ANALIZA: Një rivalitet i hidhur mes vendeve arabe po lind në Afrikë

24 Janar 2018, 11:55Bota TEMA

Një rivalitet mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në njërën anë dhe Katarit nga ana tjetër po shpërndahet në Afrikën Lindore, duke lënë në hije armiqësitë mes vendeve të rajonit.  Disa prej tyre po përfitojnë nga mungesa e stabilitetit në gadishullin arab për të ofruar baza për konflikt. Por nëse konflikti arab përhapet, vendet e Afrikës mund të përfshihen në të.

Në vija të përgjithshme, në rajon janë përfshirë dy grupe myslimanësh. Njëri është grupi më i fuqishëm islamik, përfshirë Turqinë dhe Katarin, të cilat kanë qenë miqësore me Vëllazërinë Myslimane, një lëvizje islamike që është përhapur në shumë vende dhe kërkon marrëdhënie më të mira me Iranin.

Ndërsa tjetra është aleanca që udhëhiqet nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Egjipti, qeveritë e të cilave nuk e duan Vëllazërinë dhe e shpallin veten si sunitë të moderuar dhe veçanërisht armiqësorë ndaj shiitëve të nxitur nga Irani.

Por në këtë konflikt po përshihen edhe vendet periferike. Sipas një raporti të fundit, i pakonfirmuar ende nga burime të pavarura, Egjipti ka vendosur trupa në Eritre, pranë kufirit me Sudanin.

Kjo pason një periudhë të përgjakshme gjatë të cilës qeveria e Egjiptit e akuzoi Sudanin se po mbështeste Vëllazërinë, e cila e drejtoi Egjiptin për një vit, nga 2012-a derisa u rrëzua nga gjenerali Abdel Fattah al-Sisi, tani president i vendit.

Më 15 janar presidenti jetëgjatë i Eritresë, Issaias Afwerki, e hodhi poshtë këtë raport, duke e cilësuar gënjeshtër e përsëritur nga kundërshtarët e vendit të tij, të drejtuar nga Katari dhe media e tij me influencë, Al Jazeera.

Lufta civile në të gjithë zonën e Detit të Kuq dhe në Jemen, ku rebelët Hothi që mbështeten nga Irani po luftojnë kundër koalicionit të Gjirit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Emiratet, po shton më tej tensionet në rajon. Vendeve të Afrikës u është bërë thirrje të pozicionohen në këtë konflikt. Shumë prej tyre zyrtarisht proklamojnë qëndrime neutrale, por nga ana tjetër ofrojnë mbështetje detare dhe ushtarake.

Në rajon ka një rrëmujë që lidhet me shkëmbimet e ishullit dhe huadhëniet e porteve. Edhe para se koflikti në Jemen të fillonte, Xhibuti fitonte miliarda dollarë duke u siguruar baza ushtarake Francës (ish-kolonizatori i saj), Amerikës dhe Kinës. Deri vonë, Xhibuti mirëpriste edhe Emiratet, të cilat tashmë përdorin një bazë në portin e Eritresë si pozicion kyç nga ku kryhen sulme kundër rebelëve Huthi në Jemen.

Sudani, i cili ka vendosur trupa në kuadër të koalicionit të Gjirit kundër huthi-ve kohët e fundit e ka zemëruar Egjiptin, pasi lejoi Turqinë të rregullojë një port të vjetër osman në Suakin, Deti i Kuq. Ndërsa Egjipti nga ana e tij, i plotësoi dëshirën Arabisë Saudite duke ratifikuar një marrëveshje që i jep mbretërisë dy ishuj të pabanuar.

Somalia ka qenë miqësore veçanërisht me Turqinë dhe është tërhequr drejt kampit islamik. Por Somalilandi, rajoni në Detin e Kuq që nuk është njohur ndërkombëtarisht, por që funksionon më mirë se shteti mëmë, ka bërë një marrëveshje të madhe me Emiratet.

Ato do të ndërtojnë një  bazë tjetër ushtarake, në këmbim të ndërtimit të një rruge që lidh portin e vendit me Etiopinë. Për ta ngatërruar më shumë këtë çështje, disa nga shtetet federale të Somalisë me gjysmëpavarësinë e tyre, kanë bërë marrëveshje që shkojnë kundër politikës së jashtme të kryeqytetit federal, Mogadishu.

Etiopia përpiqet të qëndrojë jashtë, megjithëse është në konflikt me Egjiptin për Digën e Madhe të Rilindjes në Etiopi, që Egjipti thotë se do të frenojë në mënyrë drastike rrjedhën e lumit Nil.

Etiopianët janë komodë me Turqinë, një investitor i madh, por gjithashtu kanë marrëdhënie miqësore në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kohët e fundit, ata lejuan Al Jazeera-n të hapte një zyrë në Addis Abeba, kryeqytetin e Etiopisë.

Në çdo rast, Etiopia ka të ngjarë të kundërshtojë çdo gjë që Eritrea mbështet: ushtritë e të dy vendeve ende janë në armiqësi për çështjen e kufirit, edhe pse lufta në kuptimin e mirëfilltë të fjalës përfundoi në vitin 2000. Ndërkohë, Eritrea ka shfrytëzuar mundësinë për të rritur të ardhurat.

Jo vetëm që ka lejuar që Emiratet e Bashkuara Arabe të ndërtojnë bazën e tyre në Assab, por thuhet se ka lejuar Izraelin të ketë përdorim të kufizuar të objekteve në arkipelagun Dahlak, së bashku me një stacion përgjimi në një mal të saj.

Houthët në Jemen akuzojnë sauditët se janë duke u afruar me izraelitë, një nga gjërat më të urryera në disa qarqe islamike.

(The Economist -TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje