Spanja shkatërron Italinë dhe blindon vendin e parë në Grupin G kualifikues të Botërorit 2018. Fitorja 3-0 në “Santiago Bernabeu” u vendos nga dy madrilenë: ylli i Realit, Isco me dy gola dhe Alvaro Morata, i rritur në këtë stadium.
Isco zhbllokoi supersfidën pas 14 minutave lojë, pas ekzekutimit perfekt të një goditje dënimi, përballë së cilës Buffon nuk mund të bënte asgjë.
25-vjeçari realizoi edhe golin e dytë përpara pushimit ndërmjet pjesëve, ndërsa Italia ishte e shpërfytyruar në fushë.
Për të mbyllur çdo diskutim mendoi Avlaro Morata në të 77-ën, vetëm pesë minuta pas aktivizimit nga stoli. Një triumf i madh për Spanjën, që me fitoren në duelin direkt “hipotekon” vendin e parë dhe biletën drejt finaleve të Botërorit “Rusi 2018”.
Për Italinë mbeti vetëm zhgënjimi për një kapitullim që sipas gjasave pritet ta detyrojë skuadrën e Venturës të luajë në fazën “play off”.
Në ndeshjen tjetër të Grupit G, Maqedonia regjistroi një fitore befasuese në fushën e Izraelit.
Asisti magjik i Enis Bardhit në të 73-ën, i shfrytëzuar maksimalisht nga kapiteni Goran Pandev. Izraeli në krizë të thellë rezultatesh dhe mes çështjen Zahavi, që hoqi shiritin e kapitenit, kompromenton garën për vendin e tretë.
Në këtë aspekt, suksesi i maqedonasve i shërben Kombëtares shqiptare. Por, që kuqezinjtë ti mbyllin kualifikueset pas shpinës së Spanjës dhe Italisë, nevojitet të marrin rezultat pozitiv më 5 Shtator në Strumicë.