Hysaj, Ahmedi, dhe Besnik Hasi kualifikohen në fazën e grupeve të "Champions League"

22 Gusht 2017, 23:50Sport TEMA

Faza në grupe e Ligës së Kampioneve do të ketë si protagonistë Elseid Hysajn dhe Valon Ahmedin, skuadrat e të cilëve janë kualifikuar sot pas ndeshjeve të kthimit të play-off të turneut.

Napoli mundi me rezultatin 2-0 Nicën në fushën e kësaj të fundit, duke u treguar dominuese ndaj emrave si Baloteli dhe Shnajder të skuadrës franceze. Mbrojtësi shqiptar luajti gjatë të gjithë takimit.

Ndërkohë, Ahmedi u kualifikua me Mariborin, duke kaluar izraelitët e Hapoel Ber Shevës. Goli i Viler në fillimin e ndeshjes mjaftoi që skuadra e mesfushorit shqiptar të arrinte në futbollin e rëndësishëm europian falë rregullit të golit jashtë fushe.

Ndërkohë, Besnik Hasi çoi Olimpiakosin në grupet e Ligës së Kampioneve, ashtu siç kishte premtuar kur mori drejtimin e skuadrës greke. Pasi eliminoi kampionin e Serbisë, skuadra e tij eliminoi edhe atë të Kroacisë, duke arritur të mundte Rijekën edhe në fushën e vet në ndeshjen e kthimit me golin e gjermanit Marko Marin.

Edhe Istanbul Bashakshehir i Sokol Cikalleshit iu afrua shumë mrekullisë përballë Seviljes. Pas humbjes 2-1 në shtëpi, ekipi turk barazoi 2-2 në Spanjë dhe nëse do të kishte gjetur edhe një herë rrjetën mund të kishte shkuar në grupet e turneut. Cikalleshit nuk iu dha mundësia të jepte kontributin e tij pasi ishte lënë në tribunë nga trajneri Avci.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje