Kredi me interes 0? Po, vetëm për studentët e UET

9 Tetor 2017, 15:35Sociale TEMA
Kredi me interes 0? Po, vetëm për studentët e UET

Kredia që ndihmon të rinjtë të shkollohen.  UET dhe BKT firmosën sot marrëveshjen që u mundësinë studentëve të paguajnë studimet e tyre me anë të një kredie pa interes.

Xhoana Laze sapo është regjistruar në vitin e parë në universitet në degën Marrëdhënie me Publikun-Komunikim në Universitetin Europian të Tiranës. Si të gjithë të rinjtë që nisin universitetin dhe asaj i duhen para që të paguajë për studimet e saj, por duke mos dashur që të shqetësojë familjarët ajo ka vendosur që të marrë një kredi studentore me zero interes. Ajo është e para që firmosi marrjen e një kredie të tillë ofruar nga BKT në bashkëpunim me universitetin që ajo ka zgjedhur, vetëm pak minuta pas firmosjes së marrëveshjes mes dy intitucioneve.

“Për mua kjo ishte zgjedhja ideale, pasi nuk e rëndoj familjen time me pagesën e menjëhershme të studimeve, ndërsa kredia është pa interes dhe mund të paguhet pët 10 muaj me këste.  Unë mora 1250 euro kredi me të cilat do të paguajë vitin e parë të shkollës. Nuk më duheshin më shumë pasi UET më ofroi dhe mbështetje me gjysëm-burse për rezultatet që kam në gjimnaz. Ndërkohë shpresoj se dhe dy vitet e tjera të përfitoj bursë dhe të zgjidh çështjen e pagesës me anë të kësaj kredie”- shprehet Xhoana për Mapo-n.

Xhoana kishte mundësi të merrte deri në 15 mijë euro kredi nëse do të dëshironte, sqaron përfaqësuesja e BKT-së, Marjola Bejkollari.

BKT e hedh për herë të parë këtë produkt në treg falë kërkesës së UET-it, i cili është ofruar të paguajë për çdo student të tij që zgjedh këtë kredi komisionin e disbursimit prej 4.9%.

Presidenti i UET-it, Prof.Dr.Adrian Civici dhe Drejtori i Grupit të Bankingut për Individë në BKT, zoti Fatih Karli firmosën sot marrëveshjen duke vlerësuar këtë hap si një hap të rëndësishëm në futjen e një kulture të re tek të rinjtë për pagesën e studimeve të tyre.

Civici tha se ky është një hap i rëndësishëm për UET dhe për ta realizuar këtë ka zgjedhur një partner të rëndësishëm në sistemin bankar.

“Qëllimi i këtij takimi është nënshkrimi i një marrëveshje specifike, që ka të bëjë me  kredinë studentore, mundësinë që universiteti i krijon studentit shqiptar për të marrë një kredi me interes 0, shumë të favorshme përsa i përket mënyrës se si merret dhe si përdoret, që të ketë mundësi të ndjekë studimet e tij të larta në UET në degën që ai dëshiron. U arrit një version që është shumë favorizues  dhe i pranueshëm sidomos për studentët të cilët mundohen të mos u bëhen barrë prindërve. Kjo vjen si eksperiencë e vendeve anglo-saksone, ku ky sistem është mjaft i përhapur dhe favorizues dhe në këtë sens ne hedhim dhe një hap të madh përpara për të futur një koncept të ri të financimit të studimeve, që deri tani është përdorur pak ose aspak  nga sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri, dhe ndoshta ky hap do të tregojë përvojat e tij positive, mund të jetë dhe një nga mënyrat me të cilat ne kërkojmë sot të financimit nga burime të ndryshme të studimeve universitare, për të mos e patur atë vetëm dhe 100% nga buxheti i shtetit me gjithë limitet që ai paraqet sot në mënyrë që të garantohen studime sa më cilësore.”- tha Civici.

Një student që të përfitojë këtë kredi speciale duhet të jetë regjistruar në UET, të ketë garant një familjar të tij që është i punësuar ose të nëse vetë studenti është i punësuar të bëjë një deklaratë të ardhurash.

Kjo kredi duket një zgjidhje optimale sidomos për ata studentë që duan të kryejën studime master ndërsa janë të punësuar. Duke mos paguar interes atyre u vjen në ndihmë kredia me një shumë të mirë parash.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje