Një përkthyes i lindur, me nuhatje të hollë

11 Tetor 2017, 13:57Kulturë TEMA

Nga Faslli Haliti

Poet dhe përkthyes

Më ra në dorë libri Eva Luna i Izabel Alende, shkrimtarja e mrekullueshme që lexohet me një frymë, i përkthyer nga një emër i ri në letrat shqipe: Arian Lleshi. Pata një lëvizje të shpejtë përbrenda. Ka disa Arian Lleshi. Hapa skedë në Bibliotekë dhe vura re se ky është edhe përkthyes i disa veprave të tjera: Afërdita dhe Rrafshi i pafund i Izabel Alende, Erendira e G.G. Marquez, Princi i Makiavelit… etj. Dhe e kuptova. Ka mbaruar për matematikë, (si Taulant Hatia – për matematikë edhe ky!), mendova dhe

është i tërhequr nga letërsia, botues i «Uegen». Dhe, gjatë leximit e krijoi menjëherë personalitetin mbi mua, një peshë e rëndë, dorë e sigurtë, fjalë e zotëruar mirë, figurë dhe frazeologji interesante, dhe e lëvdova me shpirt. Pastaj, i shtyrë nga ky roman lexova menjëherë Rrafshi i pafund dhe Afërdita. Më bënë përshtypje shprehja përplot siguri, figurat e gdhendura si me qemerë të skalitur, brumi, eleganca. Aty nuk dilnin vetëm personazhet në muzg për shëtitje, djemtë dhe vashat, por edhe ti vetë bashkë me ta, madje aty fluturonin edhe lulet… Meritë e shkrimtares së madhe? Sigurisht, po në rastin tonë është edhe një përkthim fin, elegant.

Në fund të leximit ҫast suspance, fryma pezull, madje edhe ti vetë je po në atë gjendje, endesh në kopshtin e madh me pemë të larta me hijet gri, pi ujë në burime që gurgullojnë, diskuton gjëra me vlerë dhe nganjëherë edhe flet disi i shkujdesur.

Do të doja të diskutoja me përkthyesin e talentuar, të shihja si e kalonte ditën e punës midis aq e aq librave të botuar, veprave hijerënda në vargun e tragjedive të Shekspirit, të Dostojevskit me hir mistik dhe psikanalizë të jashtëzakonshme i cili personazhet e tij i vë në situata përvëluese dhe ata zbërthehen nën vlimin emocional, gjë të cilën përkthyesi e jep me instinkt e me mençuri njëherësh. Këto më vinin nëpër mend në mbyllje të leximit, duke sjellë nëpër mend, Tolstoin, Cvajgun, Nietzche-n, Çehovin, Wilbur Smithin e dhjetëra shkrimtarë të mëdhenj, në detin e gjerë e të thellë libror. Dhe bashkë me këtë personalitet vjen menjëherë Berati, mali i Tomorit, deti, Vlora dhe matematika. Aty endet edhe filigrani i punuar me dorë mjeshtërore, aty janë gdhendur e skalitur me shprehje e frazeologji elegante që natyrisht të duket edhe biblike, aty vijnë përplot hijeshi fushëtirat sikur i ke aty pranë, udha e heshtur përmes drurëve, e qeshura e ndritur, përplasjet përskaj, hingëllimat aq të natyrshme të kuajve dhe rrëfimi gjithnjë i natyrshëm që të tërheq me një energji krejt tjetër.

Kur lexon veprat e përkthyera prej këtij talenti riosh ke një mbresë veçmas për thurjen e fisme të frazës së shqipërimit, një rrjedhë krejt organike, përplot njerëz brenda, ose vetëm me ndonjë ekzemplar nga tërësia e personazheve magjiplotë të Alendes. Fjalët kthehen në këngë dhe këngët në melodi orkestrale, aty s’ka moshë, ato janë të reja dhe të vjetra sa s’thuhet. Të bëhet se je në moshën e bukurisë antike.

Eva Luna e përkthyer nga Arian Xh. Lleshi më kujton atë dritë kur dielli luan me ngjyrat e ndezura. O zot, kujt ia them, njerëzve që e duan me shpirt të bukurën, dhe në këtë rast përkthyesit i takon të jetë një kërkues i çmendur i ideales, që e gjen dhe e humb njëherësh sepse ndihet se është e shqipëruar plot frymëzim dhe i vihet sërish ta gjejë thelbin pas vrullit energjik që e përshkon. Dhe ti mrekullohesh me këtë përkthim që është një nga arritjet e bukura, padyshim një nga ato rekuizitat Shekspiriane mes kësaj dyndjeje të paparë të përkthimeve ku lexuesi duhet të dallojë përkthimin më superb midis morisë së librave të përkthyera në poezi e në prozë.

Nuk më harrohet një thënie Kadaresë për përkthimin se, edhe kur teksti është disi i paqartë, përkthyesi duhet ta japë atë qartë. Një gjë të tillë e kam parë dhe e shoh tek Ariani.

S’më besohej që Arian Lleshi të mos përkthente më libra të tjerë. Edhe te «Princi»po të lexoni, do ta gjeni veten të mrekulluar! Atij, me sa duket, s’i pëlqen pothuajse fare të përkthejë më. Është pasion i madh. Është dashuri e madhe, thotë ai. Dhe kur e krahason punën e tij me ato të miqve të tij që përkthejnë nga 3 – 4 romane të mëdhenj në vit, ngre duart dhe bie në mendime. Një rënie e thellë në mendime kjo e përkthyesit të talentuar Arian Lleshi. Tmerrësisht e bukur! Ai, shton se mund t’i rikthehet, por, sigurisht duhet edhe vepra të jetë si një matematikë – valë që e dëshiron. Sepse atij i ecën pena vetëm kur është para një vepre të shkruar bukur. Atëherë mund ta heq këmbën branë për ndjesinë që të fal përkthimi.

Kur je duke përkthyer, duket se je mbushur me ndjesi entuziaste, me një ëndërrim të vërtetë aq sa të bëhet se po ngjitesh në një skenë duke mbajtur në duar vepra të mëdha. Po edhe si film e përfytyron magjinë e rikrijimit, në sintoni me regjinë e botimit, përkrah me famën, në muzg apo në ag, duke gatuar bukën e shpirtit. Po, po, bukën e shpirtit dhe të mos duket si figurë banale, se nuk kursen asgjë, ndonëse dikujt mund t’i duket se shpirti asnjëherë nuk është zbardhur me miell, as me duart e përveshura gjer në bërryl, sepse pjesën tjetër kur e përfytyron me gishtërinjtë e ngjitur në miell, e kemi më të konkretizuar edhe pa shpallur fare figura, as për masën e miellit e të ujit nëse e vijojmë krahasimin, as për masën e kripës e të majasë për shijen që lë, për shijen që ke gjetur tek vepra. Them se kush e gjen shijen e duhur tek vepra, s’ka si të mos japë një përkthim të hatashëm.

Varfëri e madhe, thonë sot për librat. E pashë në Amazon romanin më të ri të Izabel Alendes Dashnori japonez. E porosita dhe më erdhi. E lexova me një frymë dhe vendosa ta përktheja. Por… e parrokshme ta mendosh, kur u ula në tryezë lexova se e kishin përkthyer në shqip. M’u bë se dikush më goditi pas koke. Rrallë mund të biesh në një vepër të mirë…

Kështu, them se vepra përkthehet me dashuri, jo fjalë për fjalë por duke u mbështetur fort në përfytyrimin dhe jo vetëm në fjalën. Fjala nuk është veprim. Këtë dashuri nuk e takon, ashtu vetëm, të menduar, sikur përpiqet të afrohet tinës, t’i mbush ditët, t’i bën të brillta. Kjo e mundon përkthyesin që ngutet, që niset nga idealja dhe mbytet nga realiteti. Edhe mua më duket nganjëherë sikur mbytem nga ky përfundim, në të cilin ngecesh keq, madje edhe nuk e arrin dot. Është një krijim i madh përkthimi, se nuk është e thjeshtë të rivitalizosh në gjuhën tënde një vepër të madhe, as edhe një tregim të thjeshtë nuk e arrin dot po nuk kuptove mendimin e fshehtë, mendimin përtej fjalës. E di ç’do të thotë kjo? Të pranosh atë që s’të duket e vërtetë për sytë që të duan, të subjektit që rrjedh natyrshëm, të frazeologjisë ekuivalente, të nëntekstit që shpesh është më i fortë se teksti, te lexuesi i ri i mrekullueshëm.

Të kuptoj, i thashë. E di, më ndodh edhe mua shpesh, sepse kur i ikën tekstit bëhet gjithçka e vështirë, si punë me normë, si robot, si diçka që jepet vetëm fizikisht, pa moral. E di se ti e ke arritur këtë, ndoshta me mendimin se ke bërë veprën e një shkrimtari të madh, dhe pse jo e krahason me idenë se edhe luanesha një këlysh bën dhe ky është… luan. Po kam frikë se pikërisht prej kësaj nuk mund të arrihet perfeksioni. Më merr vesh besoj? Sapo të duket se prek mjeshtërinë habitesh. Para teje kanë dalë përpara male të pakapërcyeshme!

Në punën e lodhshme dhe të bukur krijuese të përkthimit, sigurisht je i armatosur deri në dhëmbë me vetminë. As kafen nuk e porosit dot, sepse as ajo nuk të lejon të jesh i lirë, të mos presësh gjatë, sepse, varur nga temperamenti nuk duron dot, e do gjithçka të mbyllur sot, me një nxitim gati absurd. Epo fryma nuk mbahet gjatë nën ujë. Dhe kjo më tërheq si magnet.

Një përkthyes, e di, veç që është tejet artist, është po kaq edhe realist, mua nuk më pëlqen por që bëhet gati-gati natyralist gjer në skajshmëri. Marrim

si shembull tablotë e mëdha që përfshijnë faqe të tëra të romanit dhe thuajse përherë, ia arrin me një lloj madhështie të heshtur.

Përkthimi të rrëmben dhe e them hapur që hyn tek preferencat e mia delikate. Dhe është një delikatesë e rrallë. Përkthimi e hap derën me një frymë, ai të ngre në krahë edhe me një buzëqeshje të vetme prej miku. Përkthimi të bën simpatik, kavalier, tërheqës, të këndshëm e me shije të hollë qoftë edhe kur endesh përhumbshëm me një gotë rakie në dorë. Përkthimi të krijon përshtypjen e hijshme të një dashnori të suksesshëm e natyrisht të përzemërt. Dhe ti thua se ky njeri, përkthyesi, s’ka fare lidhje me punën e rëndë të krahut.

Përkthyesi nxiton për të arritur në kohën e duhur. Një përpikëri e nivelit më të lartë. Përkthyesi është shik në frazë, përherë me kostum të ri (sidomos me kostumin e ri të fjalëve, apo jo?), rroba të prera me elegancë fine, i mësuar t’i shikojë librat si pré dhe si një dashuri të re, por në mendim pa i kushtuar vëmendje asaj që rrjedh përditshëm, rrethuar nga një mjegull indiference.

Sipas disa huqeve njerëzore, do të parapëlqeja që tryezën time të mos e kisha të ngarkuar me libra, sepse në mendje e në zemër është vetëm një libër. E tillë për shembull ishte Erendira, Eva Luna, Rrafshi i pafund, Afërdita bashkë me afrodiziakët e saj të mrekullueshëm.

Ti, kushdoqofsh, ia ndjen çudinë gjithkujt dhe thua me vendosmëri se realizmi nuk vdes kurrë!

Po qe krijues, edhe përkthyes natyrisht, gjithnjë je vetëm. Fëmijët mund t’i kesh pranë po edhe larg. Në të dyja rastet je vetëm. Domethënë ti dhe krijimi yt. Pse nuk përkthej më? Them me bindje që kam mbyllur vetëm fazën e parë. Mos t’ju duket e çuditshme. Lexoj çdo ditë, përtyp vetmi, dhe mendohem shumë se ç’mund të bëhet me librin, se si mund ta thithi ky vëmendjen e të parëve të vendit, me ligj. Vetëm me ligj. Se librin shqip mund ta ndihmoj vetëm një ligj i fortë. Kjo ka për t’më gëzuar shumë, jo vetëm mua, por të gjithë ata që punojnë fort dhe punët nuk u ecin. Se thjesht u mungon përkrahja. Nganjëherë na mbyt malli dhe më vret së tepërmi vetmia e krijimit. Jam sigurisht në moshë të mirë, miq, s’kam nevojë për pushim, më pëlqen të udhëtoj vetëm me makinën time, gati më çmend gëzimi që jam i nevojshëm për shoqërinë dhe lexoj shumë. Kontakti

i ri me një vepër të madhe ka për të më kthyer tek faza e dytë e përkthimit. Dhe kjo ndjesi nuk më demoralizon, e përballoj jetën me guxim sidomos tani pas lindjes sime të dytë. Më ndihmon puna që bëj, egoizmi dhe dashuria për librin, aroma e të cilit më deh.

Po, e vërteta është se më shqetëson heshtja. Kjo më jep njëfarë brenge, se nuk e mbush dot jetën asnjë krijim, asnjë përkthim…

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje