Ende pa u mbyllur mirë faza e dytë, drejtuesit e Teutës janë hedhur menjëherë në merkato për të përforcuar skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit.
Fokusi i tyre është tek reparti difensiv, aty ku bregdetarët kanë zhgënjyer totalisht deri më tani në Kategorinë Superiore dhe pritet të afrohen 3 mbrojtës, i majtë, i djathtë dhe qendre.
Në 15 ndeshje “Djemtë e detit” kanë regjistruar 4 fitore 3 barazime dhe 8 humbje, 17 gola të shënuar dhe 24 të pësuar.
Statistikat janë alarmate dhe merkato e janarit është shpëtimi i vetëm për bregdetarët, që në fillim të sezonit kur shpalosën objektivat vendi i tretë ishte minimumi.
Në janar nuk pritet të ketë vetëm afrime, por edhe largime. Lojtarët që kanë luajtur më pak tek Teuta në këto 15 ndeshje pritet të largohen, edhe pse disa prej tyre kanë kontrata afatgjate.
Shpëtim Moçka dhe Ardit Shehaj janë të pakënaqur me minutazhin, që kanë dhe sipas të gjitha gjasve do të kërkojnë të largohen ndërsa Onyeka Osemene nuk ka bindur stafin teknik dhe gjithashtu pritet të largohet.
Deri tani Teuta ka ndërprerë bashkëpunimin me mbrojtësin e djathtë Sunday Abe dhe mesfushorin Albi Dosti.