Ashtu siç ishte parashikuar edhe në axhendën zyrtare, Teuta mbërriti paraditen e së mërkurës në Antalia të Turqisë, ku do të qëndrojë 10 ditë për të zhvilluar përgatitoren e janarit. Pasi u akomoduan dhe qëndruan për disa orë në hotel, “djemtë e detit” pasdite zbritën në fushë për të kryer seancën e parë stërvitore në tokën turke.
Në dispozicion të stafit teknik ishin të gjithë futbollistët, me përjashtim të sulmuesit nga Mali, Cheick Tidiane Tambadou. 19- vjeçari pritet të mbërrijë sot në aeroportin “Nënë Tereza” dhe, më pas, do të niset drejt Turqisë për t’u bashkuar me grupin.
Edhe pse Tambadou nuk është bashkuar akoma me ekipin zyrtarisht mund të quhet një lojtar i bregdetarëve.
Së bashku me të, numri i lojtarëve që Teuta ka afruar në këtë merkato shkon në katër, pra Bojan Gjorgievsk, Amir Bilali, Burhan Mustafov dhe Tidiane Tambadou. Gjithashtu janë edhe disa lojtarë në provë, por e ardhmja e tyre do të vendoset në fund të minifazës përgatitore.
Mësohet se drejtuesit janë në negociata edhe me një mesfushor tjetër dhe një sulmues, por për shkak se nuk është gjetur akoma marrëveshja nuk preferojnë t’i bëjnë publike emrat e tyre.
Gjatë qëndrimit në Turqi, durrsakët do të zhvillojnë edhe tri ndeshje miqësore, me trajnerin Stavri Nica, që kërkon të shohë gjendjen e futbollistëve dhe veçanërisht atyre që janë afruar rishtas në merkato, shkruan “Panorama Sport”.
Për momentin, negociatat me klube të ndryshme janë duke vazhduar dhe nuk ka emra të mundshëm të kundërshtarëve. Ato pritet që të zyrtarizohen vetëm sot.