Sabien Lilaj është shpallur “Lojtari i Vitit” nga FSHF në mbrëmjen gala të fundvitit të organizuar nga institucioni që drejton futbollin në vendin tonë. Mesfushori i Skënderbeut, një nga liderët e skuadrës korçare dhe protagonist absolut në ecurinë mbresëlënëse në kampionat dhe Europë gjatë këtij viti, është nderuar sot me trofeun pas anketës së përvitshme të FSHF-së që nderon lojtarin më të dalluar.
Kjo nuk është hera e parë në të cilën Lilaj fiton këtë çmim mjaft prestigjioz, i cili vjen nga vlerësimet e trajnerëve dhe kapitenëve të skuadrave të Superiores. Edhe në vitin 2015, ai u shpall lojtari më i mirë në elitën e futbollit shqiptar. Ai përfitoi edhe këtë edicion një çek prej 2 milionë lekësh të vjetra, një shumë simbolike që FSHF ka caktuar për fituesin e këtij çmimi.
Skënderbeu ka dominuar garën për “Lojtarin e Vitit” gjatë këtyre edicioneve. Para Lilajt, këtë çmim e kanë marrë dhe Orges Shehi (2012) dhe Hamdi Salihi (2016). Futbollistë të tjerë që kanë marrë këtë trofe në vitet e fundit janë Alban Hoxha (2014), Daniel Xhafaj (2013) dhe Armando Vajushi (2011).