Kreu i Gjykatës së Lartë dhe një gjyqtar tjetër janë arrestuar në Maldive. Abdulla Saeed dhe Ali Hameed u vunë në pranga vetëm pak orë pasi qeveria shpalli gjendjen e emergjencës. Nuk ka ende detaje në lidhje me akuzat ndaj tyre.
Maldivet janë përfshirë nga kriza politike, e cila është përkeqësuar kohët e fundit. Trazirat nisën në momentin që presidenti Abdulla Yameen refuzoi t’i bindej një urdhri të gjykatës për të liruar disidentët politikë.
Opozita dhe faktori ndërkombëtar e kanë dënuar veprimin e presidentit. Ishujt Maldive shtrihen në Oqeanin Indian. Ekonomia e vendit bazohet kryesisht mbi turizmin.
Kriza politike
Javën e kaluar, Gjykata e Lartë vendosi lirimin e një grupi politikanësh opozitarë. Ajo e cilësoi shkelje të Kushtetutës procesin gjyqësor të 2 viteve më parë ndaj ish-presidentit Mohamed Nasheed, i cili tani jeton në ekzil.
Një zyrtar i lartë i policisë tha se do të zbatonte vendimin e gjykatës dhe për pasojë u largua menjëherë nga puna nga presidenti Yameen.
Tashmë, ushtria në Maldive ka marrë urdhrin të jetë në gatishmëri dhe të bëjë rezistencë ndaj çdo tentative për grusht shteti.
Kriza në Maldive precipitoi të hënën, pas shpalljes së gjendjes së emergjencës, e cila parashikon shtimin e kompetencave të policisë për të bërë arrestime dhe për të ndaluar tubimet.
BBC-TemA TV