Thirrja e Prokurorisë për të dëshmuar, ja vendimi që ka marrë Saimir Tahiri

27 Tetor 2017, 13:14Kronika TEMA

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorit të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.

BW mëson se  Tahiri do të paraqitet sot në orën 14:00 në Prokurorinë për Krimet e Rënda ku do të ketë një takim me prokurorët e çështjes së tij.

 

Tahirit i ka mbërritur sot në banesë ftesa e cila mban firmën e prokurorit Besim Hajdarmataj dhe kërkohet në Prokurori për të dëshmuar.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e ish- ministrit Saimir Tahiri si i përfshirë me bandën e Habilajve, anëtarët e të cilëve janë arrestuar në Itali për trafik droge dhe armësh, por Kuvendi me votat e mazhorancës rrëzoi kërkesën e Prokurorisë.

Një ditë më parë, 4 oficerë të policisë gjyqësore kontrolluan banesën e ish-ministrit për disa orë me radhë. Kujtojmë se ditën e parë pas publikimit të përgjimeve të grupit “Habilaj”, Tahiri kërkoi një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla por që nuk u realizua kurrë.

Tahiri ka deklaruar më parë se nuk ka asnjë ore kohë për të humbur duke i kërkuar prokurorisë së Krimeve të Rënda të përshpejtojë procesin për zbardhjen e së vërtetës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje