Kukësi ka marrë një tjetër tre pikësh të artë në javën e pestë të Kategorisë Superiore.
Verilindorët siguruan një fitore shumë të rëndësishme në “Zeqir Ymeri” përballë Teutës me rezultatin 4-2.
Një fitore që e mban skuadrën e drejtuar nga Milinkoviç në vendin e dytë, në ndjekje të kryesuseve të Skënderbeut.
Kukësi u dukë se e arriti që ta sigurojë fitoren që në pjesën e parë duke shënuar dy gola, ku i pari që zhbllokoi rezultatin ishte sulmuesi Elis Bakaj në minutën e 18-të.
Dyfishimi i shifrave do të vinte në minutën e 31-të me anë të Ethemit që goditi saktë me kokë brenda zonës duke e dërguar topin në fund të rrjetës, i cili u ndihmua dhe nga ana e një gafe të portierit Kastrati.
Pjesa e dytë do të dhuronte mjaft emocione në minutat e fundit të ndeshjes ku u shënuan tre gola të shpejtë.
Hakaj shënoi një autogol në portën e tij në minutën 83-të, ku u dukë se ndeshja ishte e mbyllur.
Megjithatë, Teuta shënoi dy gola të shpejtë me Hilën me penallti në minutën e 86-të dhe Nijas Lena në të 90-tën, por Alijev në minutën e 94-të shuan çdo shpresë të durrsakëve duke vulosur përfundimisht në 4-2 rezultatin.
Një tre pikësh që e mban Kukësin në vendin e dytë me 13-pikë të grumbulluara, tre më pak se Skënderbeu që kryeson i vetëm.
Ndërkohë, në sfidën tjetër Kamza mori një fitore të madhe në fushën e saj kundër Vllaznisë me rezultatin e ngushtë 1-0.
Një fitore që u arritë në minutat e fundit të ndeshjes në të 86-tën me anë të Imerit që i dha tre pikë të arta ekipit të tij.
Kamza po tregon se është surpriza e këtij sezoni pasi tashmë renditet në vendin e 4-të me 9-pikë, ndërsa Vllaznia zhytet në krizë rezultatesh duke mos arritur që të fitojë prej shumë javësh.
Ndërsa në sfidën tjetër Laçi-Flamurati nuk pati asnjë fitues pasi rezultati përfundimtar u mbyll në shifrat 1-1.
Të parët që kaluan në avantazh ishin vlonjatët me anë të Bushiç, por kurbinasit barazuan me Reginaldon me një 11-metërsh.
Java e 5-të mbyllet në orën 17:00 me ndeshjen e fundit Partizani-Luftëtari që do të luhet në “Selman Stermasi”.