Konfederata e Industrive Shqiptare, një grupim i bizneseve në vend, kërkoi të hënën një vlerësim të përditësuar të kostos dhe përfitimeve që vijnë nga HEC-et në Vjosë, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit Rama të vënë moratorium për Vjosën.
Nga Ivana Dervishi
Konfederata e Industrive Shqiptare deklaroi të mërkurën se bizneset i konsiderojnë të papranueshme planet energjetike të HEC-eve në rrjedhën kryesore dhe anësore të lumit Vjosë dhe HEC-in e Kalivaçit.
Përmes një letre zyrtare dërguar kryeministrit Edi Rama, Konfindustria kërkoi një moratorium të HEC-eve në Vjosë, në mënyrë që të kryhen studime të reja gjithëpërfshirëse për vlefshmërinë ekonomike dhe mjedisore të hidrocentraleve nga aspekti i interesit publik afatgjatë.
“Është e papranueshme që veprat energjetike në lumin Vjosë të kryhen me studime ekonomike të vjetra 10 apo 20-vjeçare,” tha në deklaratën për shtyp të hënën, Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë.
Bizneset gjithashtu bënë thirrje të merren parasysh faktorë të ndryshëm si kriza globale, zhvillimet e reja në rrjetet energjetike dhe përditësimet e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
“Është e nevojshme të kryhen studime kosto-përfitim të plota mjedisore sipas standardeve të BE, që sot mungojnë krejtësisht në legjislacionin shqiptar të dhënies së koncesioneve,” shtoi grupimi i industrive të prodhimit dhe shërbimit në vend.
Konfederata e Industrive Shqiptare është grupimi më i fundit që i del kundër hidrocentraleve në Vjosë.
Përpjekjet për mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Europë kanë bërë bashkë artistë, aktivistë, shkencëtarë, organizata mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në tetor një grup muzikantësh shqiptarë i bënë thirrje qeverisë shqiptare të mbrojë Vjosën dhe natyrën e vendit nga hidrocentralet, përmes një koncert-proteste të organizuar në Tiranë.
Më herët në shtator, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh publikoi një studim sipas të cilit në lumin Vjosë u zbulua një pasuri biodiversiteti e përbërë nga qindra gjallesa të reja, dy prej të cilave të panjohura më parë për shkencën.
Sipas shkencëtarëve, lugina Vjosës përbën një habitat për shumë lloje kafshësh dhe bimësh që janë shumë të rralla ose janë zhdukur fare nga lumenjtë e tjerë të Evropës. Megjithatë, shumë prej këtyrë gjallesave tashmë kërcënohen të zhduken nga ndërtimi i planifikuar i hidrocentralit të Poçemit dhe ai i Kalivaçit.
Planet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar hidrocentrale mbi lumin Vjosë janë kritikuar edhe nga Parlamenti Europian, që i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare të marrë në konsideratë propozimin për ta kthyer luginën në një park kombëtar.
228 shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës iu bashkuan në shtator 2016 përpjekjes së aktivistëve dhe studiuesve shqiptarë për të mbrojtur lumin Vjosë dhe kërkuan një moratorium 3-vjeçar për t’i dhënë kohë ekspertëve të studiojnë në thelb pasuritë ekologjike të saj.
Përveç biodeversitet të pasur të luginës që rrezikon të shkatërrohet nga ndërtimi i digave të hidrocentraleve, shkencëtarët gjithashtu kanë ngritur pikëpyetje mbi leverdinë ekonomike të ndërtimit të HEC-eve në Vjosë, duke nënvizuar se matjet e prurjeve të sedimenteve tregojnë që prodhimi i energjisë pas ndërtimit të digës së Poçemit nuk do të zgjaste më shumë se 25-30 vjet, pasi rezervuari do të mbushej plotësisht me zhavorr dhe rërë.
Organizatat mjedisore në Shqipëri dhe Ballkan i kanë cilësuar si të dëmshme për mjedisin dhe në kundërshtim të interesave të banorëve të zonës, ndërtimet e HEC-eve në Vjosë.
Bravo Gjergi! Në vend që të shkatërrosh atë anë të lumit është më mirë të ofrosh familje prodhim të vogël të energjisë diellore në kulmet. Ata do të kontribuojnë 10 herë më shumë energji elektrike në sistem dhe do të zvogëlojnë humbjet (vjedhjet). Por marrëveshja me turqit mund të ofrojë avantazhe më të larta! A ishte një tender ndërkombëtar konkurrues?
Kush jane ato kafshe te vetme ne luginen e Vjoses qe nuk gjenden ne bote, pse nuk e thoni por flisni me terma te pergjithesh allademoktaikse?
Na ka mbetur mendja te hidrocentralete, si qemoti. Sot, ne vend te ujit bota shfrytezon energjine diellore dhe eren. Ka vende qe e kane lene te lire investimin ne panelet diellore. Ai qe gjen token dhe ka mundesi investimi bujrum le te ngreje panele diellore, shteti I siguron vetem futjen e produktit ne sistemin energjetik, pra tregun e shitjes. Tek ne qeverite bejne cfare te duan me pasurite kombetare, shesin lumenjte, privatizojne pronat dhe i tjetersojne ato, ligji 7501, sikur te mos kete qytetar dhe interesa qytetare ne kete vend. Per trajtimin e pasurive te patundshme duhet te ndryshohet ligji. Te drejten e vendimmarrjen te mos e kete vetem shteti por dhe komuniteti. Shteti dhe individi mund te doje te ndertoje nje pallat 20 katesh ne pronen private por a I intereson komunitetit qe banon aty? Komuniteti te pyetet me votim dhe nese po te behet perndryshe shteti te mbledh bishtin e te iki. Keshtu behet ne Zvicer. Nuk ndertohet pa dakordesine e komunitetit, prandaj Zvicra eshte ajo qe eshte dhe qytetari ndihet vertet qytetar e Jo I neperkembur. Ne I lutemi Kryeministrit, aman mos na prish Valbonen e mos nderto ne Vjose sikur ai eshte Zeusi. Kryeministri dhe kryebashkiak nuk duhet te kene fuqi as te ndalojne por se pari te mos ndertoje ku to done qejfi. Ne u kemi dhene fuqi te pakontrollushme shtetarve dhe ata bejne cfare te duan me ne, me pronat dhe te ardhmen e vendit. Vjosa eshte pasuri kombetare, eshte e rralle, e duam ne, e duan evropianet dhe duhet mbrojtur. Hidrocentralet nuk Jane e vetmja menyre per ta mireperdorur ate dhe shtetaret nuk e duan sa e duan qytetaret e zones e te mbare vendit.