“Shqipëria do të mbështesë Kosovën në proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe NATO-n”, deklaroi sot në Prishtinë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, Xhaçka theksoi se ”Shqipëria do të jetë mbështetëse e fuqishme për Republikën e Kosovës, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj”.
Ministrja Xhaçka, e cila viziten e saj te pare zyrtare e zhvilloi ne Kosove, vlerësoi dinamikën e re qeverisëse të kryeministrit Haradinaj, thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë kosovare.
Haradinaj dhe Xhaçka biseduan për zhvillimet aktuale politike dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet të dyja shteteve, me fokus të veçantë mbrojtjen dhe sigurinë.
Kryeministri vlerësoi kontributin e Shqipërisë në sigurinë rajonale dhe globale si anëtare e NATO-s, që ka ndikim edhe për sigurinë e Kosovës.
“Kosova mbështet tek përvojat shqiptare në procesin e anëtarësimit në këtë institucion shumë të rëndësishëm të sigurisë globale”, nënvizoi Haradinaj.
Haradinaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe mundësinë e thellimit të mëtejshëm në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Gjatë takimit u bisedua edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila do të mbahet në 27 nëntor në Korçë, për arritjen e marrëveshjeve konkrete dhe zbatimin e tyre, me qëllim thellimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ministrja e Mbrojtjes e Shqiperise Olta Xhaçka eshte takuar me homologun e saj Rrustem Berisha, ndersa vizita ne Prishtine do te vijoje me nje takim me Presidentin e Kosoves Hashim Thaçi.