E këshilloi mos bëhet qesharak, reagon Basha: Rama po saboton vettingun, zgjidhje me bandat e Elbasanit apo me drejtësinë?

26 Shtator 2017, 12:00Politika TEMA

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të marrë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve për shkurtimin e fondeve dhe të punonjësve për institucionet e vettingut.

Në një deklaratë për mediat, Basha akuzoi kryeministrin Rama se po saboton zbatimin e vettingut, proces i cili sipas kreut të PD, duhet të fillojë sa më parë.

Më herët Rama e këshilloi opozitën që të thellohet për të mos u bërë qesharake gjatë seancën parlamentare të ditës së enjte.

Pyetje: z.Basha, sa qëndron ky argument kur ju, ishit ata që bllokuat vettingun, ndërsa Partia Socialiste bëri edhe fushatë elektorale për vettingun. Si mund ta akuzoni tani?

Basha: Eshtë fare e qartë që ne nuk bllokuam vettingun. Ne bllokuam një përpjekje për ta kapur vettingun. Vettingu u votua në Kushtetutë nga Partia Demokratike. Pra, kjo që thoni ju është një keqinterpretim apo një dezinformim i suksesshëm i Edi Ramës. Ne votuam vettingun më 22 korrik të vitit të kaluar. Ky është fakt.

Pyetje: Dhe pastaj ngritjen e komisioneve e bllokuat?

Basha: Komisionet u votuan në qershor. Komisionet janë ngritur me votën e Partisë Demokratike. Eshtë kështu apo jo?! T’ia kujtojmë qytetarëve; ne kemi votuar për komisionet e vetingut dhe ne votuam dje në Komision të Ligjeve që këto komisione të vetingut të kenë mbështetjen e duhur financiare dhe mbështetjen e duhur me personel që të nisin sa më shpejt dhe të përfundojnë pa vonesë procesin e vettingut. Shapin nga sheqeri e ndajnë faktet dhe jo fjalët. Me fjalë, Edi Rama ka dalë si kampion i vettingut, me fakte del kundër vettingut.

Po saboton që në hapin e parë vettingun dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë. Edi Rama duhet të ndajë mendjen, nuk mund të jetë edhe me bandat edhe me drejtësinë. Nuk mund të jetë edhe mbrojtësi dhe përfituesi i bandës së Elbasanit, bandave të Durrësit, bandave të Vlorës, bandave të Shkodrës dhe të Lezhes, dhe nga ana tjetër të na dalë si kampioni i drejtësisë. Të dyja nuk rrinë në një vend. Kaq e kupton çdo shqiptar, i djathtë, apo i majtë, demokrat apo socialist, me shkollë, apo pa shkollë. O me bandat, o me drejtësinë.

Ne kemi zgjedhur të qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të reformimit të drejtësisë. Ndaj, të enjten, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, do të propozojë në seancë plenare amandamentet, për të rivendosur atë që kanë kërkuar organet e pavarura të Vettingut. Ne do të jemi në krah të organeve të pavarura të vettiungut, që të kenë mbështetjen e plotë financiare dhe me personel dhe të mos jenë në mëshirën e një njeriu, i cili deri më sot me fakte ka zgjedhur bandat dhe jo drejtësinë.

Pyetje: z.Basha, për Reformën Zgjedhore, kryeministri ju kujtoi sërish marrëveshjen e 18 majit dhe tha që nuk pranon kushte nga ana e opozitës?

Basha: Ne do të kemi projektin tonë, ne do të kemi propozimet tona që do të vijnë pas një procesi konsultimi me aleatët tanë politikë dhe me faktorët e tjerë shoqërorë. Me një konsultim me qytetarët që t’i japim Shqipërisë një sistem zgjedhor, i cili vë në qendër qytetarin, jo bandat, jo kriminelët dhe jo oligarkët.

Pyetje: A do të pranoni të uleni në një tryezë me Edi Ramën për Reformën Zgjedhore?

Basha: Unë jam ulur e me siguri do të ulem edhe me pasardhësin e Edi Ramës. Nuk është ky problemi. Problemi është, a do të zgjidhim diçka dhe kjo varet tërësisht nga qendrimi që Edi Rama do të mbajë ndaj procesit deformues të 25 qershorit. Nese zgjedh, si ka zgjedhur deri më sot, të mbyllë sytë para faktit që ka një mazhorancë fiktive e cila nuk ka dalë nga vullneti i shqiptarëve, nga vota e ndershme e shqiptarëve, atëherë kursi tjetër është kursi i përballjes, dhe për këtë Partia Demokratike dhe aleatët, janë më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë.

Pyetje: z.Basha, keni folur për reformim të Partisë Demokratike. Kur do të futen strukturat e Partisë Demokratike në zgjedhje?

Basha: Procesi i parë do të jetë një proces konsultimi me anëtarësinë e Partisë Demokratike, nga i cili ne do të dalim me konkluzionet tona, sa i përket organizimit, ashtu edhe sa i përket ndryshimeve të mundshme statutore dhe hapave të tjerë që do ta bëjnë Partinë Demokratike më të fortë, më demokratike, më të bashkuar.

1 komente në “E këshilloi mos bëhet qesharak, reagon Basha: Rama po saboton vettingun, zgjidhje me bandat e Elbasanit apo me drejtësinë?”

  1. Leni says:

    Luli o luli pse su paraqite asnjehere ne gjyq kur ishe minister i brendshem. Ty nuk te beson vetja dhe ajo thote cme ka gjetur te duroje kte genjeshtar te pafytyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje