Në ekspozitën “Vizatime, Objekte dhe Video të Përzgjedhura” e artistes gjermane Rosemarie Trockel çelur në GKA, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se kjo ekspozitë që vjen në Shqipëri si pjesë e kalendarit të Tetorit Gjerman, është një tjetër bashkëpunim i rëndësishëm kulturor.
“Ky është bashkëpunimi i radhës mes dy vendeve. Pas hapjes së ekspozitës dy vite më parë në Dyseldorf, ja ku jemi përsëri me një tjetër bashkëpunim i cili ndihmon kulturën, artin dhe promovon artistët shqiptar dhe ata gjerman”, pohoi Kumbaro.
Rosemarie Trockel vlerësohet si një nga artistet më të famshme bashkëkohore sot në shkallë globale, e cila e shpreh vështrimin e saj krejtësisht vetjak për botën me anë të objekteve, skulpturave dhe instalacioneve.
Kjo ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një udhëtim eksplorues në veprat e kësaj artisteje shumëdimensionale: duke nisur nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek “Malmaschine” dhe video-instalacionet.
Skena artistike, e dominuar për kohë të gjatë nga meshkujt, e ka nxitur Rosemarie Trockel-in qysh herët për kundërvënie ndaj saj. Ajo vazhdimisht formulon pozicione kundërshtie dhe pasqyron pikëpamjen e saj si një përfaqësuese e botës së theksuar artistike femërore, dhe nuk kursehet as me kritika parimore ndaj sistemit ekzistues të artit. Por, pavarësisht qëndrimit të saj kritik, veprat e Rosemarie Trockel-it shfaqen për vizitorin si projektime të vrullshme mendimesh plot fantazi dhe si skica artistike qartësisht bindëse. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 3 Dhjetor.
Artistja bashkëkohore Rosemarie Trockel vjen për herë të parë në GKA. Bashkëpunimi më Ambasadën Gjermane në Tiranë dhe Institutin për Marrëdhëniet me Jashtë (ifa), realizohet në kuadër të Tetorit Gjerman dhe ekspozita është një nga aktivitet kulmore të këtij kalendari. Në ceremoninë e përurimit të ekspozitës mori pjesë edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schutz, kuratorja e ekspozitës, An Paenhuysen.