Udhëheqësi katalanas, Carles Puigdemont, ka sulmuar Mbretin Felipe VI të Spanjës për “injorimin e qëllimshëm të miliona katalanasve”, pas një votimi të diskutueshëm mbi pavarësinë.
Ai akuzoi Mbretin se po pozicionohet përkrah pozitës së qeverisë spanjolle.
Mbreti Felipe në një dalje televizive të martën e cilësoi votën e së dielës të paligjshme dhe jodemokratike.
Sakaq Puigdemont ka deklaruar se pavarësia e Katalonjës mund të shpallet javën e ardhshme.
“Ky moment kërkon ndërmjetësim,” tha ai në një deklaratë televizive vonë të mërkurën. Ai pretendoi se Mbreti nuk po kryente rolin e tij si moderues që ia imponon Kushtetuta spanjolle.
Në përgjigje, qeveria spanjolle në Madrid tha se nuk do të pranonte “shantazh” nga kreu katalanas.
“Puigdemont duhet të kthehet në rrugën e ligjit para se të zhvillohet ndonjë bisedim” deklaroi qeveria spanjolle.
“Kritikat e tij ndaj Mbretit treguan se ai ishte “jashtë kontaktit me realitetin” theksohet më tej në deklaratën e qeverisë spanjolle.
Puigdemont i tha BBC të martën se ai do të deklaronte pavarësinë “në fund të kësaj jave apo fillimin e javës së ardhshme”.
Qeveria katalane ka thënë se do të ketë një takim të jashtëzakonshëm të parlamentit të hënën për të diskutuar mbi rezultatin e referendumit të diskutueshëm.
Zyrtarët katalanas thonë se më shumë se 2.2 milionë njerëz votuan të dielën dhe se gati 90% e tyre mbështetën pavarësinë.
Pjesëmarrja është vlerësuar në 42%, por rezultatet përfundimtare nuk janë dhënë.