INVESTIGIMI: Fondi i Sigurimeve vazhdon biznesin me kompaninë farmaceutike të dënuar për mashtrim

24 Gusht 2017, 18:11Sociale TEMA

Pronari i Omega Pharma Group-kompania e ndaluar me vendim të Gjykatës së Tiranës që të tregtojë ilaçe të rimbursueshme për 3 vjet, ia ka dalë që të aktivizojë një kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vetëm pak muaj pas dënimit, pasi e transferoi kompaninë nën ombrellën e një marke të re.

Nga Lindita Çela

“Omega Pharma Group”-kompania farmaceutike e dënuar nga Gjykata e Tiranës për mashtrim me skemën e ilaçeve të rimbursueshme i ka shpëtuar “listës së zezë” të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH dhe i është rikthyer biznesit me të, falë transformimit në një markë të re.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ish-pronari i Omega Pharma Group, Fatos Çausholli ka aktivizuar një  kontratë me Fondin në vitin 2017 në cilësinë e administratorit të një kompanie të re të quajtur “CFO Pharma”-ndonëse zotëron si kapitalet ashtu edhe detyrimet e kompanisë së dënuar.

Çausholli mori administrimin dhe pronësinë e “Omega Pharma” pasi i biri, Nadir Çausholli u shpall fajtor dhe u dënua me 2.6 vjet burg të pezulluara me kusht për veprat penale të falsifikimit dhe mashtrimit me tregtinë e ilaçeve të rimbursueshme-aktivitet që sipas vendimit të Gjykatës ishte kryer në dëm të FSDKSH.

Në vendimin e korrikut 2016, Gjykata e Tiranës dënoi edhe kompaninë “Omega Pharma”, duke i hequr asaj të drejtën e tregtisë së barnave të rimbursueshme dhe të lidhjes së kontratës me FDSKSH për 3 vjet.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk e ka penguar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që t’i japë të drejtën e tregtisë së ilaçeve të rimbursueshme Çaushollit për vitin 2017-përmes kompanisë së re “CFO Pharma”.

BIRN i drejtoi Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor një kërkesë për koment mbi kriteret e zbatuara për lidhjen e kontratës me CFO Pharma të Çaushollit, e cila trashëgon kapitalet dhe detyrimet e “Omega Pharma Group”. Ndonëse premtuan se do të kryenin verifikime, zyrtarët e Fondit nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN deri në botimin e këtij shkrimi.

BIRN i telefonoi gjithashtu numrit të shënuar në emrin e Fatos Çaushollit në databasen e FSDKSH- në të cilin u përgjigj djali i tij, Nadir Çausholli.

Çausholli-i cili ndodhet në proces në Gjykatën e Apelit të Tiranës pasi ka kundërshtuar vendimin e dënimit të shkallës së parë, i tha BIRN se akuza e ngritur kundër tij ishte “një sulm i stisur” dhe sqaroi se kontrata e firmosur me Fondin nuk i përket Omega Pharmës, por një kompanie tjetër farmaceutike, të quajtur AERD Pharma.

“Në dhjetor [2016] Fondit i janë dërguar dokumentet që ka ndryshuar emri dhe pronësia e kompanisë AERD Pharma si dhe dokumentet përkatëse, që tregojnë se as kompania dhe as pronari Fatos Çausholli nuk janë në ndjekje penale,” sqaroi Nadir Çausholli.

Dokumentet e siguruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve tregojnë se kompania farmaceutike AERD Pharma u ble në 100 për qind të aksioneve nga Fatos Çausholli më 17 tetor 2016-vetëm tre muaj pas vendimit të Gjykatës. Kontrata e blerjes mban vlerën e 18 milionë lekëve.

Me të blerë kompaninë-e cila kishte një kontratë aktive me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm-Çausholli i ndryshon asaj emrin në “CFO Pharma”.

Marrëveshja e përthithjes së kompanisë Omega Pharma Group nga kompania CFO Pharma.

Më 3 dhjetor 2016, CFO Pharma bëhet pronare e aksioneve dhe kapitaleve të “Omega Pharma Group” përmes një akti përthithjeje. Kapitalet e “Omega Pharma Group”, të cilat llogariten në 915 milionë lekë në momentin e transaksionit, i kalojnë “CFO Pharma”.

Marrëveshja e përthitjes-një kopje e të cilës disponohet nga BIRN thekson se “të drejtat dhe detyrimet e Omega Pharma Group i kalojnë kompanisë CFO Pharma”.

“Në përfundim të këtij procesi, Omega Pharma Group” do të prishet pa likujdim, duke kaluar plotësisht trashëgiminë e saj ekonomike, financiare dhe ligjore tek kompania përfituese. Shoqëria CFO Pharma nuk merr përsipër gjoba dhe penalitete të cilat i vihen Omega Pharma Group pas këtij bashkimi,” shkruhet në marrëveshje.

Në tetor 2015, kompania “Omega Pharma Group” dhe ish-pronari i saj, Nadir Çausholli u kallëzuan nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor pasi ishte konstatuar një rritje e pazakontë e konsumimit të barit “Ketosteril”-një ilaç i rimbursueshëm.

FSDKSH-e cila administron skemën e sigurimeve shërndetësore dhe financon paketat e shërbimit mjekësor dhe barnave të rimbursueshme për popullatën, kishte identifikuar depon farmaceutike “Omega Pharma” si furnitoren e këtij bari.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se Çausholli dhe “Omega Pharma Group” kishin krijuar fatura fiktive blerjeje të këtij ilaçi, me qëllimin për të justifikuar faturat e shumta të shitjes ndaj farmacive të caktuara.

Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës argumentoi se Çausholli dhe kompania e tij i kishin ndihmuar këto farmaci në aktivitetin e tyre mashtrues ndaj FSDKSH përmes falsifikimit të recetave mjekësore, duke përfituar më pas shuma të konsiderueshme nga buxheti i tij.

Avokati i Çaushollit dhe i kompanisë Omega Pharma, Petrit Ismaili i tha BIRN se akuzat e ngritura nga Prokuroria nuk qëndrojnë dhe se për këtë arsye ata kanë apeluar vendimin e Gjykatës së shkallës së parë.

“Deri sa të ketë një vendim të formës së prerë, kompania dhe pronarët e saj janë të pafajshëm,”tha avokati Ismaili për BIRN.

Çausholli dhe “Omega Pharma Group” nuk ishin të vetmit e hetuar për skemën e mashtrimit me ilaçet e rimbursueshme, që sipas Prokurorisë i shkaktuan FSDKSH një dëm prej 2.2 milionë eurosh. Një rrjet farmacish fantazmë dhe zyrtarë të FSDKSH u përfshinë gjithashtu në hetime dhe u akuzuan për veprat e mashtrimit apo të shpërdorimit të detyrës.

Për të shmangur problematika të ngjashme, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili ka ndërruar disa drejtorë që prej zbulimit të skandalit, deklaroi se ka shtrënguar kriteret për lidhjen e kontratave me importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë.

Në listën e dokumenteve, të publikuar në faqen zyrtare kërkohen vërtetime nga Prokuroria dhe nga gjykatat, të cilat tregojnë se kompanitë, administratorët apo ortakët e tyre nuk janë në hetim apo në procese gjyqësore me Fondin.

Megjithatë, kriteret zyrtare nuk e kanë penguar FSDKSH që të përfshijë mes klientëve aktualë të saj edhe kompaninë që trashëgoi kapitalet e Omega Pharma-të cilën e kallëzoi në Prokurori vetëm dy vite më parë.

6 komente në “INVESTIGIMI: Fondi i Sigurimeve vazhdon biznesin me kompaninë farmaceutike të dënuar për mashtrim”

  1. Sokoli says:

    Hajdutet dolen nga burgu dhe ne vend te denimit te tyre u penalizuan drejtore te pafajshem te Fondit. U bene milionera me rimbursimet qe i moren shtetit pa shpenzu as edhe nje qindarke ca qurraxhinj (djemte e Thereskes, Strakoshes – kryehajduteve te QSUT, qe vazhdojne vjedhjet ke koncesionin e dijalizes me Klodin e spitalit amerikan) dhe u shpallen te pafajshem nga gjykata. nga gjyqtaret e paguar prej tyre per ti liruar te filloje vetingu.

  2. Anna says:

    Sapo grricet pak koren. Investigoni pak çfare ndodhi me insulinat po ne kete pieriudhen e ketosterilit., pse nuk u perfshi ne investigim,auditim dhe hetim. Merrni ne konsiderate barin Madopar, kush e importon dhe kush e tregton sot?

  3. Argita_B says:

    Babai i blen te birit per 18 milion leke nje kompani, qe me pas i ndryshon emrin, e cila pethith nje tjeter kompani qe ka kapital 915 mion leke!!!
    E thene ndryshe, njerez te denuar per mashtrim, vjedhje te parave te shqiptareve, sot vazhdojne babe e bir evazion te hapur fiskal, pasi babai sot me 18 milion lke blen nje kompani qe sot ka te palten kapital 915 milion leke, keto behen hapur, dhe qeveria e kalbur e Edushit qe do na bente mjeksine falas na kikeron per sukseset e saja neper mediat qe zoteron!!
    O Edi Rama, o legen, ose ke bythe dhe na prezantoheesh si Enver Hoxha ne kohe te vet qe u mbushin mendjen dynjose qe çdo gje qe egzistonte ne Shqiperi ishte pune e tija, ose ik e rri ne zyre, futju punes se na je bo si “intermittent de spectacle”.
    Ne nje qeveri normale, ne nje shtet normal per keto tema interlokutore jane ne rang drejtoresh, te ne shkon deri te presidenti.

  4. mirel says:

    Seria e gallates me paret e shqiptareve.
    Rrofte Rilindja

  5. Aleksander says:

    Lindita Cela jam kolegu jot por eshte e turpshme qe per 5.000 euro qe te dha Merita e Rejsi Farma te mashtrosh me lajme.
    Pse jep informacion jo te sakte. A shitet gazetari per 5.000 euro???
    Edhe komentin vetem miqte e tu ti kane bere dhe ato qe paguan per lajmin

  6. une says:

    Mos na beni si njerez shenjtor ju qe shkruani me siper kur e dini shum mire qe per ca leke me shume familjaret tuaj shkonin e luteshin tek farmacia per te mos i marrr ilacet?
    Bab e bir skan marr kokeer leku, leket i kan marr Farmacitee gjithe shqiperise o njerez. rimbursimi ng shteti i shkon farmacise jo kompanise. por po te mos jeni njerez te farmaceutikes, nuk do arrini kurre ta kuptoni. do ju bejne ca palo gazetar te kuptoni ate qe duan ata.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje