Zgjatet misioni i Forcës Detare Shqiptare në operacionin e NATO-s në detin Egje. Gjatë vizitës së punës në Komandën e Forcës Detare në Durrës, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka bërë të ditur se misioni, parashikuar për t’u mbyllur në fund të këtij viti, do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
Një vendim i tillë, sipas Ministres së Mbrojtjes lidhet me rezultatet shumë pozitive që ekuipazhi shqiptar i anijes “Oriku” ka shënuar gjatë këtij viti kontribut në operacionet e kërkim-shpëtimit të emigrantëve në Egje.
“Kontributi njerëzor është ajo çka unë çmoj më shumë tek Forcat e Armatosura. Çdo ditë e më shumë ndjej krenari dhe mirënjohje pë refektivët e secilës prej forcave; Tokësore, Detare apo Ajrore.
Akoma më shumë ndihem krenare kur më vijnë informacione për rezultatet tuaja në operacionet e kërkim–shpëtimit në ujrat tona territoriale, e aq më tepër në misionet ndërkombëtare. E nuk mund ta fsheh kënaqësinë kur qytetarët nga e gjithë Shqipëria e jo vetëm ju përgëzojnë nëpër rrjetet sociale, media apo forume publike.
Me Forcën tonë Detare kemi kapërcyer ambicien tonë. Dhe pjesëmarrja e ekuipazheve tona, deri sot me anijen ‘Oriku”, e së shpejti me anijen “Butrinti”, në operacionin e NATO-s në detin Egje e konfirmon këtë fakt.
Angazhimi ynë fillestar ishte, të qëndronim në këtë operacion deri në fund të vitit 2017, por më lejoni t’ju bëj me dije se pak ditë më parë i kemi konfirmuar Aleancës, se djemtë dhe vajzat shqiptare do të vazhdojnë të patrullojnë në detin Egje edhe për 12 muaj të tjerë, për tëshpëtuar të tjerë jetë njerëzish, si ata 700 emigrantët sirianë, që i zbritët shëndoshë e mirë në breg apo të tjerë që do të kenë të njëjtin fat të mirë, përmes kontributit të ushtarakëve që valëvisin flamurin shqiptar në ujrat ndërkombëtare”, deklaroi Ministrja Xhaçka.
Në fund të muajit Nëntor, drejt detit Egje do të niset anija e dytë e Flotës Detare, e cila do të zëvendësojë “Orikun”. Për Ministren e Mbrojtjes, një tjetër lajm i mirë është pajisja e të 4 anijve të patrullimit me sistem të ri armatimi.
“E di, ka jo pak probleme që kërkojnë zgjidhje e vështirësi që duhen kapërcyer. Dhe unë jam e sigurtë që do t’ia dalim, duke nisur nga më e afërta, modernizimi i Forcave tona të Armatosura.
Së shpejti, anijet tona të patrullimit do të përfshihen në këtë proces modernizimi. Operacionaliteti i tyre do të rritet përmes sistemit modern të armatimit që do të instalohet këtu te “Iliria”, te “Butrinti” apo “Oriku”, që kthehet nga fundi i vitit nga deti Egje.
Këtë proces, kemi angazhimin maksimal për të përfunduar brenda këtij viti duke përforcuar kështu misionin e sovranitetit territorial apo edhe të ndihmës që mund të na kërkohet nga fqinjët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Ministrja e Mbrojtjes.
Anija “Iliria” është një prej anijeve që brenda pak muajsh do të pajisen për herë të parë me sistem modern armatimi.
Ministrja Xhaçka qëndroi për disa orë në bordin e anijes duke ndjekur stërvitje të ndërhyrjes së shpejtë në rast rreziku e duke drekuar me 12 pjesëtarët e ekuipazhit të anijes.