Të varfër, ja si shqiptarët heqin ‘bukën gojës’ për të blerë televizorë, celularë e kompjutera

26 Dhjetor 2017, 08:54Sociale TEMA
Të varfër, ja si shqiptarët heqin ‘bukën

Zhvillimet në tregtinë me pakicë të këtij viti ilustrojnë një prirje të kahershme të shqiptarëve për një kujdes të tepruar ndaj shtëpisë dhe makinës se sa për veten, pavarësisht nivelit relativisht të lartë të varfërisë që karakterizon vendin, që ka ndër të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, me përjashtim të Moldavisë, Ukrainës e Kosovës.

Të dhënat mbi tregtinë me pakicë të tremujorit të tretë 2017, publikuar nga INSTAT, tregojnë se indekset e tregtisë me pakicë shënuan vlerën më të lartë të rritjse për artikujt joushqimorë se sa ata ushqimorë.

Në tremujorin e tretë të 2017-s, tregtia me pakicë e ushqimeve dhe pijeve u rrit vetëm me 1.7%, teksa shitja e artikujve joushqimorë u rrit me 4.5%, niveli më i lartë që nga tremujori i fundit i 2016-s, shkruan Monitor.

Shitjet me pakicë të karburanteve gjithashtu u rritën në nivele të ngjashme me shitjet e ushqimeve.

Në tremujorin e tretë, indeksi tregtisë me pakicë në hidrokarbure u rrit me 1.1%, nivel shumë më i ulët se mesatarja historike dhe i pesë tremujorëve të fundit.

Banka e Shqipërisë analizon se rritja e konsumit privat këtë vit është mbështetur nga shpenzimet e rritura të konsumatorëve për mallra të qëndrueshëm.

Indeksi i tregtisë me pakicë të pajisjeve elektroshtëpiake dhe pajisjeve të ndryshme kompjuterike u rritën në tremujorin e dytë me përkatësisht 6.1% dhe 16.7%, normë kjo më e lartë se sa e tremujorit të parë (5% dhe 5.3%) dhe mesatares së vitit 2016 (7.5% dhe 12.3%). Kjo tendencë duket se ka vijuar edhe në tremujorin e tretë sipas të dhënave nga treguesit e tregtisë me pakicë të publikuara nga INSTAT.

Banka e Shqipërisë analizon se rritja e konsumit u mbështet nga zhvillime pozitive në punësim dhe nga përmirësimi i besimit konsumator. Përveç rritjes së punësimit, në financimin e konsumit privat në ekonomi kontribuuan dhe kushtet e lehtësuara të kreditimit dhe rritja e remitancave.

Tregues të tërthortë sugjerojnë për vijim të ciklit rritës të konsumit privat, që do të vijojë edhe këtë tremujor.

Sinjale pozitive vijnë edhe nga treguesit e besimit në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë, niveli i të cilëve po qëndron mbi mesataret përkatëse historike.

Teksa edhe tregues të tjerë sasiorë, si rritja e importit të ushqimeve dhe elektroshtëpiakeve dhe rritja e kredisë konsumatore lajmërojnë rritjen e konsumit.

Për më tepër, në tremujorin e fundit të vitit, tendenca për të blerë artikuj elektroshtëpiake sidomos televizorë rritet edhe më shumë për shkak të festave të fundit të vitit që nxiten edhe nga ofertat e kompanive që i tregtojnë ato.

2 komente në “Të varfër, ja si shqiptarët heqin ‘bukën gojës’ për të blerë televizorë, celularë e kompjutera”

  1. shabani says:

    Shumë vite më parë, kam udhëtuar drejt Prishtinës… Duke kaluar në Milot (nga rruga e vjetër akoma), akoma dhe sot më ka mbetur në sy, një skenë me detaje shumë domethënese… Ishin disa godina- “pallate”(?!) të kohës së Enverit, që edhe dallëndyshet do të “kishin frikë” të bënin fole aty…! Gjysëm të rrënuara dhe nxinin, që të zinte tmerri duke i parë dhe jo më të banoje aty… Megjithatë, ato ishin të gjitha të banuara, sepse në të gjitha “ballkonet” e tyre (përveç levereve të nderura), shikoje nga një flamur dhe një … saç satelitor…(???!!!)

  2. Lumi qe na mori says:

    Pse duhet te konsumojne kur nuk punojne e cfare te konsumojne, ushqime te kalbura? Me mire Celulare se te Japin mundesi te hapesh mendjen. Keshtu ndodh pas mbylljes, uri per njohje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje