Partizani, Starova: Objektivi ynë është të fitojmë ndeshjen, ashtu siç e ka edhe Teuta

9 Dhjetor 2017, 13:37Sport TEMA

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka folur në konferencën e sotme për shtyp për duelin e nesërm kundër Teutës dhe ecurinë e skuadrës.

Tekniku i 15 herë kampionëve të vendit u shpreh ekipi do të synojë vetëm fitoren përballë një kundërshtari që ka të njëtin synim si Partizani.

Starova foli dhe për gjëndjen e skuadrës, pretendimet deri në fund të sezonit dhe për “çështjen” Adorjan i cili mund të largohet nga skuadra në janar.

“Rotacion në formacion nuk kam pse të bëj, nëse do të jetë ose jo Bardhi. Një futbollist mund të zëvendësohet kokë për kokë. Nuk bëhet fjalë për rotacion. Lojtarët që luajnë duhet të japin maksimumin. Teuta është një skuadër që ka pasur oshilacione. Ka një ekip të ri, por luajnë futboll të bukur. Ka një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. Ne nuk kemi luksin të ndërrojmë lojtarë për këtë ndeshje. Objektivi ynë është të fitojmë ndeshjen, ashtu siç e ka edhe Teuta. Ndeshja parashikohet të jetë shumë e fortë. Skuadrat luftojnë për të marrë pikët. E parashikoj një takim të vështirë. Lojtarët duhet të jenë të gatshëm për ta fituar këtë sfidë”

 – Për sa kohë do të jetë sulmues Progni?

Starova: Pyetja do të ishte për sa kohë do të vazhdojë të luajë mbrojtës i djathtë. Sulmues e aktivizon si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Ai sulmues ka luajtur gjithë kohën. Ne kemi kënaqësinë që Progni ka ardhur në formën e vet. Është një lojtar që është rritur në akademinë e Partizanit. Është rikthyer pas një eksperience nga jashtë shtetit dhe është aktivizuar në mjaft ekipe në vend. Të gjithë futbollistët janë super të gatshëm për të qenë pjesë e formacionit.

 – A do të ketë ndonjë ndryshim në skema, pasi Partizani me ju është i paparashikueshëm?

Starova: Unë nuk jam shumë dakord. Pasi ne kemi një mënyrë skeme të vetme. Për ndonjë gjë të vogël, falënderoj futbollistët që arrijnë të kthejnë skemën. Skemat janë të gjithë komshinj me njëri-tjetrin. Edhe një herë falënderoj lojtarët që adaptohen siç duhet. Jemi një grup i gatshëm për të marrë maksimumin.

– Ka një ultimatum për Edgar Çanin. Ç’mund të thoni?

Starova: Ai lojtar nuk është i gatshëm për të luajtur futboll. Ai nuk mund të marrë ngarkesën si të gjithë lojtarët e tjerë. Nuk bëhet fjalë të jetë pjesë e skuadrës me këtë gjendje që ka tani.

 – Asani deklaroi se do të luftojmë pë titullin kampion. Mos është rritur doza e objektivave?

Starova: Unë atë deklaratë të Asanit e kam marrë si një veprim pozitiv. E kam marrë si një mendim që ka ai për ta parë skuadrën aty te titulli. Ëndrra e tij kur ka ardhur ka qenë të marrë titullin kampion. Nuk besoj se ka lojtarë që nënvlerësojnë kundërshtarin. Kjo lloj konkurrence, të bën të rrezikosh për objektivat. Nuk bëhet fjalë për ndonjë simptomë të tillë.

 – Largimi i disa lojtarëve ka bërë grupin më të fortë. Është e vërtetë?

Starova: Logjika është kjo. Disa nga lojtarët që po shihni sot, janë ata lojtarë që ishin pjesës e skuadrës më të mirë të vitit të kaluar. Pretendimet e presidentit Demi që skuadra duhet të jetë gjithmonë në elitë pasi po shpenzohet shumë për të. Jemi skuadër që investohet dhe ka tiparet e një klubi modern. Duhet durim për njerëzit që kërkojnë ta shohin gjithmonë lart.

 – Adorjan a do të largohet pas janarit?

Starova: Adorjan është një lojtar që është gjithmonë i gatshëm. Është futbollist që ka cilësi pozitive. Është pjesë e 18-shes, por jo pjesë e formacionit. Sigurisht që Adorjan është një lojtar që mund të kontribuojë për skuadrën por mund të të jap kënaqësinë të të them që është i shtrenjtë. Në qoftë se mund të ulet nga kontrata, edhe mund të qëndrojë.

 – Teuta do të ketë mungesa në mesfushë. Mendoni se aty do të jetë pika juaj më e fortë?

Starova: Nuk besoj se mungesa e tyre do të jetë problematik. Nëse do të mungonte ndonjë portier, atëherë mund të shpresonim. Teuta ka lojtarë të rinj dhe luajnë shumë mirë. Për ta vërtetuar këtë, mund t’iu kujtoj lojën me 10 veta. Ka një skuadër shumë të mirë. Jemi super të përgatitur për të marrë një rezultat pozitiv.

 – Thonë që i mbyturi të mbyt…

Starova: I mbyturi të mbyt nuk i shkon Teutës. Në llim të kampionatit, Teuta ishte në vend të parë ose të dytë. Këto janë oshilacione. Është investuar për të qenë një nga skuadrat më të mira në vend. Kjo që po them nuk është diplomaci, por realitet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje