Kristian Adorjan mban në ankth Partizanin për sfidën e së hënës me Kukësin. I vlerësuar maksimalisht në debutimin në Kategorinë Superiore, sulmuesi hungarez vuan nga pubalgjia. Shqetësimet erdhën pas ndeshjes së Kupës, të fituar në fushën e Naftëtarit, ndërsa 24-vjeçari po stërvitet i diferencuar edhe është në garë me kohën.
Stafi mjekësor i të kuqve pritet të japë një verdikt përfundimtar rreth aktivizimit të Adorjan vetëm gjatë kësaj të diele. Mungesa e lojtarit të rritur në Akademinë e Liverpulit do të rriste vështirësinë e sfidës së të hënës. Kjo edhe për faktin se përballë një prej rivalëve direkt në kampionat, Mark Iuliano nuk do të ketë në dispozicion as mbrojtësin Arbnor Fejzullahi, i cili pritet të qëndrojë dy deri në tre javë larg fushave të lojës.
Në pritje të Adorjan, trajneri përzien kartat dhe vazhdon të mos japë asnjë indicie rreth atij që mund të jetë formacioni titullar i të kuqve. Fshehtësi maksimale, edhe sepse sfida me Kukësin shërben për të harruar zhgënjimin me Laçin në start. Tre pikët përballë kampionëve në fuqi do të shërbejnë për të kthyer humorin dhe për të konfirmuar pretendimet e të kuqve për titullin në këtë sezon, shkruan “Supersport”.
Asgjë nuk do të jetë e lehtë, por me Edgar Çanin që pas debutimit me gol në Kupë pret rastin për të luajtur titullar në sulm dhe rikthimin mes shtyllave të Alban Hoxhës, skuadra jep garanci. Iuliano e ka vëzhguar në stërvitje me portierin që ishte maksimalisht i angazhuar.
Alban Hoxha fluturonte në portë, duke treguar se mbetet një element shumë i rëndësishëm i skuadrës, ndërsa Partizani synon të nisë fluturimin në kampionat pikërisht përballë kampionëve në fuqi.