SHIFRAT/ Shitjet e biznesit, lulëzon ndërtimi dhe industria

24 Shtator 2017, 19:29Ekonomia TEMA

Indeksi i shitjeve në sektorin prodhues të ekonomisë shqiptare u rrit me 6.9% në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, sektori prodhues ka përfituar nga rritja e përgjithshme e shpenzimeve në ekonomi për tremujorin e zgjedhjeve, ndërkohë që forcimi i shitjeve u mbështet edhe rimëkëmbja në segmentin e industrisë nxjerrëse.

Sipas INSTAT, shitjet në industrinë nxjerrëse u rritën me 16.3% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë, të shtyra nga rritja e çmimit të lëndëve të para, me përfitime sidomos në industrinë e nxjerrjes së naftës.

Ndërkohë, edhe industria përpunuese për tremujorin e dytë shfaqi një rritje të përmirësuar, me 3.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në përmirësim rezultoi edhe indeksi i shitjeve në energjetikë. Pas rënies në tremujorin e parë, për tremujorin e dytë shitjet në këtë sektor u rritën me 5.2% me bazë vjetore.

Ndërkohë, sektori që ka përfituar më shumë nga shpenzimet elektorale natyrshëm ka qenë ndërtimi. Për tremujorin e dytë, indeksi i shitjeve është rritur me afro 34%, i mbështetur sidomos nga projektet e mëdha inxhinierike, por edhe nga një rritje e investimeve publike në infrastrukturë.

Ndërsa dega me peshën më të lartë në ekonominë shqiptare, ajo e shërbimeve, për tremujorin e dytë regjistroi një rritje vjetore modeste me 1.1%.

Të dhënat e shitjeve për tremujorin e dytë tregojnë se rritja mbetet e përqendruar sidomos te industria nxjerrëse dhe ndërtimi. Ndërkohë, dy degët me peshë më të lartë në ekonomi, shërbimet dhe sidomos industria përpunuese shfaqin një rritje më modeste./Scan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje