Marko Radas është i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH. Mbrojtësi i Skënderbeut pranoi se Partizani nuk është rival i Skënderbeut për titull këtë sezon, duke qenë se tashmë të kuqtë janë 13 pikë larg korçarëve në renditje.
“Pasi mësuam se Vangjeli nuk ishte i gatshëm për të luajtur për shkak dëmtimi, folëm me trajnerin dhe menduam që unë të qëndroja në qendër të mbrojtjes, pasi ndihem më komod. Në atë moment u vendos që Taku të ishte mbrojtës i djathtë sot kundër Partizanit.
Fizikisht ishte një ndeshje e vështirë për shkak të lodhjes nga Europa League. Edhe fusha ishte shumë e keqe, sidomos në pjesën e dytë kur terreni u rëndua.
Partizani rival për titull? Jo nuk është rivali ynë për titull. Në fakt, Partizani e humbi shansin për të qenë rival për titull duke nisur që nga java e 5-të.
Ndeshja me Kukësin? Do të jetë një tjetër sfidë. Do hyjmë në fushë për fitore, sepse në rast se do të marrin tri pikët do të shkojmë 9 pikë larg Kukësit. Kjo do të thotë se do të kemi shans për të mbyllur në një farë mënyre çështjen e titullit.
Për aq vite sa kam unë te Skënderbeu, Ilir Daja është trajneri më i mirë taktikisht se të gjithë të tjerët.
Bën analizë shumë të detajuar për kundërshtarët. Është shumë i aftë në këtë pjesë”, tha Radas në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH.