Ardenisa/ Një histori suksesi në Gur të Zi

24 Shtator 2017, 12:00Ekonomia TEMA
Ardenisa/ Një histori suksesi në Gur të Zi

Rruga gjarpëron drejt një mali që ndan Gurin e Zi nga diga e Vaut të Dejës, pak kilometra larg qytetit të Shkodrës. Në rrëzë të malit është fshati Rragam. Është vjeshtë dhe banesat e këtij fshati kanë marrë ngjyrat e stinës sepse nëpër mure varen prodhimet e verës që përgatiten si zaire për dimrin që vjen.

Është një fshat i bukur por duket se infrastruktura mungon, sheh pak lëvizje nëpër fshat. Shumica e të rinjve janë larguar në emigracion. Ka pak mundësi për punësim sidomos për të rinjtë dhe gratë. Shqipëria është një vënd ku papunësia ndër të rinjtë kap shifrën 28.1 përqind. Banorët e mbetur në atë zonë, jetojnë kryesisht me produktet që kultivojnë në tokat e tyre.

Në të dalë të fshatit është shtëpia e Ardenisa Hilës. Ajo është një nënë e re dhe bashkë me bashkëshortin e saj, kanë vendosur të rrisin fëmijët në fshatin e tyre, i cili ofron pak ose aspak mundësi jetese. Por Ardenisa e ka gjetur një rrugë dhe është vetëpunësimi.

Sa hyn të porta e banesës së saj, gjen oborrin e zbukuruar me gjithfarëlloj kungujsh, ndërsa në cep të oborrit është edhe sera ku po rriten fidanët e varjeteteve më të reja.  Ardenisa ka nisur një biznes mjaft interesant, kultivimin e kungujve për përdorim dekorativ. Produkti ka nisur të eksportohet jashtë vendit, por ka një treg të përfillshëm edhe në Shqipëri.

Familja e Ardenisës është e angazhuar e gjitha në ndihmë të saj. Ajo ka përfituar një grand prej 500 mijë lekësh të reja nga UNDP, për të zhvilluar projektin e saj. Është përzgjedhur nga një numër i madh konkurentësh në mbarë vendin, në kuadër të programit 4-vjecar “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”, i financuar nga Zyra Zvicerane e Bashkëpunimit për Zhvillim (SDC) dhe i zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me qeverinë e Shqipërisë.

Programi synon të ketë një kontribut të rëndësishëm e të vazhdueshëm për modernizimin e sistemit të AFP-së në Shqipëri duke adresuar disa sfida kryesore: mospërputhjen e kërkesës me ofertën për aftësi, aksesin në shërbimet e punësimit dhe formimit; tregun e punës në zonat rurale; menaxhimin efektiv të fondeve për punësim dhe trajnim; mungesën e koordinimit / bashkëpunimit në sistem; informacionin e pamjaftueshëm të tregut të punës; dhe garantimin e cilësisë së ofertës dhe programeve të AFP-së.

Asistenca e projektit për Ardenisën nuk mbaron me fondin prej 500 mijë lekë të reja pasi ajo ka marrë asistencë teknike nga stafi i projektit dhe mbështjetje  në procesin e zbatimit të projektit por edhe trajnime  për mënyrën se si duhet kërkuar e garantuar tregu për shitjen e produketeve. Si shumë gra e të rinj të tjerë që kanë përfituar nga ky projekt, Ardenisa është trajunar në disa seanca për mënyrën se si të zhvillojë biznesin e saj. Duket entuziaste dhe shumë e lumtur me angazhimin në biznesin që po zhvillon.

Me djalin e vogël në dorë, na flet plot pasion për biznesin, planet për të ardhmen, por edhe për bukuritë e asaj zone. E ka fort për zemër që vizitorët e shumtë që vijnë për të blerë apo vizituar panairin e kungujve dekorativ, ti drejtojë në rrugën që të çon matanë malit, atje ku duket panorama fantastike e liqenit të Shkodrës.

Krahas Ardenisës, të tjerë të rinj kanë përfituar në të njëjtat nivele mbështetje financiare e teknike për zhvillimin e bizneseve të tyre përmes programit të vetëpunësimit.

Bledar Zhejani, është një tjetër rast suksesi ndër 83 të rinjtë ( deri tani) përfitues të  njërit nga komponentët e programit “ Zhvillimi i Aftësive për Punësim” që ka të bëjë me vetëpunësimin e të rinjve, financuar nga Qeveria Zvicerane dhe zbatuar nga PNUD.

Edhe Bledari, ka përfituar shumën prej 500 mijë lekëve të reja, për zhvillimin e projektit të tij mjaft interesant,  sistemin e Aquaponics në Shqipëri. Është një sistem ekologjik për rritjen e perimeve/frutave dhe peshkut në simbiozë me njëri-tjetrin, pa përdorimin e kimikateve apo plehrave organike dhe kimikë. Biznesi i Bledarit është ngritur në Bushat të Shkodrës, pranë familjes së tij. Ai synon t’i shesë produketet e tij bio, në supermarkete dhe restorante të zgjedhura në Tiranë e Shkodër dhe gradualisht të shtrihet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Ky sistem është shumë i përhapur dhe i suksesshëm në SHBA, Gjermani, Zvicër, Itali dhe financohet nga Komuniteti Europian.

Ervin Kalemi: Ja pse “braktisa” Teksasin

SuperPubler, www.SuperPubler.com, është një aplikacion që ndihmon bizneset në menaxhimin e postimeve në rrjetet sociale. Është autor Ervin Kalemi, i riu shqiptar që braktisi Amerikën për të ardhur në Shqipëri dhe hapur biznesin e tij në teknologji. Është diplomuar në Informatikë në Texas të SHBA, dhe është kthyer në Shqipëri pasi biznesi që ai ka nisur e ka më të lehtë ta zhvillojë në Shqipëri për shkak të kostove më të ulëta, krahasuar me SHBA-të. Ka shumë të rinj që kanë përfituar nga ky program i cili shtrihet thuasje në të gjitha rrethet e Shqipërisë.

Për t’i ardhur në ndihmë sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional në Shqipëri, Zyra Zvicerane e Bashkëpunimit për Zhvillim, financoi programin 4-vjeçar “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”, duke përzgjedhur të rinj nga 15-29 vjeç që të vetëpunësohen në ide biznesi inovatore dhe të qëndrueshme për tregun.

Programi i vetëpunësimit, si një nga komponentët e programit “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”, mbështet të rinjtë që kanë dëshirën dhe vizionin për të ndërtuar biznesin e tyre. Nëpërmjet trajnimit mbi vetëpunësimin, këshillimeve të vazhdueshme gjatë gjithë fazave të programit, dhe mbështetjes financiare (në formën e pajisjeve ose materialeve), programi asiston në transformimin e ideve në biznese të qëndrueshme.

Gjatë dy fazave të para të programit, mbi 1000 të rinj kanë aplikuar, 230 janë trajnuar, dhe 36 biznese të reja janë regjistruar. Deri në fund të 2017, pritet regjistrimi i 100 bizneseve të reja.

Krahas ndihmës financiare, të gjithë përfituesit kanë marrë rreth 40 orë trajnime nga “Programi i Vetëpunësimit të të Rinjve”, por dhe mbështetje për të hartuar një plan biznesi të qëndrueshëm. Objektivi i këtij programi është që në përfundim të tij të mbështeten 100 biznese, ndërkohë që deri tani kanë nisur e po zhvillohen 83 biznese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje