Mbulimi i katastrofave: Nga sigurimet apo nga buxheti?

8 Dhjetor 2017, 18:14Blog TEMA

Nga Gjon Ndreja

Pas asaj që ndodhi me përmbytjet e ditëve të fundit ,me shumë të drejtë opinion publik por edhe qeveria është përfshirë në gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme për të përballuar pasojat e katastrofave natyrore të cilat kanë një impakt të rëndësishëm në jetën e qytetarëve dhe në ekonominë e vendit. Alternativat në këtë drejtim janë reduktuar në dy. Pasojat e katastrofave  do të përballohen nga shoqëritë e sigurimeve apo nga buxheti i shtetit? Meqenëse frekuenca e këtyre fenomeneve në këto vitet e fundit është relativisht  e madhe po t’i referohemi përmbytjeve nga vërshimi i lumenjve , ndërkohë që katastrofa të tjera natyrore janë  të mundshme si tërmetet etj., duhet të  imponojnë gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afat gjata. Duke shmangur në këtë shkrim trajtimin e detyrimeve që ka çdo qeveri në marrjen e masave për minimizimin dhe parandalimin e pasojave të këtyre fatkeqësive, çështje e cila kërkon një program veprimi të qartë dhe masa konkrete, po përpiqemi të paraqesim disa avantazhe dhe disavantazhe të  formave të mësipërme për përballimin e pasojave nga katastrofat natyrore e vlerësuar kjo  në kushtet e vendit tonë.

Sigurimet

Mbulimi i pasojave të katastrofave natyrore nga shoqëritë e sigurimeve është forma më e përhapur aktualisht në botë. Në këtë rast shoqëritë e sigurimeve vetë drejtpërdrejt ose nëpërmjet risigurimeve në kompanitë e mëdha e të fuqishme marrin përsipër mbulimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga katastrofat natyrore. Zakonisht mbulimi me sigurim nga katastrofat natyrore si përmbytjet ose tërmetet nuk është një produkt i veçantë por llogaritet si rrezik shtesë në mbulimin nga zjarri. Përvoja e vendit tonë është jashtëzakonisht e varfër në sigurimet e jo jetës ku bëjnë pjesë edhe këto produkte sigurimesh, kjo për shkak si të kulturës së trashëguar por edhe nivelit  ekonomik   të  popullsisë.

Referuar Raportit të AMF për vitin 2016 sigurimet e pronës zënë vetëm  19 % të totalit të primeve të fituara nga shoqëritë e sigurimeve. Po të kemi parasysh edhe faktin se një pjesë e konsiderueshme e këtyre sigurimeve janë të detyruara nga bankat për shkak të kredive të marra nga subjektet, atëherë   sigurime të tilla në formën vullnetare,  janë në nivele shumë të ulëta krahasuar edhe me vendet e rajonit. Do të ishte një gjë shumë e mirë në se, qoftë edhe në mënyrë të detyrueshme siç mendon qeveria, të arrihej që të mbuloheshin me sigurim këto fatkeqësi por në të vërtetë kjo paraqet disa vështirësi serioze në praktikë.

Kështu referuar INSTAT-it numri i familjeve në vendin tonë  është mbi 768 mijë. Kjo do të thotë që shoqëritë e sigurimeve të lëshojnë 768 mijë polica  sigurimi (kontrata) të cilat, secila kërkon një vlerësim të veçantë të rreziqeve mbi bazën e të cilave do të caktohet edhe primi i sigurimit, i cili si rregull është i ndryshëm për çdo kontratë. Në rastin e ndodhjes së ngjarjes së sigurimit (katastrofës) shoqëritë e sigurimeve kërkohet të bëjnë vlerësime specifike për çdo rast të veçantë, gjë  e cila kur ngjarja  ndodh një herësh si në rastin e katastrofave, paraqet mjaft vështirësi na kushtet aktuale. Niveli i primit të sigurimit parashikohet të jetë i lartë për shkak të elementëve përbërës të tij. Aktuarët, kur llogarisin nivelin e primit, mbajnë parasysh se  ai duhet të mbulojë, koston administrative të shoqërive të sigurimit, koston e zëvendësimit të dëmit, një fitim për shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit si dhe  TVSH-në e cila derdhet në buxhet.

Mbulimi i këtyre komponentëve e rrit në mënyrë të dukshme primin në krahasim rimbursimin e dëmeve. Nga ana tjetër duke qenë se katastrofat natyrore konsiderohen  një rrezik shtesë i rrezikut kryesor zjarrit, si dhe ekspozimit ndaj këtij rreziku, mendohet që edhe numri i familjeve të siguruara të reduktohet dhe kjo do të ndikojë në rritjen e nivelit të primit. Kështu fjala vjen, nuk mund të sigurohen nga përmbytjet familjet që nuk e kanë një rrezik të tillë si p.sh. ata që banojnë në pallate shumëkatëshe apo nga tërmetet, aty ku historikisht nuk janë vërtetuar ngjarje të tilla. Cedimi i primeve për shkak të risigurimeve bën që  pjesa kryesore e primeve të fituara të transferohet në shoqëritë e risigurimeve jashtë vendit  gjë e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në treguesit makroekonomikë të vendit. Nëpërmjet sigurimit të detyrueshëm, qeveria i “lan duart” me qytetarët por jo “fytyrën”.

Sipas këtij mekanizmi qeveria “bën biznes” dhe parashikohet të mobilizojë në buxhet jo më pak se 5 milion euro në vit, nëpërmjet TVSH-së që do të marrë nga shoqëritë e sigurimeve për sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat. Në se ngjarja e sigurimit nuk ndodh, i gjithë kontributi shkon në favor të shoqërive të sigurimit dhe qytetarët duhet të paguajnë sërish vitin tjetër. Në këto rrethana për kushtet e vendit tonë, mendoj se duhet konsideruar edhe alternativa tjetër, ajo e mbulimit nga buxheti nëpërmjet krijimit të instrumenteve adekuatë.

Krijimi i fondit të solidaritetit

Edhe pse në një shkrim të mëparshëm jam shprehur për ndërhyrjen e shtetit në tregun e sigurimeve (pa përcaktuar mjetet dhe instrumentet) me qëllim përballimin e këtyre katastrofave kjo nuk më pengon të parashtroj edhe idenë e mbulimit nga buxheti të katastrofave por në një mënyrë dhe me instrumente më të qarta. Në të vërtetë deri tani të gjitha fatkeqësitë natyrore janë përballuar nga buxheti nëpërmjet fondit rezervë ose të kontigjencës të cilat janë planifikuar çdo vit duke i zbritur nga të ardhurat e siguruara nga tatim taksat etj.

Por në mënyrë që këto fonde të kenë një destinacion më të përcaktuar, do të ishte me vend që për një çështje kaq madhore, hyrjet në buxhet të ishin me destinacion më të qartë. Kështu mund të vendosej një taksë e re e cila mund të quhet “taksë e solidaritetit”, e destinuar për  të përballuar dëmet e shkaktuara nga katastrofat natyrore. Në eksperiencën tonë ne kemi vendosur një të tillë për rrugën Durrës-Kukës megjithëse nuk ishte shumë e moralshme, apo një e tillë me emrin taksa për arsimin ekziston akoma. Kjo e fundit në këndvështrimin tim e ka humbur aktualitetin dhe fare mirë mund të zëvendësohet me taksën e solidaritetit për katastrofat natyrore madje edhe në një shumë të barabartë pa rënduar xhepat e qytetarëve.

Ndokush mund të më akuzojë për natyrën komuniste të kësaj takse,ashtu si të tjerë mund të thonë rëndom se “kështu nuk e ka bota”, e ndërkohë unë më shumë merakosem për aplikimet shabllone të botës. Kjo taksë do të paguhet nga çdo familje dhe parashikohet të jetë vetëm sa gjysma e primit të sigurimit që kanë parashikuar kompanitë e sigurimeve. Të ardhurat e pa përdorura nga kjo taksë do të mbarten vit pas viti dhe do të krijojnë fondin e konsoliduar të solidaritetit. Duke qenë sa gjysma  e primit mesatar që propozojnë kompanitë e sigurimeve, ose në masën 15 euro në vit (167 lekë në muaj), parashikohet që brenda tre vjetëve të  sigurohet një fond i konsoliduar i aftë të përballojë katastrofat natyrore të mundshme dhe të krijojë mundësinë e investimeve në këtë fushë. Pasi ky fond të jetë maturuar, madhësia e tij mund të “axhustohet” çdo vit në funksion të përdorimit dhe nevojës për investime dhe flukseve hyrëse.

Avantazhet e kësaj forme konsistojnë në kontributin e reduktuar të taksa paguesve,  shpërblimin e menjëhershëm të dëmeve, në edukimin e popullsisë për të paguar lidhur me përballimin e katastrofave, në efektivitetin e përdorimit të fondit ku i gjithë kontributi shkon për përballimin e katastrofës ndryshe nga primi i sigurimit, ku llogaritet se vetëm rreth 50 % e tij shkon për këtë qëllim, në akumulimin e kontributit etj. Përgjegjësia për menaxhimin e këtij fondi mund ti adresohet Drejtorisë Përgjithshme të Emergjencave Civile, ashtu siç mund të krijohet edhe një axhensi e re qeveritare apo të trajtohet në nivel të qeverisjes lokale.

Le të konkurrojnë të dyja format.

