Dejvi Bregu duket se ka marrë rrugën e kthimit në Vlorë. Nuk ka ende një marrëveshje, por gjërat janë vënë në rrugë të mbarë. Trajneri Shpëtim Duro konfirmon lajmin, duke thënë për “Vip Sport” se tashmë është marrë edhe konfirmimi nga klubi gjirokastrit për kalimin e Bregut te Flamurtari. Futbollisti ka kontratë me gjirokastritët deri në fund të sezonit, por tashmë e ka marrë lejen për t’u larguar në janar për tek ish-ekipi i tij.
“Në kuadrin e bashkëpunimit me klubin e Luftëtarit, kemi arritur një marrëveshje që e lejon Bregun të bashkohet me Flamurtarin. Tani presim vetëm që të biem dakord edhe me vetë lojtarin. Bregu është një dëshirë e hershmja e imja’, – ka thënë shkurt për “Vip Sport” trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro.
Vlonjatët duken mjaft aktivë në merkato, pasi vetëm dje bënë zyrtarizimin e parë me marrjen e sulmuesit Igor Nedeljkoviç. Nëse marrim edhe Bregun, ata bëhen të frikshëm dhe pse jo pretendentë për titullin kampion.
Në garë për Bregun është edhe Skënderbeu dhe mbetet për t’u parë zgjedhja që do të bëjë vetë lojtari.