Nga Andrea Danglli
“Flakadanë të hedhur, shkopinj të thyer, përplasje të forta fizike dhe gjysmë fjala betohem” ky ka qenë sfondi që shoqëroi zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme Arta Marku dhe fundin e mandatit shtatë vjeçar të Adriatik Llallës.
Zgjedhja e emrit të ri në krye të akuzës, ashtu siç ishte paralajmëruar u shndërruar në një “mollë sherri” mes opozitës dhe mazhorancës duke ofruar shfaqje të dhunshme si brenda ashtu edhe jashtë mureve të Kuvendit.
Në njërin kamp qëndronte Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim të cilat e cilësuan procedurën si antikushtetuese, dhe në anën tjetër kampi i mazhorancës me Partinë Socialiste që shpallën mbështetje për kandidaten Arta Marku.
Ndërkohë, opozita kishte thirrur për të protestuar përpara portës së Kuvendit rreth 3000 qytetarë të cilët përkrahën tezat e tyre për formën se si duhet të zgjidhej kryeprokurori.
Pas rreth dy orësh përplasje brenda dhe jashtë parlamentit, Partia Socialiste mundi të votojë dhe zgjedhë me 69 vota pro, dy kundër dhe dy abstenime kryeprokuroren e re Arta Marku.
Kjo e fundit pritet të shërbejë në krye të këtij institucioni deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që do të zgjedhë emrin e ri sipas rregullores së miratuar si pjesë e paketës “ reforma në drejtësi”.
Për opozitën e vendit, procesi shënoi një puç institucional duke e konsideruar si përpjekje të mazhorancës për të vënë nën kontroll drejtësinë.
“Lufta” brenda Kuvendit
Partia Socialiste njoftoi përpara nisjes së seancës plenare se do të mbështeste emërimin e Arta Markut në krye të këtij institucioni nga tre kandidatët e propozuar nga Komisioni i Ligjeve Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani.
Nga ana tjetër deputetët e opozitës kishin kërkuar përmes tre grupeve parlamentare PD, LSI dhe PR, heqjen e pikës pesë nga rendi i ditës që kërkonte zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme.
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi hapi votimin lidhur me këtë kërkesë të opozitës e cila u rrëzua me shumicë votash nga deputetët e mazhorancës.
Kryedemokrati LulzimBasha kërkoi fjalën ku nga foltorja e Kuvendit tha se po shkelet rëndë Kushtetuta e Republikës.
Edhe ish-lideri i PD-së Sali Berisha pati një reagim të fortë në Kuvend duke e cilësuar procesin si një luftë ndaj parlamentit. Berisha shkoi me tutje duke kërcenuar edhe me djegie mandatesh, ç’ka më vonë nuk do të gjente përkrahje brenda selisë blu.
“Me këtë akt, ky horr shpall luftë në Parlament dhe të jetë i bindur që do t’i qëndrojmë dhëmb për dhëmb dhe fije për fije kryepisit të Shqipërisë, kryehorrit të Shqipërisë, atij që kërkon sot të bëhet edhe kryeprokuror i Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
Fjala e tij u shoqërua edhe me një incident të shkaktuar nga deputeti demokrat Flamur Noka i cili sulmoi gardën e Republikës. Fill pas konfrontimit fizik të Nokës, në foltoren e Kuvendit u pozicionuan edhe deputetë të tjerë të opozitës të cilët u shtynë me njëri-tjetrin për të çarë punonjësit e gardës.
Ndërkohë, qëndrimi i Lëvizjes Socilaliste për Integrim ishte mjaft i ashpër ku deputetët e saj përplasnin tavolinat dhe adresonin akuza të forta nga vendi. Kryetarja e kësaj partie Monika Kryemadhi, pati një moment të pazakontë kur “shpërtheu” me fjalë fyese dhe sende të hedhura ndaj kabinetit qeveritar dhe veçanarisht kryeministrit Edi Rama. Kryemadhi ju drejtua Ramës duke i thënë“ By*** qi*, plehrë, hajdut, rreh gratë, do të marr zvarrë…”
Këto momente nuk janë transmetuar në media pasi kryeparlamentari Gramoz Ruçi kishte urdhëruar ndërprerjen e seancës parlamentare dhe nxjerrjen e gazetarëve jashtë. “TemA” siguroi videon të cilën keni patur mundësi për ta ndjekur në faqen e saj elektronike. (www.tema.al)
Në prag të betimit të prokurores së re Arta Marku, deputeti demokrat Flamur Noka hodhi disa flakadanë tymues brenda sallës së parlamentit duke shkaktuar një gjendje kaosi. Edhe deputetët e tjerë opozitare e shprehën revoltën e tyre me brohoritje, fishkëllima dhe goditje tryezash.
Pavarësisht atmosferës së krijuar, Ruçi urdhëroi hapjen e votimit duke shpallur rezultatin me 69 vota pro Arta Markut, dy kundër dhe dy abstenime.
Pas mbylljes së seancës, PD dhe LSI ju bashkuan tubimit përpara Parlamentit ndërsa kryeministri Edi Rama zgjodhi ta bëjë reagimin e tij të parë në një konferencë të menjëhershme për mediat. Ai e konsideroi sjelljen e sotme të opozitës, si një përpjekje të dështuar për të bllokuar reformën në drejtësi.
“Nuk mendoj që janë cenuar mundësitë për çeljen e negociatave por çdo shfaqe e tillë i bën dëm Shqipërisë. Çdo shfaqe e tillë i bindem të gjithë Shqipërisë. Në këtë aspekt kjo shfaqe ishte kundër Shqipërisë, në vijim të një procesi, që kishte balt dhe tym që bie mbi Shqipërinë” u shpreh Rama.
“Lufta” jashtë Kuvendit
Gjatë fundjavës opozita e vendit paralajmëroi një protestë masive që sipas tyre do të pengonte zgjedhjen e Prokurorit të ri të përkohshëm. Madje disa eksponentë në të dyja kahet shkuan më tutje duke premtuar rrëzimin e qeverisë “Rama”.
Nisur nga deklaratat e selisë blu dhe ato të selisë së LSI, pritshmëritë e opinionit publik ishin mjaft të mëdha.
Policia e Shtetit në kuadër të masave, rrethoi që në orët e para të mëngjesit perimetrin jashtë kangjellave të Kuvendit duke vendosur disa kordonë me policë.
Sipas burimeve të “TemA” policia vendosi në shërbim 800 efektivë nga komisariatet e kryeqytetit duke shtuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe forcat RENEA. Burimet shtuan se brenda turmës u angazhuan edhe dhjetëra civilë për të kontrolluar mbarëvajtjen e tubimit.
Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, pjesëmarrja në protestë përllogaritur me sy të lirë nuk i kalonte 3 000 pjesëmarrës, ç’ka i nxiti organizatorët që të lenë bosh hapësirën përgjatë rrezes së Kuvendit duke përqendruar të gjithë njerëzit në portën hyrëse.
Gjatë protestës përplasja mes efektivëve dhe protestuesve u përshkallëzua disa herë duke pasur konfrontime të vogla. Si pasojë e dhunës së ushtruar, gurëve dhe sendeve të hedhura drejt policisë, ngelën të dëmtuar 6 efektivë dhe disa qytetarë.
Prova e parë PD-LSI
Çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri shërbeu edhe si një gur prove për bashkëpunimin e parë mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Edhe pse mes tyre ka pasur një flirt të gjatë politik, sot u konkretizuan në një aksion të përbashkët opozitar për të përmbushur objektivat e tyre politik.
Kryedemokrati Lulzim Basha dhe liderja e LSI-së Monika Kryemadhi, folën mes turmës së mbledhur duke paralajmëruar protesta të reja gjatë muajit janar.
Kryeprokurorja e re
Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku ka mbaruar studimet universitare në vitin 1999 dhe shkollën e magjistraturës në vitin 2001.
Marku ka punuar për një periudhë të gjatë kohore në prokurorinë e Fierit dhe atë të Shkodrës ku mbajti detyra të ndryshme si shefe e njësisë task-forcë në vitin 2006 apo edhe zëvendës drejtuese deri në vitin 2016.
Referuar CV së paraqitur por edhe pyetje-përgjigjeve nga Komisioni i Ligjeve, 41 vjeçarja ka nisur karrierën në kohën kur kryeprokuror në qytetin e Shkodrës ishte ngarkuar deputeti socialist Ulsi Manja.
Ndër dosjet e hetuara prej saj gjatë 16 viteve është dosja e pedagogut Fran Qafa që u paraqit në gjykatë.
Sa i përket numrit të hetimeve, Marku dha një sqarim përpara anëtarëve tek Ligjet, ku tha se kishte firmosur mjaft dosje të hetuara prej kolegëve dhe ka kërkuar vendimin e Gjykatave.
Ajo pritet te shërbejë në këtë pozicion deri në formimin e organeve të reja të drejtësisë të cilat do të zgjedhin kryeprokurorin e ri në bazë tëreformës në drejtësi.
Pse budalla ishte Enveri qe i pushkatoi te gjithe opozitaret?
Ja keta opozitaret e sotem,a nuk duhen pushkatuar si armiq te Shqiperise?