Trajneri i Turqisë, Mirçea Luçesku, ka folur gjatë në konferencën për shtyp në prag të përballjes që do të luajnë nesër kundër Shqipërisë në Antalia, duke iu referuar fillimisht kohës që kur ka marrë drejtimin e saj.
Tekniku rumun në fakt ka pak kohë te Turqia, por po e sheh se i rrezikohet seriozisht vendi i punës.
“Kam kaluar një kohë të suksesshme te Gallatasaraj dhe Beshiktashi. Nuk kam pasur shumë kohë për t’u njohur me skuadrën, kam ardhur vetëm pak para ndeshjes me Ukrainën.
Ndaj Rumanisë dhe Shqipërisë kam zgjedhur për të provuar lojtarë të rinj. Vetëm ndaj Rumanisë ishin 3 debutues në fushë. Për sa i përket Emre Morit, i kam thënë se duhet të luajë më shumë me ekipin e tij. Kombëtarja turke ka talente.
Nesër ndeshemi me Shqipërinë dhe shumë prej lojtarëve të saj luajnë në Itali. Pasi të arrijnë nivelin e duhur, edhe lojtarët turq duhet të largohen kështu.
Ata luajnë të gjithë në ekipet e tyre, edhe lojtarët tanë duhet të aktivizohen rregulisht me klubet e tyre. Besoj se kemi një kombëtare me nivel, por më duhet edhe ndihma juaj për të pasur sukses”, u shpreh Luçesku.