Duke e bërë të detyrueshëm sigurimin në shoqëritë e sigurimit,  ato vihen në pozita monopol dhe ekziston rreziku i marrëveshjes midis tyre për ndarjen e tregut dhe caktimin e primeve. Për ta bërë më të konkurrueshme është e mundur që të konkurrojnë të dyja format që përmendëm më sipër. Kështu do të ulet edhe “oreksi” i shoqërive të sigurimit për rritjen e primit por qytetarët do kenë mundësinë  e zgjedhjes ashtu siç do të mbajnë përgjegjësinë për këtë zgjedhje. Shoqëritë e sigurimeve mund të ofrojnë shërbime shtesë ose prime më të ulëta për të fituar tregun. Kushdo që ka zgjedhur të sigurohet në shoqëritë e sigurimeve dhe disponon  një policë sigurimi do  të përjashtohet nga taksa e solidaritetit.

Nga ana tjetër buxheti do të mbulojë vetëm pronat e familjare por jo ato të biznesit. Ky i fundit qoftë biznes me karakter industrial apo bujqësor, në mënyrë të detyrueshme duhet t’i drejtohet shoqërive të sigurimit. Nuk është ndonjë  kosto e madhe që, për të siguruar tufën e deleve një fermer të sakrifikojë një ose dy kokë prej tyre ashtu kurse një prodhues duhet të cedojë pak fitimet për të siguruar pronën dhe biznesin. Qeveria nuk ka dhe nuk duhet të ketë  përgjegjësinë e mbulimit të humbjeve në rast katastrofe për kategorinë e bizneseve. Qeveria mund të ndërmarrë politika të veçanta lidhur me përjashtimin nga taksa e solidaritetit të shtresave në nevojë. E kështu të konkurrojnë të dyja format, kush të sigurojë një shërbim më efikas për qytetarët, le të fitojë.

4 komente në “Mbulimi i katastrofave: Nga sigurimet apo nga buxheti?”

  1. Artan says:

    Nuk e ka Italia te detyrueshem kte lloj sigurimi e do e ket shqiperia qe esht vend i botes se trete. Cfar flet o zotni…nje pensionist te paguaj shoqerite mafioze te sigurimit??? Sa te kan paguar per kete shkrim???

    1. Andrea says:

      Me sa duket nuk e jemi lexuar shkrimin Artan

  2. AGIM ANASTASI says:

    EDHE NJEHERE,SIGURIMI I SHTEPISE KUDO ESHTE JO I DETYRUSHEM. PRA ESHTE FAKULTATIV. E DYTA SHTETI NUK ESHTE FIRME SIGURACIONI. SIGURACIONI BEHET PRIVAT. E TRETA SHTETI NUK ESHTE I DETYRUAR TE PAGUAJ PER ATA QE KANE NGRITUR KU MUNDET SHTEPI PA LEJE PASI KJO I FRYN IFORMALITETIT. NE FUND KAM NJE PYETJE PER ARTIKUULL SHKRUESIN. UNE E KAM SIGURUAR SHTEPINE PRIVATISHT. A DUHET SHTETI TE ME KERCENOI PER PAGESE ? NJE THIRJE PER EDI RAMEN. KE VENE AQ SHUME TAKSA SA NIVELI I TYRE PO KALON TE ARDHURAT E INDIVIDIT. PO QE SE VAZHDON KESHTU SHUME SHPEJT DO PERBALLESH ME PROTESTA. DIKTATURA EKONOMIKE QE PO ISTALON ESHTE SHUME ME E RENDE SE DIKTATURA KOMUNISTE. NE SE ARKA ESHTE BOSH MOS IVESTO PER RRUGE PER PROPOGANDE DHE TENDERA. SHTRI KEMBET SA KE JORGANIN.

  3. Kellira says:

    O koqe kandari!
    Nuk ka shoqeri sigurimesh qe te pranoje me te siguru aty ku rreziku i permbytjes eshte i larte. Gjysma e ketyre qe permbyten kane ndertuar ne shtrate lumenjsh dhe zona me risk te larte.
    Nga buxheti duhet me taksu shqiptaret. E kupton se cfare po thua?! I fut dhe nje llaf te bukur: Fond solidariteti. Pse?!
    Ai ka ndertuar ku i do trapi, shtepi 4 kateshe dhe une qe jetoj si klysh kurve ne apartament te paguaj per ate!!!
    Ne cilin vend te botes ndodh kjo?!
    Ta zgjidhi vete sic e zgjidhi kur ndertoi ku i deshi trapi. Te sigurohet (po e siguruan) por shqiptari vetem pret pare nga shteti dhe as ka shans te fuse doren ne xhep ose te zhvendoset diku tjeter. Nga xhepi im s’duhet te dale asnje lek!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje