Zbulohen klubet që duan Qakën në Spanjë

27 Dhjetor 2017, 11:54Sport TEMA

Kamer Qaka është një nga emrat më të lakuar në merkaton e janarit sa u përket futbollistëve shqiptarë. Mesfushori ka shkëlqyer në 6 muajt e tij në Rumani dhe aktualisht klubi i Politeknika Iasi si dhe vetë futbollisti po shqyrtojnë oferta të ndryshme.

Deri tani ishte mësuar se Sporting Braga ka bërë një ofertë prej 500 mijë eurosh për lojtarin, ndërsa kishte ofertë edhe nga Sampdoria dhe Benevento në Itali. Sot janë zbuluar edhe emrat e dy skuadrave spanjolle që kanë shfaqur interes për mesfushorin shqiptar.

Njëra është Las Palamas, në kërkim të përforcimeve për pjesën e dytë të sezonit në tentativën për të mbijetuar në elitën e futbollit spanjol pasi mban vendin e fundit në La Liga edhe pse ka yje në përbërje me emra si Akuilani, Haliloviç, Vitolo, Remi apo Kalleri.

Skuadra tjetër është surpriza e këtij edicioni në La Liga, Girona. Ekipi i vogël katalanas bëri bujë në këtë sezon jo vetëm me paraqitjet të cilat e kanë mbajtur në 10-shen e parë të renditjes së kampionatit, por edhe me fitoren që arriti ndaj Real Madrid pak ditë pas zgjedhjeve që u bënë në këtë krahinë. Ai sukses 2-1 ndaj Ronaldo & Co. tronditi pankinën e Zidan dhe ishte i vetmi moment kur francezi u vu në diskutim nga drejtuesit e klubit, pasi humbja kishte ngjyrime të mëdha politike dhe jo vetëm sportive.

Gjithçka është konfirmuar nga presidenti i Politeknika, Adrian Ambrosie, i cili ka bërë të ditur se Benevento kërkonte lojtrain në huazim deri në fund të sezonit me të drejtën e blerjes përfundimtare.

“Përveç skuadrave të elitës në Portugali dhe Itali, dy ekipe të tjera në Spanjë janë të interesuara për Kamer Qakën. Me sa kam mësuar nga menaxheri i tij, Las Palmas dhe Girona duan mesfushorin tonë. Ne jemi të hapur për diskutime me këdo. Nëse është një ofertë e mirë për klubin dhe lojtrain, do ta shesim. Nuk jemi të dëshpëruar për ta shitur ama, nëse nuk vjen një ofertë e mirë, do ta mbajmë deri në verë.

Italianët e Beneventos na propozuan të marrin Qakën në huazim deri deri në verë, për një shifër të caktuar, ndërsa do ta transferojnë në fund të sezonit. Do ta analizojmë edhe këtë ofertë, ashtu si të CFR Kluj që propozoi shkëmbim lojtarësh dhe një shumë parash”, deklaroi drejtuesi i Iasit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje