshilltarë rusë, Mehmet Shehu nuk pranoi portretin e Titos”

  1. rudi says:

    Ku ishte e verteta mbi bomben ……se ne kete shkrim pervec disa thashethemeve …..ska asgje …dobet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje