Ish-drejtori i Burgjeve përpara drejtësisë, gjykata thërret si dëshmitar edhe Ylli Manjanin

6 Tetor 2017, 17:58Kronika TEMA

Përveç dy ish-zëvendësve të tij, dëshmitari tjetër që do të thirret në gjykatë për çështjen e ish-drejtorit të Burgjeve Artur Zoto është edhe Ylli Manjani.

Ish-ministri i Drejtësisë do të dëshmojë përpara gjykatësve të Krimeve të Rënda për ish-drejtorin Zoto.

Ish-zyrtari i lartë i burgjeve po gjykohet për akuzën e “korrupsionit pasiv” në një nga procedurat e tenderimit për furnizimin me ushqimet të institucioneve në varësi të tij.

Përveç ish-ministrit, në seancën e së premtes, gjykata ka pranuar kërkesën e avokatëve, për thirrjen si dëshmitar në proces të ish-zv.drejtorit të burgjeve, Iliaz Labi, i pandehur në një proces tjetër tek Krimet, si edhe të ish-zv.drejtorit Bledar Skënderi.

Vetë i pandehuri Zoto ka lexuar një qëndrim para trupit gjykues, në thelb të  cilit ka qenë mohimi i akuzës së ngritur ndaj tij. “Jam i pafajshëm”, është shprehur ai.

Në seancën e radhës, e caktuar në 18 tetor, pritet të niset me pyetjen e dëshmitarit Labi, aktualisht në “arrest shtëpiak” për llogari të një gjykimi ku akuzohet për “korrupsion”.

Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se Artur Zoto ka konsumuar elementë të veprës penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim.

Ish-zyrtari ka mbajtur qëndrim mohues duke pretenduar se prokuroria është bazuar në deklarimet e ish-vartësit të tij, Iliaz Labi, i cili e ka akuzuar për të shmangur përgjegjësinë penale nga vetja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje