Të paktën 50 persona mbetën të vrarë dhe 200 të tjerë u plagosën nga të shtënat jashtë resortit dhe kazinosë Mandalay Bay në Las Vegas të dielën në mbrëmje.
CNN raportoi se dëshmitarët rrëfyen për të shtëna që erdhën nga një nivel i ngritur prej një hoteli.
Policia Metropolitane e Las Vegasit tha se një i dyshuar është vrarë dhe se janë vënë në kërkim të një gruaje, e cila dyshohet se shoqëronte të dyshuarin kryesor.
Policia është shprehur se mendon se ai vepronte i vetëm.
Qindra persona po merrnin pjesë në një koncert në qiell të hapur në Las Vegas të dielën, ku performonin këngëtarë të ndryshëm të njohur.
Incidenti që tronditi qytetin e kazinove ndodhi në afërsi të hotelit “Mandalay Bay”, e videot e ngarkuara në internet tregojnë qartë tmerrin e përjetuar nga njerëzit e mbledhur në koncertin e hapur të muzikës “country”, kur mbi turmën u hap zjarr.
Të shtënat ishin ato të një arme automatike dhe kanë vazhduar gjatë. Autori i sulmit ka qenë në katin e 32-të të hotelit dhe ka shtënë mbi turmën poshtë pa dallim e pa ndaluar.
“Pati shumë të shtëna, por ato të fillimit i ngjasonin zjarrit të mitralozit”, tha Danny, një turist australian.
Mes të plagosurve, 14 persona janë në gjendje kritike për jetën në spital. Forcat e policisë, që mbërriten me urgjencë në vendin e ngjarjes, i këshilluan njerëzit të largoheshin menjëherë prej andej. Sherifi Joseph Lombardo konfirmoi numrin e viktimave.
“Viktimat janë 50. Deri tani besojmë se bëhet fjalë për një agresor të vetem, një ujk vetmitar ta quajmë kështu. Efektivët patën një shkëmbim zjarri me personin që ndodhej në katin e 32-të të ndërtesës, e tani ai ka vdekur”, tha Joseph Lombardo.
Policia po përpiqet të flasë me një mikeshë të të dyshuarit, një vajzë me origjinë aziatike e quajtur Marilou Danley. Vendndodhja e saj nuk dihet ende. Sa për vet të dyshuarin, emri i tij nuk është bërë publik për momentin, por mendohet se bëhet fjalë për një banor lokal.
Mes të vdekurve ka edhe disa policë që ishin jashtë shërbimit. Shumë hotele të zonës janë mbyllur, së bashku me një pjesë të bulevardit të Las Vegasit, ndërsa njerëzit e ndodhur aty në kohën e incidentit kanë gjetur strehim nëpër restorantet rreth e rrotull dhe aeroportin “McCarran”, ku për shkak të ngjarjes së rëndë disa fluturime janë devijuar.