Shqipëria mbyll pa shkëlqim vitin 2017 sa i përket futbollit të ekipeve kombëtare, për më tepër në disa kategori duke pasur rënie. Këtë e thonë renditjet e publikuara nga UEFA, e cila ka bërë përmbledhjen e fundvitit sa i përket paraqitjeve të përfaqëseseve në kontinente për meshkuj, femra dhe futsallës.
Bie në sy se në të gjitha kategoritë, Shqipëria mbetet në pjesët e poshtme të renditjes mes 55 vendeve në listën kontinentale.
Sa i përket Kombëtares së madhe, e alternuar mes De Biazit dhe Panuçit në këtë vit kalendarik, Shqipëria mbyll 2017-ën në pozicionin e 31-të në Europë. Kjo renditje duhet përmirësuar detyrimisht nëse synohet arritja në Euro 2020, pasi qartësisht statistikat e ndeshjeve zyrtare thonë se kuqezinjtë për momentin nuk e meritojnë të jenë mes 24 skuadrave pjesëmarrëse.
Nëse nga njëra anë mund të ngushëllohemi se kemi lënë pas disa përfaqësuese të tjera ballkanike si Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia, Qipro e Kosova.
Nga ana tjetër parakalimi i Greqisë dhe Serbisë të cilat në 2016 renditeshin pas ndesh, duhet të na bëjë të mendojë se gjërat nuk po ecin në drejtimin e trumbetuar dhe shpresuar.