LUP-JAVA, Kategoria Superiore java 16-të

26 Dhjetor 2017, 14:10Sport TEMA

Gola pa fund për…”Krishtlindje e Vit të Ri”

Nga Ervin Baku

Futbolli i javës së fundit për vitin kalendarik 2017 rezervoi gola të shumtë. Java e gjashtëmbëdhjetë, përpos faktit se u luajt në një orë (13.00), dhuroi lojëra spektakolare e verdikte “dimri”. Nuk befason Skënderbeu, as Partizani e Laçi. Madje të tre këto ekipe regjistruan të njënjtin rezultat teknik: 3-1. Surprizat nuk munguan dhe në të 16-ën javë.

Ato i përkasin skuadrave të jugut. Shkëlqen Luftëtari, bën detyrën Flamurtari. Gjirokastritët, pasi “përçudnuan” një javë më parë Partizanin, “shkrumbojnë” e bëjnë lëmsh Kukësin mu në mes të “acarit”. Sërish Kristal Abazaj në skenë. 20-vjeçari shkëlqen dhe shënon, ndërsa bluzinjtë me tri pikët e marra në Kukës gjejnë qetësinë e momentit. Ikën Milinkoviç, kampionët në alarm. Në Korçë, ndeshja nis me vrull për Teutën. Por vendasit lënë pak hipoteza për miqtë dhe në fund e lënë Teutën në “fund”. Rënia e lirë e durrsakëve, përkundër startit befasues, kundërmon aromë frike.

Gjithësesi këtë javë justifikohen, ishin miq në Korçë. Aty ku si kushdo, vuajtën supremacinë e “ujqërve”. Partizani kthen Starovën dhe suksesin. Të kuqtë nuk shkëlqejnë, por në fund marrin fitoren dhe dërgojnë përfundimisht në “ferr” shkodranët. Emri i madh Vllaznia, në luftë me kohën. Efekti Gjoka, ende pa u konkretizuar në përmasat e pritshme.

Keqardhje për situatën në kampin kuqeblu.”Voltanë, luaj vendit”. I treti në tabelë, Laçi. Surprizë? Aspak. Mezani me djemtë e tij, stabël në çdo sfidë. “Minierë ari”, sa i takon elementit të ri. Uzuni, ai që meriton notën e numrit që mban në shpinë (dhjetë). Edhe ndaj Lushnjës, në gol. Këta të fundit qëndruan mirë në 77-të minuta. Më pas furia, me dy gola të vendasve. Lagunarët, ende në “lojë”. E tha Dedja, trajneri i tyre: “Do futemi fort në merkato, nuk dorëzohemi për mbijetesën”.

Dështon Kamza. Skuadra periferike e Tiranës rezultoi e frikshme deri tri javë nga fundi i vitit, por të “korrat” e fundit, për t’u shqetësuar. Ndreu thotë se futbollistët e tij e kanë mendjen tek ofertat. Por Flamurtari nuk bën ndryshe. Strategjia e Duros jep efektin pikërisht ndaj një rivali të zonës euro dhe përligj investimet e bëra. 0-3 në Kamëz, e rëndë për vendasit.

Sakaq, Lup-Java i tha ato që prodhoi terreni i lojës përgjatë 2017-ës.

Do ta bëjë deri në fund të edicionit. Ashtu, me “penën” e saj shumë modeste. Pa iu “hakërruar”askujt e “iluminuar” me pa të drejtë. Përpara fundit të vitit, stafi ynë ka një urim special për të gjithë protagonistët.

Gëzuar Lindjen e Krishtit dhe Vitin e Ri 2018! Të begatë, të qeshur dhe plot shëndet. Këmbëmbarë në 2018″!

Shënim: Lup-Java, dhe stafi i saj, pritet që së shpejti të shpallë formacionin e vitit 2017. Futbollistin, trajnerin, golin më të mirë etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje