Shqiptarët shpenzojnë më shumë para për "llaç e tulla" dhe hotele, dobët tregtia dhe industria

14 Dhjetor 2017, 16:39Ekonomia TEMA

INSTAT ka publikuar sot statistikat afatshkurtra për aktivitetin e shërbimeve dhe prodhimit për tremujorin e  tretë, që janë treguesi më i hershëm i Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Të dhënat tregojnë se sektori që po shënon ecuri më të mirë është ai i lidhur me turizmin: hotelet dhe agjencitë e udhëtimit. Ecuri pozitive kanë edhe aktivitetet e shërbimeve. Ndërsa sektori i tregtisë është ngadalësuar, siç rezultoi dhe nga Indeksi i tregtisë me Pakicë i publikuar dje po nga INSTAT. Në rënie janë edhe telekomunikacionet.

Në prodhim, ecuri të mirë ka vijuar të reflektojë ndërtimi dhe energjia, ndërsa sektori i industrisë është ngadalësuar dukshëm.

Shërbimet

Treguesit kryesorë tremujorë mbi shërbimet, përfshijnë aktivitetet ekonomike: tregti, transport, magazinim dhe postë; hotele; informacioni dhe komunikacioni; aktivitete të arkitekturës dhe inxhinierike dhe agjenci udhëtimi.

Në sektorin e tregtisë, indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 1,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rënie 0,2%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në aktivitetin transport, magazinim dhe posta, i  cili përfshin transportin hekurudhor të mallrave, detar, ajror, magazinimin dhe aktivitetin postar, në tremujorin e tretë 2017, Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 4,5%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rënie 2,6%.

Në sektorin e hoteleve, Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 17,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje 2,5%.

Në aktivitetin informacion dhe komunikim, i cili përfshin aktivitetin e publikimit, telekomunikacionit si dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit, Indeksi i shitjeve neto në volum u ul 2,2%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje 3,3%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në aktivitete arkitekture dhe inxhinierike, i cili përfshin aktivitete arkitekturore dhe inxhinierike, aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike, Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 13,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht  shënoi rritje 4,9%.

Në aktivitetin agjenci udhëtimi, Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 24,4%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht  shënoi rritje 19,4%.

Prodhimi

Në aktivitetin Ndërtim, Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 19%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht u ul me 3,4%.

Në industri, indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 2,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rënie 4,9%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në aktivitetin Energji elektrike, gaz, avull indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 21,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues i përshtatur sezonalisht u rrit 15,5% krahasuar me tremujorin paraardhës.(monitor)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje