REPORTAZHI: Një shëtitje dimërore në zemër të Luginës së Vjosës

3 Janar 2018, 20:00Turizëm TEMA

Nga Andrea Danglli

Shirat e lehtë të natës kanë lënë pas veç një mjegull të fortë mbi horizont që të ngjall përshtypjen se retë ishin gati të hidhnin pakëz dëborë për ne si për të na gënjyer dëshirat.

Pas një nate të vërtetë dimri në një bujtinë pranë fshatit Peshtan të Tepelenës me biseda të gjata dhe verë të kuqe rreth oxhakut, secili prej grupit tonë miqësor ka etje për të eksploruar të fshehtat e zonës.

Panoramat, misteret dhe historinë e saj jemi mësuar t’i njohim vetëm përmes ndonjë libri apo t’i ndjekim në ndonjë dokumentar të hershëm.

Të nesërmen makina ecën e qetë për të shmangur prerjen e rrugës nga ndonjë kafshë e egër që pa pritur dhe papandehur të shfaqet përpara si me magji.

Duket si fragment filmi, por kafshët kësaj ane jetojnë të shkujdesura në botën e tyre për shkak se virgjëria e pyjeve ende nuk ka ndjerë fort dhëmbëzat e sharrës apo gjuhëzën e sëpatës.

E ftohta nuk është aq e egër sa menduam në fillim, madje nuk i justifikon plotësisht as pulovrat tona të trasha nga frika e një acari që s’duket kurkund.

Gjithsesi avulli i ngrohtë brenda makinës kondenson xhamet si për të na treguar se temperaturat nuk janë ashtu si mendojmë ne.

Përpiqemi ta fshijmë mjegullën e hollë nga dritaret e cila si për inat fsheh panoramat që shfaqen njëra pas tjetrës sa herë që automjeti ndryshon kahet.

Porsa marrim kthesën majtas në drejtim të Përmetit, shfaqet pamja e një reparti të braktisur ushtarak që ka në sfond një shpellë të betonuar: -“Dikur shërbente si spital ushtarak. Është mirëmbajtur mirë më parë, por në vitin 1997 dhe ai ra preh e grabitjes. Tani është pronë e ushtrisë, dhe NATO mund të ketë ndonjë plan për të,”- thotë udhrrëfyesi ynë.

Nga jashtë hyrja e ndërtesës të jep përshtypjen e një bunkeri të fshehur atomik për të mbrojtur Shqipërinë komuniste nga pushtuesit imagjinar që nuk erdhën kurrë. Duket interesante edhe pse braktisja apo vitet kanë bërë punën e vet.

Veç kësaj, frenojmë shpesh herë makinën për të mësuar mbi faqet e historisë sonë që janë shkruar këtyre anëve. Diku me pushkë, diku me penë dhe diku vetëm me fjalë. Komplet zona duhet thënë se përbën një libër më vete për historinë e Shqipërisë dhe fqinjëve tanë.

Kjo vatër e gjerë njihet ndryshe edhe për bëmat e Ali Pashë Tepelenës apo si fushëbeteja më e egër e luftës së përgjakshme italo-greke në harkun kohor tetor 1940 – prill 1941. Nga kjo e fundit dëshmitar kanë ngelur veç eshtrat e vareve masive të shpërndara në zonë dhe një manastir për varrezat greke pranë Grykës së Këlcyrës.

Në Sajmol shohim ende rrënojat e një monumenti të batalionit “Lupi di Toscana” ndërsa 20 metra përball tyre një kryq ortodoks tregon se ka akoma varre të ushtarëve grek.

Ushtritë janë mundur dhe kanë vdekur, bashkë me to edhe gjeneralët e tyre.

Veç ndonjë kryq i metaltë apo ndonjë brezare betoni mund të jenë gjurmët e vetme në terren prej asaj kohe.

Tjetër gjë vështirë të gjesh. Duke sjellë në vëmendje historinë, ndjen keqardhje që nuk gjend dot një muze të vogël në zonë për t’u njohur telegrafikisht me ngjarjet e dokumentuara që janë zhvilluar atje.

Makina ecën ndërsa ne mendohemi, dëgjojmë njëri-tjetrin dhe përplasim ide se si turizmi kulturor apo natyror i zonës mund të ishte më i mirë. Edhe pse pakëz e ngushtë, rruga është e shtruar mirë dhe e pasur me sinjalistikë. Buzë saj janë vendosur stane të vegjël për shkak të kullotave të shumta. Qentë e tyre na vinë pas automjetit duke vrapuar si të ishim në një garë të vërtetë olimpike. Na pëlqen të lozim kur përpiqen të na ndjekin.

Porsa i lemë pas njëra pas tjetrës kopetë me kafshë të buta, qartas na tërheq vëmendjen fabrika e ujit “Trebeshina” e cila shënon të vetmen godinë betoni të ndërtuar vitet e fundit buzë lumit.

Një nga veçoritë që sheh rrëzë Vjosës, është se aksidentalisht dhe fatmirësisht nuk janë ndërtuar gradaçela për t’i marrë frymën biodiversitetit të pasur. Them aksidentalisht pasi vëmendja u fokusua në qytete të tjera dhe padashur askush nuk u interesua për të shfrytëzuar këto pasuri. Thesaret ekologjike që mund të gjesh janë të shumta, madje do guxoja që t’i quaj të pafundme përderisa askush nuk disponon një numër për to.

Ndonjëherë krijohet përshtypja se jugu i Shqipërisë ka vetëm fusha dhe veriu ka veç male por nuk qenka kështu”-thotë njëri prej nesh që përpiqet të heqë disa paralele gjeografike mes gegëve dhe toskëve teksa hedh vështrimin mbi majat e larta që janë futur nën mjegull.

Këlcyrën e kapërcejmë shkarazi. Qyteti duket i përgjumur në monotoninë që e ka vënë përposh sa kemi frikë ta ngacmojmë. Ndruhemi të gërmojmë këtu pasi e dimë që do të zgjohen plagët e ndryshimeve negative që ka pësuar këto 27 vitet e fundit. Krahasuar me fotografitë e vjetra dukshëm mund të konstatosh se qyteti i vogël me lule dhe shtëpiza të mbledhura është bastarduar nga ata pak përbindësha betoni që fshehën pas tyre godinat e gurta.

Një mesoburrë i kërrusur që tërheq për kapistre dy kuaj të lidhur njëri pas tjetrit, tund kokën për të na përshëndetur. E përshëndesim edhe ne pa u shfokusuar nga lugina që gjarpëron mes fshatrave.

Udhëtimi zgjati deri pranë Përmetit për t’u kthyer sërish në Tepelenë. Në kthim ndjekim sërish rrjedhën e Vjosës e cila ashtu e qetë, pa zhurmë dhe pa naze, rrugëton bashkë me grupin tonë për t’u derdhur në detin “Adriatik”. Ne i fiksojmë edhe njëherë njëra pas tjetrës pejsazhet që na bëjnë shoqëri deri në qytetin e Ali Pashë Tepelenës apo siç e njeh historia “pashait të jugut”.

Rrapet shekullore i kanë futur ujërat në një parajsë të vogël që pavarësisht se kanë ngelur si fantazma prej gjetheve të rëna, të krijojnë përsëri përshtypjen se janë ziliqarë dhe kërkojnë ta mbrojnë nga syri i kureshtarëve.

Uji duket se nuk është në ngjyrën e tij më të blunjtë, por përsëri kaltërsia s’është ndotur ende. Vetëm tani mund t’i kuptojmë arsyet se pse mjaft shqiptarë janë dashuruar aq shumë me ketë lumë, sa kanë pagëzuar brez pas brezi edhe fëmijët e tyre me emrin që mban.

Makina përshkon ngadalë urën e Dragotit e cila në pamje të parë mund të konsiderohet me bindje si një vepër arti. Nga të gjitha urat e shumta që pamë e numëruam mbi lumë gjatë rrugëtimit tonë, ky ndërtim lidhës është më i veçanti për karakteristikat arkitektonike. Ai  përbëhet nga një strukturë e fortë metalike që e mban të lidhur nga lart.

Projekti i urës e ka zanafillën nga projekti i inxhinierit të njohur francez Lekuar në vitin 1924 dhe më vonë në vitin 1934 ishte studioja Wagner-Biro A.G.Graz që ofroi projektin ambicioz për kohën. Edhe urat e tjera mbi Vjosë kanë histori të bukura për t’u shkruar, por për ta bërë këtë nuk do mjaftonte veç faqja e një gazete. Ato janë mjaft të rëndësishme për fshatrat rreth e rrotull, ku përveç magnetit turistik dihet se diku klith mjerim, diku jeton prapambetja sociale dhe diku shpreson skamja me dorë të shtrirë nga emigracioni.

Nëse do të kishte një plan më të mirëorganizuar turistik, kjo zonë do të ishte shndërruar në një prej destinacioneve më të rëndësishme në Ballkan dhe jo vetëm duke vetëpunësuar mjaft banorë.

“Kjo është stina më e keqe për të vizituar jugun”, -këtë konstatim e përsërit me dëshpërim njëri prej grupit tonë i cili duket i pakënaqur me penelin që zgjedh dimri për të vizatuar natyrën. Është e vërtetë që mungojnë lulet dhe gjelbërimi është zbehur ca, por ama kjo nuk do të thotë se “zonja e rëndë” e jugut e çan shumë kokën për penalitetet që i jep dimri. E nëse zemërohet? Këtë nuk duam as ta mendojmë, as ta kujtojmë dhe as ta parashikojmë…

Duke u larguar nga fshatrat rrëzë luginës, po intrigohesha tepërmi se çfarë mund të fshihet brenda shpellave të vogla që ishin vendosur mbi kreshta njëra pas tjetrës.

“Mbase thesare si në përralla!” -po mërmërisja me naivitet mendimet djallëzore që më kalonin nëpër tru.

Vite më parë studiuesit grekë nxorën në dritë rreth 2 000 dokumente sekrete të arkivuara nga “shteti” i Ali Pashës ku mes të tjerash flitej edhe për thesarin e tij që nuk u gjend kurrë.

“Budallenj” – belbëzova me vete pa gjykuar gjatë – Nuk duhet të gërmosh e shpresosh për të gjetur thesarin e sunduesit të madh të jugut në vitet 1780-1822 kur mbi tokë ngre krye një pasuri edhe më e madhe.

Atë mund ta zbulosh fare lehtë: Rrugëto me Vjosën!

6 komente në “REPORTAZHI: Një shëtitje dimërore në zemër të Luginës së Vjosës”

  1. N.VJOSA says:

    Eh,
    Reportazhi flet me dashuri per Lumin, te cilin ambientalistet europiane e quajne
    ZEMRA BLU E EUROPES!…
    Sa e sa here e kam përshkuar ate lugine si gazetar, , edhe te mi mbyllesh syte une e perfytyroj Lumin tim ku u linda, u rrita, kalova Femijerine dhe Rinine, ku nuk kam patu frike te futem ne ujin e ftohte te Vjoses sime edbe ne Janar, edhe ne vjeshte, kur Lumi zemerohej e delte si det…!
    Eh, Vjosa ime, sa e sa here une kam gjuajtur peshkun dhe nghalen tende te shijshme, per mua me te shijshmen ne bote…!
    Dhe ja tani e lexoj kete reportazh dhe mendja me rreh se si do te organizoj nje ekspedite tjeter, pas asaj qe organizova para dy vjetesh duke kaluar me gomone nje pjese te madhe te Lugines se Vjoses!
    Raftingu ne Vjose eshte nje mrekulli, por duhet zgjedhur koha, ne Prill ose Maj, kur Vjosa sjell uje me bollek, kur nisin shirat e Vjeshtes…
    Nje udhetim me Jetski, prej Grykderdhjes se Vjoses ne drejt.im te Permetit, eshte ëndërra ime qe pret te realizohet!…

  2. adi says:

    Reportazhe te tilla i mungojne medias sot se na mbyten gjokset bythet dhe politika . . . . Shkruani per shqiperin o te uruar

  3. Foti says:

    Andrea kelcyra eshte bastarduar mor trim dhe ke ba mir qe ske ndenjtur fare se keta qe e drejtojn kan qen mut muti

  4. Iliri says:

    Të falemnderit Andrea!

  5. Viro says:

    Na shove pak mallin per ato vende te bukura, lumin qe vazhdon e ushqen bimet, kafshet e egra por dhe malet, deboren dhe njerezit e dashur e te begenisur. Vjosa eshte gjigande, nga madhesia dhe efekti ne zonat qe pershko, mgjse duan ta lidhin duhet te mbetet e lire, e vrullshme si perhere.

  6. mirel says:

    Ushtrite qe nuk erdhen kurre thote Andrea.
    Ke degjuar ndonjehere qe leberit te kene lufte o Andrea?

    Sa per Vjosen, te shkruash sentimentalisht eshte me e pakta.
    Fshatareve do ju duhet te ngrihen me arme prape se po i pushtojne koncesionaret e Heceve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje