Veliaj: Drejtorët të mos bëjnë regjistrime mbi kapacitetin, hapim tre shkolla të reja në shtator

29 Gusht 2017, 11:58Sociale TEMA

Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që do të ndjekin arsimin nëntëvjeçar dhe atë të mesëm në shkollat e Tiranës për vitin e ri shkollor që nis në 11 shtator do të regjistrohen në shkollat më të afërta me banesën e tyre, ndërsa drejtorët nuk do të lejohen që të bëjnë regjistrime mbi kapacitetin e tyre. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimor Rajonale të Tiranës kanë marrë të gjitha masat që të krijojnë kushtet infrastrukturore të denja dhe të bëjnë një shpërndarje të mësuesve më të mirë në mënyrë proporcionale në të gjitha shkollat e Tiranës duke siguruar kështu një standard mësimdhënie të barabartë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shkollave të Tiranës, ku theksoi se tashmë me ndërhyrjet infrastrukturore që janë bërë, shkollat e reja që po hapen dhe shpërndarjen më të mirë të mësuesve nuk ka më asnjë arsye që nxënësit të synojnë të regjistrohen vetëm në shkollat që për shkak të traditës janë më të preferuara.

 “Unë besoj që nëse ne çojmë infrastrukturën dhe mësuesit e duhur nuk ka asnjë arsye pse një nxënës nga Shëngjergji të marrë përditë fugonin, të jetë një kosto shtesë për familjen, kosto shtesë në trafik, në kohë. Ne shqiptarët kohën e konsiderojmë një gjë që nuk kushton, koha kushton, ka vlerë, ne s’mund ta shpërdorojmë në trafik dhe duke ofruar këtë infrastrukturë atëherë bëjmë shumë më shumë familje të mendojnë që për sa kohë që takova mësuesin e fizkulturës tek ato terrene, vinte përditë nga Tirana. Nuk ka nevojë të vijnë nxënësit këtu, çojmë një mësues të mirë atje dhe Bashkia bën terrenet e mira dhe infrastrukturën që secili ta ketë shkollën në komunitetin e vet, mundësisht në një distancë që mund të bëhet në këmbë edhe nga nxënësit”, tha Veliaj.

 Kryetari i Bashkisë theksoi se është e nevojshme që të marrë fund praktika e regjistrimit të nxënësve në shkolla për hatër apo për miqësi duke sjellë në të mbingarkesë. Kjo sipas tij sjellë ulje të cilësisë në mësimdhënie. “Mund të ketë drejtoresha ose drejtorë të cilët thonë, e kreva regjistrimin për 100 veta, por kësaj nuk do t’ia prish se e ka me merak këtë punë dhe do t’ia regjistroj edhe këtë çunin, 101 vetë. E di çfarë, nuk ke ndihmuar një njëri, e ke prishur për 100 të tjerë përfshirë dhe njeriun të cilin mendon se e ke ndihmuar i cili pasi të ulet me tre veta në bankë dhe ta bëjmë mësimin pasdite jo vetëm që nuk e ke ndihmuar por i ke prishur ndjeshëm cilësinë e arsimi, sigurisht edhe cilësinë e jetës së një familje. Dhe në qoftë se jeni në këto zona ju lutem duhet ta ndalojmë këtë praktikë. Nëse regjistrimet e kuotave tuaja janë mbyllur atëherë shkolla është ngjitur. Shkolla “E kuqe” dhe shkolla “Fan Noli” nga “Hoxha Tahsim” janë vetëm 150 metra vijë ajrore”, shtoi Veliaj.

 Kreu i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se në këtë vit të ri arsimor do të hapin dyert edhe tre shkolla të reja, të cilat ofrojnë kushtet dhe standardet më të mira të mësimdhënies, ndërkohë që gjatë muajve të verës është ndërhyrë në të 191 shkollat e tjera që ka Tirana për të siguruar edhe aty kushte më të mira për nxënësit. “Kemi punuar në fakt në 191 shkolla, po nga shkolla në Vërri që është shkolla në Shëngjergj, shkolla më e largët e Tiranës me terrenet e reja sportive deri te shkollat e Blloku që janë në zemër të Tiranës. Kemi disa lajme të mira në fakt. Përveç “Shkollës së Baletit” që është një shkollë ekzistuese por që është transformuar, ne kemi tre shkolla totalisht të reja dhe një të katërt e cila sapo ka hedhur themelet. Ne kemi shkollën “Betim Muço” në Kombinat, shkollën “Hoxha Tahsim” te Pazari i Ri dhe shkollën “Ardian Klosi” te Bregu i Lumit. Janë tre shkolla utra moderne të cilët s’do të përfshijnë dhe d të jenë hapësira për 2500 nxënës. Unë besoj që për këto 2500 familje lajm më të mirë se hapja e tre shkollave të reja në një vit nuk besoj që kemi parë prej vitesh në Tiranë.  Shkolla “Kosova” sapo ka hedhur themelet”, tha Veliaj.

 Por ai theksoi se të gjitha këto investime nuk do të kenë rezultat nëse të gjithë do të synojnë të regjistrohen në shkollat që për shkak të historisë kanë një emër më të mirë. “Nëse ne vazhdojmë themi, ne kështu jemi mësuar dhe të gjithë do t’i çojmë te “Fan Noli” dhe te “Sami Frashëri” atëherë ne mund të bëjmë edhe 100 shkolla të reja dhe për sa kohë të gjithë do të shkojnë të dynden tek të njëjtat shkolla nuk ka asnjë vlerë ndërtimi i shkollave të reja. Madje janë para të shpenzuara kot. Ne më mirë hajde ta bëjmë 10 kate “Fan Nolin”, hajde ta bëjmë 10 kate “Sami Frashërin” sesa vazhdojmë bëjmë shkolla të reja për sa kohë që nuk ndryshojmë dot një tabiat të cilin e kemi rrënjosur prej kohësh. E kuptoj, vjen nga tranzicioni i viteve ’90, nga shpartallimi i shtetit që kemi pasur, por sot është një epokë komplet tjetër”, shtoi Veliaj.

 Ndaj ai i bëri thirrje drejtorëve të shkollave që të respektojnë këtë rregull. “Para ca vitesh nuk flitej fare për këtë portalin, as flitej fare për meritë, as flitej fare për një barazndarje të mësuesve të talentuar që vijnë të rinj në të gjitha shkollat. Por ama na duhet realisht të futemi në një fushatë marketingu, e flas në kuptimin e mirë, produkti ynë nuk është çamçakëzi dhe patatinat, produkti ynë është arsimi dhe ne duhet të marketojmë këtë produkt, arsimin si vlerë por edhe arsimin cilësor si vlerë shumë pranë shtëpisë tende. Ndaj edhe më vjen mirë që bashkë me DAR-in kanë filluar jo vetëm regjistrimet por kemi siguruar që mësuesit me rezultate të shkëlqyera që janë pjesë e portalit të shpërndahen në mënyrë të barabartë në këto 3 shkollat e reja”, tha Veliaj.

 Por ndërtimi i 4 shkollave të reja është vetëm pjesa e parë e projektit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e 20 shkollave që do ti japin fund dhe mësimit me dy turne. Ndaj ai ka theksuar se do të vazhdojë projekti për ndërtimin e 16 shkollave të tjera të reja në partneritet me privatin. Ai tha se për të lehtësuar lëvizjen e nxënësve Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë dhe disa masa lehtësuese për ta. Një prej tyre është edhe rikthimi i rregullit të një viti më parë për të kufizuar lëvizjen e makinave të furnizimit të dyqaneve në orët e ditës. Veliaj dha dhe lajmin e mirë që vjen edhe në ndihmë të lehtësimit të trafikut në Tiranë në këtë fillim viti arsimor dhe që ka të bëj me hapjen e pjesës së unazës së madhe nga Kopshti Botanik deri te Pallati me Shigjeta.

1 komente në “Veliaj: Drejtorët të mos bëjnë regjistrime mbi kapacitetin, hapim tre shkolla të reja në shtator”

  1. Cuni i Tirones says:

    Filloi akrobacite pelivani Veliaj.
    Shkollat nuk jane vetem tullat (aty ku ai ben leke ) por ne rradhe te pare jane mesuesit.
    Prandaj nuk shkon njeri tek “shkollat e reja fringo” te Velise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje